Turqia dhe Pakistani diskutojnë për bashkëpunimin në fushën e shërbimit dhe arsimit fetar

Kreu i Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet), Ali Erbaş, i cili ndodhet në Pakistan në kuadër të një vizite zyrtare, diskutoi për bashkëpunimin mes Turqisë dhe Pakistanit në fushën e shërbimit dhe arsimit fetar me Noor-ul Haq Qadri, ministër i Shërbimeve Fetare dhe Harmonisë Ndërfetare të Pakistanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kryeqytetin Islamabad ndërmjet delegacioneve të Turqisë dhe Pakistanit u mbajt një takim në ministrinë e Shërbimeve Fetare dhe Harmonisë Ndërfetare të Pakistanit.

Erbaş, në një fjalim të mbajtur këtu foli për rëndësinë e bashkëpunimit që do të zhvillohet në fushën e shërbimit dhe arsimit fetar mes dy vendeve të fuqishme.

“Bashkëpunimi mes dy vendeve për dhënien e njohurive fetare të drejta dhe të vërteta si dhe për ofrimin e shërbimeve fetare efektive do të sjellë dobi të rëndësishme për Turqinë dhe Pakistanin”, deklaroi Erbaş i cili shtoi se kjo do të jetë një shembull i rëndësishëm edhe për vendet e tjera islame.

Ai tërhoqi vëmendjen se praktikat e gabuara të shfaqura për shkak të keqkuptimit të fesë, përbëjnë një rrezik për vendet Islame. “Ne si Turqi jemi të vetëdijshëm për këtë. Me shkollat e mesme medrese edhe me fakultetet e teologjisë si dhe me një përvojë afro 100-vjeçare të Kryesisë tonë të Çështjeve Fetare, ne po bëjmë një punë të rëndësishme në mënyrë që të mos u jepet mundësi zbatimeve dhe qasjeve të gabuara fetare”, tha Erbaş.

Sipas tij, xhamitë në Turqi janë të lidhura me Kryesinë e Çështjeve Fetare. “Nuk ka xhami ose mesxhide që të mos jenë të lidhura me kryesinë tonë. Të gjitha kurset e Kur’anit në Turqi janë të lidhura me Kryesinë tonë”, theksoi Erbaş.

Erbaş tha se të gjithë imamët, teologët dhe myftinjtë që punojnë në Kryesinë e Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet), janë të detyruar që të jenë të diplomuar nga shkollat e shtetit dhe se ky sistem sjell me vete një unitet të madh.

– Islami dhe muslimanët promovohen në mënyrë të gabuar

Ndërsa Noor-ul Haq Qadri, ministër i Shërbimeve Fetare dhe Harmonisë Ndërfetare të Pakistanit shprehu falënderimet dhe kënaqësinë për takimin me Erbaş-in.

Duke theksuar se Islami dhe muslimanët promovohen në mënyrë të gabuar në botë, Qadri tha se “Disa grupe e shohin Islamin si të rrezikshëm dhe si terrorizëm. Si dy institucione ne duhet të gjejmë zgjidhje në mënyrë të guximshme”.

Qadri potencoi se vizita e Erbaş-it në Pakistan është e rëndësishme. “Kjo vizitë e juaja është e dobishme për të dy vendet. Është gjithashtu një mesazh i rëndësishëm edhe për botën Islame”, tha ai.