Një ëmbëlsirë klasike e lehtë, shumë e dashur për shqiptarët, gosti fisnike për miqtë, fantastike për festat është Trileçe.
Është një ëmbëlsirë plot finesë, e thjeshtë në përgatitje dhe me pak përbërës por shija e saj është unike. Aq sa vështirë se mund t’i rezistosh.
Si të përgatisim Trileçen në shtëpi
Përbërësit
1 l qumësht
500 ml krem qumështi (krem pana)
10 kokrra vezë
10 lugë gjellë sheqer
10 lugë miell
350 qumësht i kondesuar (qumësht panda)
300 ml karamel (gjeni në supermarkete)
Përgatitja e pandispanjës
Në një enë hedhim vetëm të bardhat e vezëve dhe të verdhat i lëmë në një enë tjetër mënjanë.
Hedhim sheqerin në enën ku kemi të bardhat e vezëve dhe i rrahim derisa masa të bëhet e njëtrajtshme dhe e trashë.
Më pas, rrahim të verdhat e vezëve dhe i shtojmë tek masa e përgatitur me të bardhat e vezëve dhe sheqerin.
I përzjejmë derisa të njëtrajtësohen.
Më pas, shtojmë gradualisht miellin dhe njëkohësisht e trazojmë masën pa ndërprerje me qëllim që volumi i masës të jetë i njëjtë.
Ngrohim furrën në temperaturën 250 gradë.
Përmes një furçe kuzhine lyejmë me pak vaj tavën dhe hedhim në të masën e përgatitur dhe e lëmë të piqet në këtë temperaturë për 5 minuta, më pas gradën e nxehjes e ulim në nivelin 150.
E lëmë të piqet edhe për 10 minuta të tjera.
Përgatitja e Qumështit
Hedhim qumështin e kondesuar në një enë bashkë me qumështin e lëngshëm.
I përzjejmë derisa qumështi i kondesuar të tretet plotësisht.
Më pas shtojmë kremin e qumështit (pana). I përzjejmë mirë që të jenë një masë.
Heqim kekun ose pandispanjën nga furra. Pasi të jetë ftohur i presim në formë katrorë dhe hedhim përsipër masën e qumështit.
E lëmë derisa pandispanja të përthithë qumështin plotësisht.
Në fund, u hedhim sipër karamelin e lëngshëm.