src1296562573-700x524-1-696x521

TREGIMI I MUSAIT ME HIDRIN, alejhima selam

Të gjitha tregimet në Kur’an dhe Hadithet e vërteta janë të sakta dhe reale. Ato na rrëfejnë dhe qartësojnë të gjitha ndodhitë siç kanë ndodhur, pa mangësi apo tepricë. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Ne po ta tregojmë ty historinë e tyre sipas së vërtetës.” (El-Kehf: 13); “Pa dyshim, të gjitha këto janë rrëfime të vërteta.” (Ali Imran: 62)

Allahu, azze ue xhel, e urdhëroi të Dërguarin e Tij, t’ua rrëfejë njerëzve atë çka ia mësoi atij prej tregimeve, që ndoshta ata do ta meditojnë gjendjen e popujve të mëhershëm, e do të marrin mësime prej jetës së tyre dhe do të largohen prej rrugës së tyre në rast se ishin zullumqar, e do t’i pasojnë ata në rast se ishin në rrugë të drejtë. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Tregoju atyre këto ngjarje, në mënyrë që ata të mendojnë.” (El-A’raf: 176); “Në tregimet e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend. Ky (Kur’an) nuk është tregim i trilluar.” (Jusuf: 111)

Padyshim se një prej tregimeve më të bukura që Allahu e cek në Kur’an është tregimi i Musait me Hidrin, alejhima selam. Ky tregim përçon parime dhe koncepte plot vlera e domethënie, prandaj vendosa që të flas rreth tij dhe t’i përmendi disa dobi që i kanë nxjerr dijetarët prej këtij tregimi.

Musai, alejhi selam, një ditë prej ditëve ligjëronte ne mesin e Beni Israilëve, dhe prej këshillave të tij zemrat e tyre zbuteshin, sytë e tyre lotonin. Kështu ishte gjendja e gjithë popujve kur u këshillonin nga pejgamberët e tyre, për shkak se shpirtrat dhe zemrat e pejgamberëve ishin të mbushura me frikë dhe dashuri ndaj Allahut.

Pasi që kryhet ligjërata, një njeri prej Beni Israilëve i drejtohet Musait, alejhi selam, dhe e pyet: “O Musa, a ekziston njeri më të mençur se ti? “ – Musai, alejhi selam, duke mos menduar aspak i thotë: “Jo, nuk ka njeri në këtë rruzull tokësor më të mençur se unë.”

Kjo përgjigje e Musait nuk ishte prej mendjemadhësisë, por ishte një realitet. Ai ishte njëri prej pejgamberëve më të mëdhenj dhe më të dalluar, i treti me vlerë pas Muhamedit, salallahu alejhi ue selem, dhe Ibrahimit, alejhi selam. Ishte i Dërguari i një populli të madh dhe të zgjedhur, iu dha Teurati i cili ishte dritë dhe udhëzim, dhe të cilin Allahu, azze ue xhel, e shkroi me dorën e Tij. Pastaj ishte ai që i foli Allahu te kodra Tur, dhe i dhuroi dituri të mjaftueshme, mirëpo edhe në rast se dituria e një njeriu është e madhe, prej edukatës është që kur të pyetet njeri si kjo pyetje, duhet të jetë modest para Allahut dhe të përgjigjet se Allahu e di më së miri se cili është më i mençuri në tokë.

Prandaj, Allahu, azze ue xhel, e kritikoi Musain, alejhi selam, dhe ia bëri me dije se ekziston një njeri në një vend ku takohen dy detet, dhe i cili është më i ditur se ti. Musai, alejhi selam, kur e kupton këtë realitet, vendos që ta merr rrugën dhe ta takon atë njeri. E pyet Allahun se si të arrijë deri tek ai, Allahu, azze ue xhel, e urdhëron që të merr me vete një peshk dhe ta vendos në shportë dhe në atë vend ku do ta humb peshkun, atje është vendqëndrimi i atij njeriu të cilin e kërkon.

Musai e merr peshkun e vendos në shportë dhe me vete e merr një djalosh, të cilin Allahu, azze ue xhel, nuk ia përmendi emrin në Kur’an, por në disa hadithe është cekur se ai ka qenë Jusha ibën Nun, i cili do të jetë pejgamber i Beni Israilëve pas vdekjes së Musait, alejhi selam.

Musai, alejhi selam, i drejtohet djaloshit që e shoqëronte dhe i thotë:

“Nuk do të pushoj së ecuri, derisa të arrij në vendin ku takohen dy detet, edhe nëse do të më duhet të udhëtoj për shumë kohë.” (El-Kehf: 60) Prej këtij ajeti shihet qartë vendosmëria e Musait që të kalojë një rrugë shumë të gjatë vetëm ta takojë atë njeri dhe të merr dituri prej tij. Mund të themi se Musai, alejhi selam, e meriton të jetë model për të gjithë kërkuesit e diturisë.

Abdurrahman es Sadi, Allahu e mëshiroftë, gjatë komentimit të këtyre ajeteve thotë: “Vendosmëria e Musait që ta merr rrugën e kërkimit të diturisë dhe të largohet prej Beni Israilëve kur ata ishin nevojtarë për këshillat dhe diturinë e tij, është argument se lejohet një njeri i cili dëshiron ta merr rrugën e kërkimit të diturisë të largohet prej popullit të tij, edhe pse ata kanë nevojë për të, me qëllim që ai më vonë të kthehet edhe më i ditur”.

Pas një rrugëtimi të gjatë Musai, alejhi selam, së bashku me djaloshin arrijnë te një shkëmb afër bregdetit dhe Musai i lodhur dhe i rraskapitur shtrihet në hijen e atij shkëmbi që të pushon. Pas një kohe ndodh një mrekulli e Allahut, azze ue xhel, peshku i cili ishte i ngordhur dhe shërbente si ushqim gjatë udhëtimit, ngjallet dhe fillon të lëviz drejt detit dhe futet në det në një mënyrë shumë të çuditshme:

“Dhe, kur arritën në vendin, ku bashkoheshin dy detet, ata e harruan peshkun e tyre dhe ai rrëshqiti në det, duke e hapur atë si tunel. (El-Kehf: 61)

Këtë mrekulli e vëren vetëm djaloshi, pasi që Musai, alejhi selam, ishte duke fjetur dhe kur ngrihet Musai prej gjumi djaloshi harron t’i tregojë për atë çka kishte ndodhur. Përsëri e marrin rrugën e kërkimit me shpresë se do ta takojnë atë njeri, dhe kur kaluan më tej, Musai i tha shoqëruesit të vet:

Na jep drekën tonë, sepse jemi lodhur nga ky udhëtimi ynë” (El-Kehf: 62)

Djaloshi tha:

“Shiko! Kur ndaluam tek ai shkëmbi, unë e harrova peshkun. Vetëm djalli më bëri ta harroj e nuk ta thashë se peshku mori rrugën nga deti në mënyrë të habitshme.” (El-Kehf: 63)

Djaloshi kur ia tregoi rastin Musait, u gëzua shumë dhe i tha: “Kjo është ajo që po kërkojmë.” (El-Kehf: 64)

Edhe pse kishin kaluar një udhëtim të lodhshëm dhe të gjatë, vendosën që të kthehen në atë vend ku kishte humbur peshku. Kur arritën në vendin ku bashkohen dy detet e takuan atë njeri të shumëkërkuar:

“Andaj u kthyen nëpër gjurmët e veta, dhe gjetën një prej robërve Tanë, të cilit i patëm dhuruar mëshirë prej Nesh dhe i kishim mësuar nga ana Jonë dije.” (El-Kehf: 64-65)

Vendtakimi i cili përmendet në Kur’an ku bashkohen dy detet nuk dihet saktë se ku është. Disa prej dijetarëve thonë se është vendi ku bashkohen Deti i Kuq me atë të Bardhin, dhe se më herët mes tyre ka pasur tokë, e cila më vonë është hapur dhe mes tyre është bërë kanal. Po të kishte pasur rëndësi të madhe Allahu, azze ue xhel, dhe Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, do ta kishin përmendur emrin e këtij vendi, mirëpo përmendja e tij nuk luan rol shumë të madh dhe mendoj se s’ka nevojë që të humbim kohë që ta gjejmë se ku ka ndodhur takimi. Na mjafton ajo çka e ka cekur Allahu se takimi i tyre ka ndodhur në vendin ku takohen dy detet.

Emri i këtij njeriu nuk dihet saktë. Disa prej dijetarëve kanë bërë përpjekje që ta gjejnë emrin e tij të vërtetë, mirëpo më së miri është që ta quajmë me emrin Hidër, ashtu si e ka emëruar Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, në hadithin që e transmeton Buhariu prej Ebu Hurejres, radijallahu anhu: “Hidri është quajtur me këtë emër, sepse është ulur në tokë të bardhë e cila menjëherë ka filluar të gjelbërohet prej tij.”

Musai, alejhi selam, kur e takoi Hidrin e përshëndeti i pari me selam dhe Hidri u çudit pasi që nuk e kishte dëgjuar këtë përshëndetje më herët dhe i dukej e huaj dhe e panjohur. Prandaj, dijetarët thonë se ky vend ishte në një rajon ku jetonin jobesimtarë.

Musai, alejhi selam, kur ia tregon Hidrit qëllimin e vizitës së tij se:

“A mund të të pasoj ty, që të më mësosh edhe mua diçka prej diturisë së drejtë që të është dhënë ty?” (El-Kehf: 66) Hidri çuditet me Musain dhe i thotë: “A nuk të mjafton që Teuratin e ke në dorën tënde dhe se të vjen shpallja? “ – Pastaj i tha: “O Musa, unë kam dituri që ti nuk duhet ta mësosh dhe ti ke dituri që unë nuk duhet që ta mësoj.”

Musa, alejhi selam, këmbëngulte që t’i lejojë t’i bëj shoqëri gjatë udhëtimit dhe të mësoj prej asaj çka nuk e dinte, por Hidri i thotë: “Ti nuk mund të durosh dot me mua!” (El-Kehf: 67) Hidri e dinte se Musai, alejhi selam, nuk do të mund të bëj sabër dhe se do t’i ngushtohet gjoksi kur ta sheh se çka do të vepron: “E si mund të durosh (pa pyetur) para diçkaje për të cilën nuk di asgjë?” (El-Kehf: 68)

Musai, alejhi selam, i drejtohet duke i thënë: “Do të më gjesh të durueshëm, në dashtë Allahu e nuk do të të kundërshtoj për asgjë.” (El-Kehf: 69)

Atëherë Hidri pranon, por me një kusht: “Nëse vjen pas meje, mos më pyet për asgjë, derisa të ta shpjegoj unë.” (El-Kehf: 70)

Musai, alejhi selam, pajtohet me këtë kusht dhe nisen së bashku drejt bregdetit që të hipin në anije dhe të kalojnë në anën tjetër të bregdetit. Pronarët e anijes ishin disa djelmosha të cilët me sa duket e njihnin Hidrin, për shkak se nuk i kërkuan të holla për transport. Pas një çasti Hidri e theu një dërrasë prej dërrasave të anijes dhe e hapi një vrimë, ndërsa Musai e harroi premtimin e tij dhe tha:

Mos vallë, e hape vrimën për t’i mbytur udhëtarët e saj? Me të vërtetë, ke bërë punë të shumë të keqe” (El-Kehf: 71)

Hidri ia rikujtoi Musait premtimin:

A nuk të thashë se ti nuk mund të durosh me mua? “ (El-Kehf: 72) ndërsa Musai u përgjigj: “Mos më qorto për atë që harrova dhe mos më ngarko me vështirësi në punët e mia!” (El-Kehf: 73)

Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, tha: “Musai harroi herën e parë”.

Pasi që zbritën prej anijes i panë disa fëmijë që loznin afër bregdetit. Hidri iu afrua njërit prej tyre, e shtriri për toke dhe ia këputi kokën. Kur e pa Musai këtë vepër u çmend, s’duroi dot dhe u nis drejt Hidrit duke ia mohuar veprën: “Përse vrave një njeri të pafajshëm që nuk ka vrarë askënd?! Vërtet që ke bërë një punë të tmerrshme” (El-Kehf: 74) Kurse Hidri iu përgjigj: “A nuk të thashë se ti nuk mund të durosh me mua?” (El-Kehf: 75)

Kjo ishte një sprovë e vërtetë dhe e rëndë për Musain, alejhi selam, sepse ai ishte mësuar të thërriste në të mirë dhe të ndalonte nga e keqja, sheriati i tij i ndalonte ato vepra çka i vepronte Hidri, ndërsa ai detyrohej të heshtë.

Musai kërkoi edhe një shans prej Hidrit dhe i tha: “Nëse pas kësaj do të të pyes sërish për çfarëdo gjëje, atëherë mos më mbaj më në shoqërinë tënde! Tashmë ke arsye (të mjaftueshme) nga ana ime (për t’u ndarë prej meje)!” (El-Kehf: 76)

Të dy vazhduan të ecin, derisa arritën në një fshat dhe u kërkuan banorëve të tij, që t’u jepnin për të ngrënë, por ata nuk i pranuan mysafirë. Pa dyshim se kjo është në kundërshtim me fisnikërinë dhe bujarinë dhe është shenjë e besimit të dobët dhe të mangët. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush i beson Allahut dhe ditës së Fundit le ta gostisë dhe fisnikërojë mysafirin” .

Rrugës duke ecur ndeshën një mur që ishte duke u rrëzuar dhe Hidri e drejtoi që mos të rrëzohet dhe kjo me të vërtetë ishte një gjest i çuditshëm prej anës së tij, për shkak se ata e refuzuan si mysafir, kurse ai u drejtoi murin në fshat. Kur e pa Musai këtë gjest të Hidrit tha: “Sikur të kishe dashur ti, mund të kërkoje shpërblim për këtë” (El-Kehf: 77)

Me këtë Musai theu premtimin e dhënë dhe Hidri i tha: “Kjo është ndarja ndërmjet meje dhe teje. Unë do t’i shpjegoj ty ato gjëra për të cilat nuk munde të durosh” (El-Kehf: 78)

Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, tha: “Kishim pasur dëshirë që Musai të duronte më tepër që Allahu, azze ue xhel, të na rrëfente më shumë prej ndodhisë së tyre”.

Hidri filloi t’ia tregojë Musait urtësitë dhe fshehtësitë e atyre veprave që Musai nuk mundi të bëj durim. Së pari e njoftoi për anijen: “Sa i përket anijes, ajo ishte pronë e disa të varfërve, që punonin në det. Unë desha ta dëmtoj, sepse prapa tyre gjendej një mbret i cili merrte me dhunë çdo anije të mirë” (El-Kehf: 79)

Kjo ishte urtësia e dëmtimit të anijes. Djelmoshat që e kishin në pronë anijen ishin të varfër dhe me këtë anijen furnizoheshin, ndërsa mbreti i asaj kohe ishte një zullumqar i cili çdo anije të mirë e merrte për vete. Prandaj, prej mëshirës së Allahut ndaj tyre unë e dëmtova një pjesë të saj, që mos t’ua merr mbreti anijen tërësisht dhe të mbetën pa furnizim. Dijetarët thonë se kjo është një rregull e madhe në sheriat, ku me veprimin e një sherri të vogël, mbrohesh prej një sherri më të madh.

Kurse: “Sa për djaloshin, prindërit e tij ishin besimtarë. Ne e dinim se (dashuria për të) do t’i çonte ata në të keqe dhe mohim, dhe dëshiruam që Zoti i tyre, në vend të atij t’u jepte një më të mirë, më të pastër dhe më të mëshirshëm” (El-Kehf: 80)

Urtësia e vrasjes së djaloshit ishte se ekzistonte frika që prindërit prej dashurisë që ndjenin ndaj tij, të ndikohen prej tij dhe t’i çonte ata në të keqe dhe mohim. Allahu prej mëshirës së Tij dëshironte t’ua zëvendësojë atë djalosh i cili nuk i respektonte ligjet e Allahut, nuk i respektonte prindërit dhe lidhjet familjare, me një fëmijë më të mirë në fe dhe moral.

Ndërsa: “Sa i përket murit, ai u takonte dy djelmoshave jetimë në qytet dhe, nën të gjendej një thesar i tyre. Babai i tyre kishte qenë njeri i mirë, prandaj Zoti yt dëshiroi që ata të arrinin moshën e pjekurisë e ta nxirrnin thesarin e tyre, si mëshirë nga Zoti yt” (El-Kehf: 81-82)

Ky është argument i qartë se njeriu kur është i mirë me Allahun, përfiton ai vet dhe përfitojnë pasardhësit e tij. Po ashtu është argument se jetimët janë nën mbrojtjen e Allahut dhe Ai i mbron prej skamjes dhe vështirësive të jetës. Prandaj, mos të frikohet njeri se në rast se vdes fëmijët e tij do të vuajnë prej skamjes dhe varfërisë, se për to do të kujdeset Allahu, azze ue xhel.

Në fund Hidri i thotë Musait: “Unë këtë nuk e kam bërë sipas gjykimit tim. Ky është shpjegimi i asaj, për të cilën ti s’munde të duroje!” (El-Kehf: 82)

Pra, të gjitha ato çka i veprova nuk kanë qenë prej mendjes sime, por urdhëresa nga ana e Allahut që ti, o Musa, të marrish mësim dhe të bëhesh më i durueshëm.

Hidri a ishte njeri i mirë (velij) apo lajmëtar (nebij) prej anës së Allahut?

Dijetarët rreth kësaj çështjeje janë ndarë në mendime:

Mendimi i parë: Hidri është njeri i mirë, e jo lajmëtar. Ky është mendimi i dijetarit Abdurrahman es Sadit, Allahu e mëshiroftë, pastaj mendimi i Shejh Uthejminit dhe disa të tjerëve.

Shejh Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Citatet aludojnë se Hidri nuk ishte as lajmëtar e as i dërguar, mirëpo ishte njeri i mirë, të cilit Allahu ia kishte dhënë disa mrekulli që t’i tregojë Musait se ai nuk ishte më i dituri në tokë. Argument për këtë është ajeti: “dhe gjetën një prej robërve Tanë” .

Abdurrahman es Sadi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Hidri nuk ishte as lajmëtar e as i dërguar, mirëpo ishte njeri mirë të cilin Allahu e kishte frymëzuar dhe ia kishte dhuruar disa mrekulli dhe dituri të posaçme që t’i tregon Musait se ai nuk është njeriu më i mençur” .

Mendimi i dytë: Hidri është lajmëtar, e jo vetëm njeri i mirë. Ky është mendimi i ibën Kethirit, Muhamed el Emin esh Shenkiti, dhe shumë dijetarëve të tjerë.

Argumentet e tyre janë:

1- Fjala e Allahut azze ue xhel: “dhe gjetën një prej robërve Tanë, të cilit i patëm dhuruar mëshirë prej Nesh dhe i kishim mësuar nga ana Jonë dije” (El-Kehf: 65)

Muhamed el Emin esh Shenkiti, Allahu e mëshiroftë, thotë se fjala mëshirë e cila ka ardhur në këtë ajet, përsëritet përdorimi i saj në Kur’an si profeci. Shembull e kemi në suren Zuhruf:Sikur t’i kishte zbritur ky Kur’an ndonjë njeriu të madh prej njërit nga këto dy qytete. Vallë, a mos janë ata që e ndajnë mëshirën (profecinë) e Zotit tënd?” (Ez-Zuhruf: 31-32)

2- Fjala e Allahut azze ue xhel: Musai i tha atij: “A mund të të pasoj ty, që të më mësosh edhe mua diçka prej diturisë së drejtë që të është dhënë ty? Ai u përgjigj: “Ti nuk mund të durosh dot me mua! E si mund të durosh (pa pyetur) para diçkaje për të cilën nuk di asgjë”? (Musai) tha: “Do të më gjesh të durueshëm, në dashtë Allahu e nuk do të të kundërshtoj për asgjë.” (Hidri) i tha: “Nëse vjen pas meje, mos më pyet për asgjë, derisa të ta shpjegoj unë!” (El-Kehf: 66-70)

Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë se po të kishte qenë Hidri velij nuk do t’i fliste Musai me këtë gjuhë dhe nuk do të kërkonte udhëtim me të që të merr mësim.

3- Mbytja e djaloshit nga ana e Hidrit, alejhi selam, nuk ishte përveç se me urdhër të Allahut dhe me shpalljen e Tij. Velijit nuk i takon të vepron kësisoj vepra për shkak se nuk ka mbrojtje nga ana e Allahut, kurse lajmëtarit i vjen shpallja dhe ka mbrojtje.

4- Komenti i ngjarjeve dhe se ajo nuk ishte me vet dëshirën e Hidrit, alejhi selam, por me urdhrin e Allahut: Unë këtë nuk e kam bërë sipas gjykimit tim” (El-Kehf: 82)

A është ende gjallë Hidri, alejhi selam?

Pretenduan disa prej dijetarëve sikur imam Kurtubiu, imam Neveviu, ibën Salahi dhe disa të tjerë se Hidri, alejhi selam, është ende gjallë për shkak se ka pirë ujë prej burimit të Jetës, dhe se takohet me Iljasin, alejhi selam, për çdo vit në Qabe.

Pretendimet e këtij grupi dijetarësh i kundërshton shumica e dijetarëve dhe thonë se ky pretendim është i pabazë, këtë s’e pranon as feja, as logjika dhe as tradita. Të gjitha hadithet me çka argumentohen janë të dobëta, të shpikura ose janë prej Israilijatëve. Po të kishte qenë Hidri, alejhi selam, gjallë do të detyronte të takohet me Pejgamberin, salallahu alejhi ue selem, dhe ta pasojë atë, për shkak se askujt nuk i takon të del prej sheriatit të Muhamedit, salallahu alejhi ue selem, i cili është dërguar për krejt njerëzimin e jo vetëm për një popull.

Pra, mendimi i atyre dijetarëve me të vërtetë është i çuditshëm dhe po ashtu i rrezikshëm, se disa prej grupeve të devijuar do ta marrin si argument që t’i argumentojnë bindjet e tyre të kota.

A ka dalë Hidri, alejhi selam, prej sheriatit të Musait, alejhi selam?

Disa grupe të devijuara si sufitë dhe ata që i pasojnë besimet e tyre, pretendojnë se lejohet me dal prej sheriatit të Muhamedit, salallahu alejhi ue selem, ashtu si ka dal Hidri prej sheriatit të Musait. Ata thonë se dispozitat vlejnë për pejgamberët dhe njerëzit e thjeshtë, ndërsa evlijat dhe njerëzit e posaçëm nuk kanë nevojë për ato dispozita. Ata thonë se duhet gjykuar me atë që iu frymëzohet atyre në zemra nga ana e Allahut, ashtu si u frymëzua Hidri dhe veproi në kundërshtim me ligjet e Musait.

Ibën Tejmijje, Allahu e mëshiroftë, thotë se: “Këto thënie janë injoranca dhe devijime të mëdha, bile janë prej llojit më të madh të nifakut, kufrit dhe mohimit. Dihet qartë se Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, është dërguar për mbarë njerëzimin, arabët dhe joarabët, për njerëzit dhe xhinët, për mbretërit dhe asketët, për dijetarët dhe njerëzit e thjeshtë dhe se porosia e tij është e vlefshme deri në Ditën e Gjykimit dhe askush nuk lejohet që të del jashtë ligjit të tij, salallahu alejhi ue selem.

Ata të cilët argumentohen me tregimin e Hidrit, duhet ta dinë se Musai nuk ka qenë i dërguar te Hidri dhe as Hidri nuk ka qenë te Musai. Këtë e dëshmon hadithi i saktë ku Hidri i thotë Musait: “O Musa, unë kam dituri që ti nuk duhet ta mësosh dhe ti ke dituri që unë nuk duhet që ta mësoj”. Musai, alejhi selam, ka qenë i dërguar te një popull, ndërsa Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, është dërguar për nbarë njerëzimin dhe me dërgimin e tij është plotësuar feja dhe se nuk pas tij të dërguar tjetër, prandaj nuk i lejohet askujt të dal prej sheriatit të tij dhe kush e pretendon këtë është qafir me pajtimin e gjithë muslimanëve”.

Ibën Kajimi, Allahu mëshiroftë, thotë se ai i cili e pretendon këtë besim del prej Islamit tërësisht. Ai nuk prej evliave të Allahut, por prej evliave të shejtanit.

Hidri, alejhi selam, i tha Musait se të gjitha veprat i ka vepruar sipas urdhrave të Allahut. A munden të dalin dijetarët e sufive dhe të thonë Allahu na ka urdhëruar të veprojmë diçka çka është e ndaluar në ligjin e Tij?

Si t’i kishte thënë Hidri Musait, alejhi selam, se unë kam dituri që ti nuk duhet ta mësosh dhe ti ke dituri që unë nuk duhet që ta mësoj, kjo konsiderohet dalje prej sheriatit të Musait, kjo nuk i lejohet që ta thotë në sheriatin e Muhamedit, salallahu alejhi ue selem, për shkak se Allahu, azze ue xhel, thotë: “Sot jua përsosa fenë tuaj” (El-Maide: 3)

Shihet qartë se sufitë kuptimin e tregimit të Hidrit me Musain, alejhima selam, e kanë kuptuar gabimisht dhe se realiteti është krejt diçka tjetër. Disa prej tyre i shfrytëzojnë këto argumente t’i mbulojnë mëkatet e tyre dhe epshet e tyre dhe t’i fitojnë kënaqësitë e kësaj bote. Mirëpo duhet ta dinë se në rast se nuk pendohen prej këtij besimi të kotë, dënimi i tij është Xhehenemi i përhershëm.

Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, i përcjell fjalët e Ebu Abasit, Allahu e mëshiroftë, i cili thotë se ai që e ka këtë besim është qafir dhe nuk kërkohet prej tij pendimi, por vritet për shkak se kjo është mohim i asaj që e di çdo njeri se është në kundërshtim me fenë e Allahut azze ue xhel.

Përgatiti dhe përktheu:

Irfan Jahiu