Një banor i fshatit në provincën turke Yozgat gjatë punimeve në arë ka gjetur një asht të fosilizuar të nofullës së mamuthit, i cili është e vjetër rreth 8 milionë vite, raporton Anadolu Agency (AA).
Drejtori i Muzeut në Yozgat, Hasan Senyurt, deklaroi se ekspertët kanë filluar të bëjnë analiza dhe të hulumtojnë fosilin të cilin fermeri lokal ua dorëzoi zyrtarëve të Muzeut.
Ai tha se në bazë të rezultateve paraprake të hulumtimit, kjo është një mbetje e ngurtësuar e ashtit të mamuthit i cili ka jetuar rreth 8 milionë vite më parë.
Duke shtuar se në këtë rajon të Turqisë edhe më parë janë gjetur disa mbetje fosile, Senyurt theksoa se kjo është hera e parë që të zbulohen mbetje të mamuthit apo të ndonjë lloji tjetër të elefantit.
“Yozgat është i njohur për zbulimin e fosilëve dhe për vite ekipi i Cem Erkman, profesorit të Universitetit Ahi Evran, kryen eksplorime të gjera në këtë temë”, thotë Senyurt.
Fermeri Alper Dusuncel, tha se fosilin e kishte gjetur gjatë punimit të arës dhe se menjëherë kishte vërejtur se bëhet fjalë për asht të ngurtësuar të nofullës.