Në qytetin Herat të Afganistanit mbërritën me “trenin e bamirësisë” ndihmat humanitare që u siguruan me mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile në Turqi nën koordinimin e Agjencisë për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD), raporton Anadolu Agency (AA).
Produktet e ndihmës që mbërritën në Afganistan me “trenin e bamirësisë” u shpërndanë fillimisht për 300 familje në nevojë pas procesit të klasifikimit.
Ndihmat që u shpërndanë për 300 familjet në nevojë në ambientet e një shkolle në qendër të qytetit Herat, mësohet se përfshijnë pako me ushqime të ndryshme si 25 kg miell, 25 kg bishtajore, sheqer dhe vaj, veshje të ndryshme, këpucë dhe dy batanije.
– Ndihmat do dërgohen nëpër rajone
Burhan Aslan, kreu i Grupit të Ndihmës Humanitare Ndërkombëtare të AFAD, në një deklaratë për AA tha se ndihmat do të shpërndahen në 34 rajone të vendit.
Ai falënderoi organizatat e shoqërisë civile që kontribuan për “trenin e bamirësisë” dhe theksoi se “Shpërndarjen në rajonin Herat duhet ta realizojmë duke u organizuar bashkë me të gjitha institucionet tona. Shpresojmë që të gjithë së bashku të sigurojmë dërgimin e ndihmave për njerëzit në nevojë duke filluar menjëherë që nga sot”.
Më tej Aslan bëri të ditur se po tregojnë përpjekje intensive që të shpërndajnë me shpejtësi për familjet afgane në nevojë edhe rreth 1.000 tonë ndihmat me trenin e dytë të bamirësisë i cili do të mbërrijë në Afganistan në fund të muajit shkurt.
Kreu i Gjysmëhënës së Kuqe të Afganistanit, Mevlevi Feyzulrahman Feyyaz ka shprehur falënderimet për organizatat që kanë siguruar ndihmat.
“Në sytë e popullit afgan, Turqia ka qenë gjithmonë një ‘burim shprese’. Falënderoj popullin dhe qeverinë e Turqisë të cilët janë kujdesur gjithmonë për popullin afgan, veçanërisht në periudhat kur ai ka pasur nevojë për ndihma humanitare”, tha Feyyaz.
“Përmasat e varfërisë që po përjeton populli afgan janë të mëdha”, nënvizoi Feyyaz duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për ndihma humanitare.
– Afganët falënderime për Turqinë
Server Muhammedgul, banor nga Herati tha se punon si punëtor dhe se nuk mund të sigurojë jetesën për familjen e tij.
Muhammedgul i cili është në moshën 60-vjeçare dhe baba i 8 fëmijëve tha: “Jam shumë i lumtur për shkak të ndihmave. Nuk kam asgjë. Unë jam punëtor, por nuk ka as punë”.
Ndërsa 46-vjeçari Ferid Ahmed Nuri tha: “Jam i kënaqur. Falënderoj vendin mik Turqinë. Ne si popull afgan jemi fatkeq. Na kanë ndihmuar”.
Treni me ndihma i emërtuar “Treni i bamirësisë” që transportoi 750 tonë ndihma humanitare u nis nga Ankaraja drejt Afganistanit më 27 janar. Me 7 shkurt treni mbërriti në pikën kufitare Turgundi në Turkmenistan dhe më pas hyri në Afganistan.
Produktet e ndihmës parashikohet që të paketohen, të përgatiten në Herat dhe më pas të shpërndahen për familjet në nevojë në 34 rajonet e vendit me bashkëpunimin e ambasadës së Turqisë në Kabul, AFAD-it, Gjysmëhënës së Kuqe Turke dhe Gjysmëhënës së Kuqe Afgane.
Ndihmat kanë një llojshmëri të gjerë si ushqime, veshje dimërore, pajisje mjekësore, karrige me rrota, lodra dhe pajisje shëndetësore.