thumbs_b_c_aa8e85aad0753a58cc8f8c42699bfc54

Türkiye, pas 28 orësh nën rrënoja shpëtohet një nënë me 3 fëmijë

Një nënë dhe 3 fëmijët e saj u shpëtuan nga rrënojat 28 orë pas tërmetit shkatërrues që goditi dje pjesën jugore të Türkiye-s, raporton Anadolu.

Siç raporton gazetari i AA-së, në lagjen Nizip në Gaziantep, nëna Dona Ozkilic u shpëtua nga rrënojat e një ndërtese, me fëmijët e saj Abdulkadir, Beyza dhe Elif Ozkilic.

Të katër anëtarët e familjes Ozkilic kishin pësuar lëndime dhe u shtruan në spital.

Qytetarët po presin ende pranë objekteve të shkatërruara, për të marrë informacione për të afërmit e tyre të zhdukur.

Sipas të dhënave të fundit, të paktën 3.381 persona kanë humbur jetën ndërsa të paktën 20.426 janë lënduar nga tërmetet që goditën dje pjesët jugore të Türkiye-s. Në të njëjtën kohë, në operacionet e shpëtimit, në qendrat studentore dhe objekte të tjera janë përkujdesur 338 mijë persona.

Aktualisht, 11.022 ekipe shpëtimi janë në terren, ndërsa kërkimi për të mbijetuarit vazhdon.

Tërmeti me magnitudë 7.7 ballë sipas shkallës së Rihterit ka goditur mëngjesin e djeshëm pjesën jugore të Türkiye-s. Epiqendra e tërmetit është regjistruar në qarkun Pazarcik në Kahramanmaraş të Türkiye-s. Provincat Gaziantep, Sanliurfa, Diyarbakır, Adana, Adiyaman, Malatya, Osmaniye, Hatay dhe Kilis janë prekur rëndë nga tërmeti. Tërmeti është ndjerë edhe në Sirinë fqinje ndërsa lëkundjet e tokës janë ndjerë edhe në Irak, Liban, Egjipt dhe rajone të tjera.

Më vonë, dje në orën 13:24 sipas kohës lokale, një tërmet i ri me magnitudë 7.6 sipas Rihterit goditi qarkun Elbistan, i cili gjithashtu ndodhet në provincën Kahramanmaraş.

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan tha se vendi është tronditur nga fatkeqësia më e madhe që nga tërmeti i vitit 1939 në Erzincan.

Për shkak të tërmeteve shkatërruese, Türkiye ka shpallur shtatë ditë zie kombëtare.