thumbs_b_c_3e88c9b6e4dc09e5f47b9af8821540bf

Turqi, dixhitalizohet qyteti antik 2.300 vjeçar Bergama

Qyteti Antik 2.300 vjeçar Bergama, i cili është në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, është vendosur edhe në një platformë dixhitale ashtu siç ishte para 2.300 viteve, duke mundësuar që të vizitohet edhe nga interneti, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke kryer studime në qytetin antik Bergama me lejen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Instituti Gjerman i Arkeologjisë hartoi një sipërfaqe prej 12.5 kilometra katrorë në një platformë dixhitale.

Zbulimet e 30 viteve të fundit në rajon u vendosën në një hartë dhe shtuan informacione mbi të gjitha strukturat arkeologjike, ku u vunë në dispozicion për përdorim online.

Hartat në faqen e internetit të institutit u publikuan në gjuhën turke, gjermane dhe angleze.

Në hartë ka shumë pika të tilla si “Oborri i kuq”, “Banja perëndimore”, “Asclepion”, “Pallati”, “Kulla”, “Guri i kuriozitetit”, “Ura”, “Banja termike”, “Ndërtesa 12 dhomëshe”,”Varrezat”, si dhe shumë informacione tjera.

Drejtori i Institutit Arkeologjik Gjerman, Prof. Dr. Felix Pirson, për AA tha se studimet e reja shërbejnë si një sistem i informacionit gjeografik.

Duke theksuar se ka pasur mangësi në informacionet e dhëna të qytetit në vitet 1970, Pirson tha se ka pasur nevojë për t’i azhurnuar hartat që përshkruanin qytetin Bergama në shekullin e III para Krishtit.

Duke theksuar se kanë bashkëpunuar me Muzeun Bergama dhe Komunën Bergama gjatë procesit të hulumtimit, që është kryer me lejen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Pirson tha se në dixhitalizimin e hartave kanë punuar arkitektët, inxhinierët, arkeologët dhe ekspertët e informatikës.

“Keni mundësi të shihni shumë vende antike në hartë. Gjithashtu mund të integrohen informacione të reja. Ne kemi vendosur punën e 30 viteve të fundit. Arkeologët dhe turistët shohin vetëm Akropolin, ndërsa Bergama nuk përbëhet vetëm nga Akropoli, por është një qytet. Në periudhën helenistike qyteti u ndërtua në një kodër, por në periudhën romake ai arriti kufij shumë më të gjerë. Nuk kishte asnjë hulumtim mbi këtë temë, sepse këto pjesë nuk ishin treguar saktësisht në hartën e vjetër. Harta e re ka qenë gjithashtu befasuese edhe për mua. Ajo përmban shumë informacione dhe detaje. Na jep informacione shumë më të sakta. Ne e preferuam sistemin e hapur të të dhënave në hartën dixhitale. Ne i ndamë tiparet antike të qytetit Bergama me të gjithë botën. Ne duam që këto informacione të arrijnë tek një numër i madh njerëzish”, deklaroi ai.

Vazhdojnë hulumtimet mbi Ekonominë dhe Ekologjinë

Më tej, Pirson theksoi se janë duke punuar për të vendosur informacione të reja në hartat e qytetit.

Duke theksuar se kanë thelluar hulumtimet e tyre rreth Asclepion-it dhe se kanë analizuar të gjithë luginën Bakırçay, Pirson tha se, “Ne duam të shpjegojmë më mirë qytetin dhe lidhjet rreth tij. Nga erdhën gurët dhe metali… cilat burime janë përdorur… Ne bëjmë hulumtime edhe mbi ekonominë dhe ekologjinë. Ndërsa hartat dixhitale kanë një rëndësi të madhe për të treguar rezultatet e këtyre studimeve”.

Hartat dixhitale të qytetit Bergama janë në faqen e internetit të Institutit Arkeologjik Gjerman.