Ura “1915 Çanakkale” do të kontribuojë në zhvillimin e lidhjeve sociale midis Evropës, Azisë dhe Afrikës, duke përmirësuar njëkohësisht sektorët e tregtisë dhe turizmit, tha Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në ceremoninë e instalimit të pjesës së fundit të dyshemesë së urës masive, “projektit global të transportit që lidh Evropën, Azinë dhe Afrikën me njëra-tjetrën”, Erdoğan tha se kjo është ura e varur me pjesën e mesme më të gjatë në nivel global.
“Është një vepër vërtet e rëndësishme me projektimin, inxhinierinë, ndërtimin dhe njohuritë teknike që sjell në vend”, tha presidenti Erdoğan.
Erdoğan tha se ura, “e cila tashmë është bërë një nga simbolet” e Turqisë, është ndërtuar nga një ekip i madh prej 670 inxhinierësh, mbi 5.000 punëtorësh, 740 automjetesh ndërtimi dhe 106 nënkontraktorësh.
“Kryerja e ndërtimit të një projekti të tillë gjatë një periudhe të një prej krizave më serioze logjistike të historisë botërore është shumë kritike dhe e rëndësishme”, shtoi ai.
Është një periudhë e re në të cilën të gjitha aktivitetet e transportit, qoftë me rrugë tokësore, detare, hekurudhore apo ajrore, kalojnë përmes Turqisë, vuri në dukje Erdoğan.
Ura që do të lidhë Evropën dhe Azinë, sapo të përfundojë, do të ketë arkitekturë unike me ngjyrat, figurat dhe kullat e saj të kompletuara që ngjiten mbi 300 metra në të dy brigjet e Dardaneleve, një ngushticë në provincën e Çanakalasë midis Deti Egje në jug dhe Deti Marmara në veri.
E formësuar për të simbolizuar një predhë artilerie në shenjë nderimi për Betejën legjendare të Çanakalasë gjatë Luftës së Parë Botërore, shtyllat mbajtëse do të jenë 318 metra të larta, me një pjesë të mesme të dyshemesë prej 2.023 metrash, duke simbolizuar njëqindvjetorin e themelimit të Republikës së Turqisë.
Në shenjë nderimi ndaj flamurit turk, kullat do të jenë në të kuqe dhe të bardhë, ndërsa gjatësia totale e urës do të arrijë 4.608 metra.
Ajo do të jetë një nga kalimet më të rëndësishme në botë kur të përfundojë, me një hapje madhështore të planifikuar për më 18 mars 2022.