Turqi, zbulohet vulë e vjetër 8 mijë vjet

Një vulë prej argjile që daton 8.000 vjet më parë, gjegjësisht nga Epoka e Bronzit, është zbuluar në perëndim të Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Vula rrethore në formë të diellit, me diametër shtatë centimetra, u gjet në zonën arkeologjike Yeşilova, zona më e vjetër e banuar në provincën e Izmirit.

Arkeologu Zafer Derin, i cili kryeson ekipin e gërmimit, tha për AA se vula është e rëndësishme, si për nga madhësia ashtu edhe për nga dizajni i saj.

“Ne gjetëm një nga vulat më të mëdha në Anadoll”, tha ai.

Derin tha se vula e madhe ishte tharë dhe e pjekur në diell dhe gjithashtu simbolizon diellin.

“Ne e dimë se personi që zotëronte këtë vulë ishte një administrator”, tha Derin.

Ai tha se qëllimi i vulës do të kuptohet më mirë pasi të shqyrtohet në detaje me ndihmën e mikroskopit.

Derin tha se dielli 8.000 vjet më parë ishte simbol i fuqisë, duke shtuar se zbulimi do të shkruhet në artikull shkencor në mënyrë që e gjithë bota të mësojë për këtë gjetje të rëndësishme.