thumbs_b_c_edc6ee83a2284530f496f809fa205074

Trupat e 50 palestinezëve të vrarë nga ushtria izraelite zbulohen në jug të Gazës

Administrata Palestineze e Mbrojtjes Civile në Rripin e Gazës ka bërë të ditur se trupat e 50 palestinezëve të vrarë nga ushtria izraelite janë zbuluar në një varr masiv në qytetin Khan Younis në jug të Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.

“Sot, ekipet tona në provincën Khan Younis zbuluan trupat e 50 martirëve nga grupmosha të ndryshme, të cilët u mblodhën nga forcat pushtuese dhe u varrosën kolektivisht në spitalin Nasser”, njoftoi Administrata Palestineze e Mbrojtjes Civile.

Më tej, theksohet se ka ende trupa në varreza masive dhe nën rrënoja, duke njoftuar se ekipet e mbrojtjes civile vazhdojnë përpjekjet e kërkimit dhe rikuperimit.

Më 7 prill, ushtria izraelite njoftoi tërheqjen e saj nga qyteti Khan Younis pas katër muajsh të një operacioni tokësor që synonte të marrë pengjet izraelite të mbajtur nga grupi i rezistencës palestineze Hamas, por ajo doli nga qyteti pa arritur objektivat e saj.

Operacioni izraelit la dëme të shumta në rrugë, shtëpi dhe infrastrukturë.

Palestinezët në Khan Younis ishin evakuuar gjatë operacionit tokësor në zonat afër qytetit Rafah dhe zonat qendrore në Deir al-Balah, ku kërkuan strehim në tenda dhe qendra zhvendosjeje si shkolla dhe spitale.

Duke shpërfillur vendimin e përkohshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Izraeli vazhdon sulmet në Gaza, ku që nga 7 tetori të paktën 34.049 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe 76.901 të tjerë janë plagosur.

Sulmi izraelit ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Armiqësitë kanë vazhduar në mënyrë të pandërprerë, megjithatë edhe dërgesat e ndihmave mbeten mjerisht të pamjaftueshme për të trajtuar katastrofën humanitare.