unnamed-file-1

TRI GJËRAT QË E PËRCJELLIN TË VDEKURIN!

Enes ibën Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Të vdekurin e përcjellin tri gjëra: familja e tij, pasuria e tij dhe veprat e tij. Dy kthehen kurse një mbetet me të. Kthehet familja dhe pasuria e tij, kurse me të mbesin veprat e tij”.

Nga hadithi nënkuptojmë se, i biri i Ademit në dynja patjetër të ketë familje që e shoqëron dhe me të jeton dhe të posedojë pasuri me të cilën mbijeton! Këta dy shoqërues të tij, do të vijë dita kur do të ndahen nga ai dhe ai do të ndahet nga ata!

I lumtur dhe i mençur, është ai që e merr familjen dhe pasurinë, si mjet që e ndihmojnë për ta arritur kënaqësinë e Allahut dhe përmendjen e Tij! Nga pasuria e tij, e merr atë që është e nevojshme për dynjanë dhe ahiretin e tij, e marton një grua të ndershme që i ndihmon në besimin dhe fenë e tij! Kurse atë, që familja dhe pasuria e tij bien shkak për ta larguar nga përmendja e Allahut dhe nga feja e Tij, ai është i humbur në dynja dhe ahiret!

Allahu i Madhëruar tha: “O besimtarë, mos lejoni që pasuria dhe fëmijët tuaj t’ju largojnë nga të përmendurit e Allahut. Ata që e bëjnë këtë, do të humbin”. (El-Munafikun: 9)

Dhe tha: “As pasuria juaj, as fëmijët tuaj nuk do t’ju afrojnë më shumë te Ne, por vetëm ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira (e meritojnë këtë)”. (Sebe’: 37)

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “O i biri i Ademit! Jeto sa të duash se ti do të vdesësh, duaje kënd të duash se do të ndahesh nga ai, vepro çfarë të duash se do t’i takosh veprat e tua dhe bën çfarë të duash. Si vepron ashtu do të veprohet me ty”.

Kur i biri i Ademit ndërron jetë dhe transferohet nga kjo botë në botën tjetër, familja dhe pasuria e tij nuk i bëjnë fare dobi, përveç se me lutje dhe me istigfar, dhe i bën dobi ajo që e ka dhënë nga pasuria si lëmoshë apo e jep familja si lëmoshë për të pas vdekjes së tij!!

Allahu i Madhëruar thotë: “në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!”. (Esh-Shuara: 88-89); (Allahu do t’u thotë): “Tashmë na vini veç e veç, ashtu siç ju krijuam herën e parë, duke lënë pas vetes ato që ju patëm dhuruar”. (El-En’am: 94)

Pra njeriu do të ringjallet i vetëm, pa familjen dhe pasurinë e tij, do të ringjallet i këmbëzbathur, i pa bërë synet, lakuriq, në një ditë ku gjatësia e saj është pesëdhjetëmijë vjet, në këmbë duke pritur për të dhënë llogari, derisa të vendoset për të, në Xhenet apo në Xhehenem! Atë ditë do t’i bëj dobi vetëm se zemra e tij e pastër, e cila e ka adhuruar vetëm se Allahun dhe e ka pasuar Pejgamberin e Tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Zemër e cila nuk i ka bërë shirk Allahut, zemër e cila nuk e ka miqësuar askënd përveç Allahut, zemër e cila i ka besuar asaj me çfarë ka ardhur Muhamedi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe e ka pasuar traditën e tij, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, zemër e cila i ka rënë në sexhde Allahut dhe e ka dhanë pasurinë në rrugë të Tij, etj.

Kurse, ata që pretendojnë se zemrat e tyre i kanë të bardha, a në fakt ata as në sexhde nuk i bien Allahun dhe e ngrenë zërin se janë më të mirë sesa ata që janë të kapur për fenë e Allahut, a në fakt ata nuk munden të krahasohen me besimtarët dhe flasin se të bësh mirë dhe të jesh zemërmirë, pa e praktikuar fenë e Allahut duke i respektuar ligjet dhe urdhëresat e Tij dhe duke u larguar nga ajo që e ndaloi Ai, hyn në Xhenet, ata në fakt zemrat i kanë të zeza, si katrani, dhe ata janë në një humbje të thellë dhe shejtani tallet fort me ta!

Nganjëherë ka mundësi që familja të mos jetë e dobishme për të vdekurin, po të jenë shokët e tij!

E përmendi një njeri i ndershëm dhe tha: S’ka më mirë se shoku i ndershëm! Familja jote janë të preokupuar me ndarjen e trashëgimisë tënde, kurse ai, është vetmuar nga pikëllimi dhe malli për ty, dhe lutet për ty, duke qenë ti nën tokë!!

Nga familja ka që janë edhe armiq, ashtu siç e cek edhe Allahu: “O besimtarë! Në të vërtetë, ju keni armiq në radhët e grave tuaja dhe të fëmijëve tuaj, andaj ruajuni prej tyre!” (Et-Tegabun: 14)

Qëllimi i armiqësisë në ajet është se, familja dhe dashuria ndaj tyre ka mundësi të bien shkak e të largohesh nga feja e Allahut dhe ta humbsh dynjanë dhe ahiretin, e ata të jenë argument kundër teje e jo për ty, në dynja dhe ahiret!

Familja, pra, është një nga tre shoqëruesit; e cila shkon me shokun e vet deri te varri, kthehet prapë dhe shokun e le të vetëm!

Kurse shoqëruesi i dytë, pasuria, e përcjell shokun e vet deri te varri dhe nuk hy me të, por kthehet prapë dhe e le shokun të vetëm!

Kurse atë që njeriu e le nga pasuria pas tij, ajo i mbetet trashëgimtarëve e jo atij, ajo në fakt ka qenë e deponuar dhe ruajtur për trashëgimtarët e jo për të!

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “I biri i Ademit thotë: Pasuria ime, pasuria ime! Tha: O i biri i Ademit! Çfarë të ka ngelur nga pasuria jote përveç se asaj që ke ngrënë dhe ka mbaruar, apo që e ke veshur dhe është vjetërsuar, apo e ke shpenzuar dhe që ka kaluar!”

Njeriu, pra, nuk përfiton nga pasuria, përveç se atë që e ka dhënë si lëmoshë për veten, dhe e ka shpenzuar në rrugë të Allahut.

Kurse atë që e ka shpenzuar në haram dhe gjynahe, ajo do të jetë argument kundër tij, si ai që e ka shpenzuar në alkool, në muzikë, në bixhoz, në imoralitet apo ka ndihmuar të përhapet e liga në shoqëri dhe të përhapet kufri, apo të sulmohet Islami dhe muslimanët në mënyrë direkte apo indirekte, etj.

Po ashtu ai që nuk e jep hakun e Allahut, pra zeqatin, pasuria e tij do t’i shndërrohet në gjarpër helmues dhe do ta lidh, ashtu siç edhe paralajmëroi i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe tha: “Kujt Allahu i jep pasuri dhe nuk e nxjerr zeqatin e asaj pasurie, ajo do t’i shndërrohet në Ditën e Kiametit, në gjarpër helmues me dy njolla të zeza, ia rrethon qafën në Ditën e Kiametit dhe ia kafshon faqet dhe i thotë: Unë jam pasuria jote, unë jam thesari yt; e pastaj i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e lexoi ajetin: “Ata që bëhen koprracë me të mirat që ua ka dhënë Allahu, kurrsesi të mos mendojnë se kështu është më mirë për ta! Jo, kjo është më keq për ata! Ajo që kanë grumbulluar do t’u ngarkohet atyre në qafë Ditën e Kiametit”. (Ali Imran: 180)

Nëse thesaret e tij janë ari e argjend, ato do t’i shndërrohen në pllaka, të cilat do të fërgohen në prush të Xhehenemit dhe me to do t’i lyhen e damkosen balli, anët dhe shpina e tij. Dhe kur ato do të ftohen, përsëri do të vendosen në prush dhe prapë do të dënohet në të njëjtat organe, dhe kjo, në një ditë ku gjatësia e saj është pesëdhjetëmijë vite, derisa të llogaritet se vendbanimi i tij i përhershëm do të jetë Xheneti apo Xhehenemi!

Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë! Në të vërtetë, shumë priftërinj dhe murgj përlajnë pasurinë e njerëzve pa të drejtë dhe i largojnë ata nga rruga e Allahut. Ata që grumbullojnë ar dhe argjend dhe nuk e shpenzojnë për hir të Allahut, paralajmëroji me dënim të dhembshëm. Do të vijë dita, kur (thesaret e mbledhura) do të digjen në zjarrin e Xhehenemit dhe me to do të damkoset balli, anët dhe shpina e tyre e do t’u thuhet: “Kjo është ajo që keni grumbullua për veten; pra, shijoni atë që grumbulluat!” (Et-Teube 34-35)

I mençur është ai që jep nga pasuria, të cilën e do fort dhe nëpërmjet saj fiton në dynja dhe në ahiret! Ai që e do një gjë shumë, do që ta merr me vete, ta shoqërojë dhe mos t’ia lë tjetrit, e të ndjen keqardhje atë ditë kur nuk i bën dobi keqardhja e as pendimi!

U pyet një dijetar se pse e urrejmë vdekjen?! U përgjigj: Pasurinë tuaj e kenë vendosur para syve tuaja dhe ju e urreni të ndaheni nga ajo. Por nëse e jep për ahiretin tënd, do të përmallohesh për ta takuar atje!

I thanë njërit se, filani ka tubuar shumë pasuri! U tha: A ka tubuar ditë për ta shpenzuar atë pasuri?! I thanë: Jo! Tha: Atëherë, s’paska tubuar asgjë!!

Shoqëruesi i tretë i njeriut deri te varri është vepra! Ky mik i tij do ta përcjell deri te varri, dhe në krahasim me ata dy shokët e tij të mëhershëm, ky do të hyjë me të në varr!

Vepra do të jetë me të në varr dhe vepra do të jetë shtrati i tij, jastëku i tij, mbulesa e tij dhe drita e tij në varr! Vepra do të jetë me të kur do të ringjallet, vepra do të jetë me të kur do të qëndron në këmbë për llogari, vepra do të jetë me të në urën e Siratit, vepra do të jetë me të tek peshorja dhe vepra do të jetë ajo që do t’ia përcaktojë vendbanimin e tij të përhershëm, në Xhenet apo Xhehenem!

Allahu i Madhëruar thotë: “Kush bën mirë, e bën për dobi të vet, e kush punon keq, punon në dëm të vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve të Tij”. (Fusilet: 46); “Ata që nuk kanë besuar, do të mbajnë pasojat e mohimit, kurse ata që kanë bërë vepra të mira, i kanë përgatitur vetes (të mira)”. (Er-Rum: 44)

Lukmani i Urti i tha të birit: O biri im, çdo njeri i ka nga dy shtëpi, një që është e padukshme dhe një që duket! Mos të të mashtrojë ajo shtëpi që e sheh dhe që jeta në të është e shkurtër, nga shtëpia që nuk shihet dhe që jeta në të është e përhershme!

Disa nga të parit tanë thanë: Puno për dynja aq sa do të qëndrosh në të, dhe puno për ahiret aq sa do të qëndrosh në të!

Othman ibën el As, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte në varreza ku prezantoi në varrimin e një xhenaze, me të ishte një i ri nga të afërmit e tij, i cili, i neglizhonte disa gjëra nga feja e Allahut! Othmani i tha: Shikoje shtëpinë tënde! I riu e uli kokën dh e shikoi varrin, dhe Othmani i tha: Çfarë po sheh?! U përgjigj: E shoh një shtëpi të ngushtë, të errët, në të nuk ka as ushqim, e as pije, e as grua. Unë para se të vija këtu e lash në shtëpi gruan dhe ushqimin dhe pijen? Othmani i tha: Pasha Allahun, kjo është shtëpia jote! I riu tha: E thave të vërtetën, dhe pasha Allahun, kur të kthehen në shtëpi, do të vijë dita kur do të transferohen prej asaj shtëpie në këtë shtëpi!!

Vepra pra, është shoqëruesi i njeriut në varr, dhe është shkaku kryesor i begatimit të tij në varr ose i dënimit të tij në varr. Përcillet në një hadith se, vepra e mirë i vjen pronarit të saj në varr në formën e një burri, me rroba të bardha, fytyrë të bukur dhe parfum të mirë, i cili i thotë: “Gëzohu për atë që do të shohin sytë. Gëzohu për kënaqësinë e Zotit, Xhenetin që ka të mira të pashtershme. Kjo është dita jote e cila të është premtuar”. I vdekuri e pyet: “Po ti, kush je, pasi nga fytyra ngjan sikur je njeri i mirë?”. I përgjigjet: “Unë jam puna jote e mirë. Për Zotin, nuk të kam njohur veçse i shpejtë në bindje të Zotit, i ngadalshëm për të vepruar gjynahe. Zoti të shpërbleu me të mira për këtë”. Ndërsa vepra e keqe i vjen pronarit të saj në varr në formën e një burri me rroba të zeza, me erë të keqe dhe me fytyrë të shëmtuar, i cili i thotë: “Të përgëzoj me diçka rrëqethëse! Kjo është dita jote që të është premtuar”. I vdekuri e pyet: “Po ti që paralajmëron të keqen, kush je? Fytyra jote qenka simbol i të keqes”. Ai i përgjigjet: “Unë jam puna jote e poshtër. Ajo që di rreth teje, është se ke qenë i ngadalshëm në kryerjen e detyrave ndaj Zotit dhe i shpejtë për të vepruar gjynahe që zemëronin Zotin. Prandaj Zoti të shpërbleu me sherr”.

Përgatiti dhe përktheu:  Irfan JAHIU