Triumfi i mediokërve!

Ajo çka të bën përshtypje nga fakti se nga kush udhëhiqen disa vende të zhvilluara dhe vende të prapambetura, është dallimi i thellë mes vlerësimit të madh të njerëzve të ditur dhe novator, në ato të zhvilluara dhe injorimi i tyre në ato të pazhvilluara. Çdo komb dhe racë njerëzore ka mjaftueshëm njerëz të zgjuar dhe të mençur, ndaj në këtë drejtim të gjithë bijtë e Ademit kanë të njëjtat aftësi për të qeverisur në të njëjtin nivel. Por jetojmë në kohët e fundit, kohë në të cilat për disa kombe dhe popuj do të ndodhin përmbysje vlerash dhe vlerësimi, ashtu siç jemi paralajmëruar nga profetësitë për këtë gjë. Pyetja që lind vetvetiu në këtë linjë logjike është se, si është e mundur që mediokrit të sundojnë mbi inteligjentët? Dhe përgjigja, sipas mendimit tim modest është: suksesi i mediokërve për të marrë dhe mbajtur pushtetin me anë të intrigave. Ndoshta e vetmja gjë me të cilën triumfon një mediokër ndaj një inteligjenti është intriga. Duket e çuditshme ndoshta, por me të vërtetë meritojnë “medalje” për këtë aftësi të jashtëzakonshme, që për fat të mirë ose të keq shumica e inteligjentëve nuk e zotërojnë!

Justinian Topulli