Rtv Pendimi

Trump vs. Clinton dhe “elektorët e pabesë”

Pikërisht pas katër javësh, amerikanët do të votojnë për presidentin e ardhshëm të tyre. Ndërkohë që gara presidenciale po ashpërsohet çdo ditë e më tepër mes dy kandidatëve presidencialë, Trump-it dhe Clinton-it, reagime edhe më të ashpra kundër kandidatit republikan po shtohen çdo ditë e më shumë nga vetë radhët e republikanëve.

Deklaratat e tij shumë kontraverse e ksenofobike, dhe zbulimi i një videoincizimi ku Trump-i bën komente e cilësimeve shumë denigruese për gjininë femërore, e kanë shtuar edhe më shumë numrin e bashkëpartiakëve që e kundërshtojnë dhe nuk e duan më si kandidat të tyre për president. Zërat kundërshtues ndaj Trumpit, në mesin e të cilëve gjenden edhe shumë zyrtarë republikanë, madje edhe kongresmenë e guvernatorë, mund të ndikojnë në përsëritjen e aktivizimit të “elektorëve të pabesë” në mënyrë të organizuar nga vetë Partia Republikane.

Kush janë “elektorët e pabesë”?

Emërtimi i tillë i tyre duket shumë i vrazhdë, e për këtë arsye edhe shkruhen në thonjëza; në të vërtetë, elektorët, si pjesë e Kolegjit Elektoral, janë trupë me bazë kushtetuese, dhe konsiderohen si agjentë të lirë. Elektorët zakonisht nominohen nga konventat e partive të çdo shteti, ose nga komitetet e partive nëpër shtete. Në shumicën e shteteve, votuesit japin votën për listën e elektorëve të zotuar të njërës ose tjetrës parti për kandidatët presidencialë dhe zëvendëspresidencialë të zgjedhjes ose alternativës së tyre. Për arsye se kjo është dispozitë kushtetuese, votimi i vërtetë në zgjedhjet presidenciale në SHBA konsiderohet votimi i Kolegjit Elektoral. Kështu, në nëntor populli e delegon votën e tij te elektorët, që ata pastaj në dhjetor të bëjnë përzgjedhjen e presidentit dhe zv.presidentit. Zgjedhësit (elektorët) mblidhen në kryeqytetet e shteteve të tyre përkatëse dhe votojnë me fletë votimi për zgjedhjen e presidentit dhe zv.presidentit. Kur votojnë zgjedhësit, në fletët e votimit shënojnë emrin e personit që dëshirojnë ta zgjedhin president, e në një fletë tjetër votimi shënojnë emrin e personit që dëshirojnë ta zgjedhin zëvendëspresident. Votat e tyre pastaj dërgohen në Kongres, ku më 6 janar, kryetari i Senatit, në prani të dy dhomave të Kongresit, i  numëron votat.

Kushtetuta e SHBA-ve u garanton elektorëve lirinë e plotë gjatë përzgjedhjes së tyre, dhe nuk konsiderohet shkelje ligjore nëse ata votojnë ndryshe. Madje, nuk ekziston ndonjë ligj federal që parasheh dënimin e “zgjedhësve të pabesë”. Megjithëse 29 shtete dhe D.C.-ja (Distrikti i Kolumbisë) kanë një lloj kontrolli legal se si do të votojnë zgjedhësit në Kolegjin Elektoral. Kjo nënkupton se zgjedhësit e këtyre shteteve janë të kufizuar me ligje shtetërore që t’u pëmbahen premtimeve. Edhe pse dënimet për ata zgjedhës të pabesë janë shumë të vogla, simbolike, në disa shtete rreth 1.000 dollarë. Ndërsa 21 shtetet e tjera nuk kanë një lloj kontrolli dhe kufizimi të tillë. Por, për shkak se ata zotohen pranë partive të tyre për të votuar kandidatin respektiv dhe nuk e bëjnë këtë, atëherë quhen si të pabesë, sepse kanë tradhtuar zotimin e tyre partiak. Ndërsa juridikisht votimi i tyre konsiderohet si i lirë dhe i pavarur; për këtë nuk ndiqen penalisht nga ligjet federale.

Prej themelimit të Kolegjit Elektoral e deri në zgjedhjet e vitit 2004, numërohen 156 zgjedhës apo elektorë që e kanë ndryshuar votën në kundërshtim me zotimin e tyre, e për këtë quhen “faithless electors”, elektorë të pabesë. 71 prej tyre e ndryshuan votimin për kandidatin e zotuar për shkak të vdekjes së tij në ditën që duhej të votonin zgjedhësit, tre zgjedhës nuk kanë votuar fare, sepse kanë vendosur të abstenojnë, ndërsa 82 të tjerë kanë ndryshuar mendje me vetiniciativë, duke votuar për kandidatët e tjerë, dhe jo për ata për të cilët ishin zotuar se do t’i votonin.

Tani, a do të përsëritet viti 1837 edhe në këto zgjedhje të 2016-s, mbetet të shihet në fund të këtij procesi. Atëherë, më 1837, Van Bureni u zgjodh president me 170 vota elektorale nga gjithsej 294. Ndërsa bashkëgaruesi i tij për postin e zëvendëspresidentit, Riçard Xhonson, nga Kentaki, fitoi vetëm 147 vota elektorale, ose një votë më pak nga sa nevojitej për t’i fituar zgjedhjet. Kjo mospërputhje mes votave të dy bashkëgaruesve ndodhi kur zgjedhësit e Van Burenit nga Virgjinia e bojkotuan Xhonsonin, dhe kështu rasti kaloi në Senat, ashtu siç e parasheh kushtetuta. Senati përzgjodhi Xhonsonin si zëvendëspresident me 33 vota kundrejt 16 votave të Fransis Grangjërit (Francis Granger) nga Nju Jorku.

Ndoshta ideja e “elektorëve të pabesë” do të shfrytëzohej nga Partia Republikane si kërcënim që kandidati Trump të tërhiqej nga gara presidenciale dhe në vend të tij të vinte një kandidat tjetër, i nominuar nga e njëjta parti, për shembull Ted Cruz. Ky do të regjistrohej si rasti i parë që një kandidat tërhiqet nga gara presidenciale në këtë mënyrë, por të paktën do të shtonte mundësinë që republikanët t’i fitonin presidencialet më lehtë ndaj kandidates demokrate Clinton. A do të ndodhë ky rast i parë i këtij lloji, do të zbulohet në ditët në vazhdim. Sistemi zgjedhor në SHBA di edhe të na befasojë! /tesheshi.com/

Autori është magjistër i shkencave juridike, e njëherësh autor i librit, “Zgjedhjet Presidenciale në SHBA – në rrugën e kontinuitetit apo ndryshimit të këtij sistemi elektoral”

TË NGJAJSHME