“Turqia është shtyllë themelore për Evropën”

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Shefi i Çështjeve të BE-së i Turqisë, Ambasadori Faruk Kaymakcı, deklaroi se Turqia është një shtyllë themelore për Evropën, raporton Anadolu Agency (AA).

Kaymakcı, i cili mori pjesë në Forumin e Prespës për Dialog të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut më 1-2 korrik, u prononcua para mediave në lidhje me forumin dhe mesazhet që Turqia përcolli në forum.

Duke kujtuar se në Ohër erdhën dy javë pas Forumit të Diplomacisë në Antalya, Kaymakcı deklaroi se procesi i integrimit në Bashkimin Evropian (BE) i vendeve të Ballkanit u diskutua në kuadër të takimit.

Duke theksuar se disa nga vendet dhe qarqe përdorin shprehjen “Ballkani Perëndimor”, diplomati turk tha: “Turqia është gjithashtu një vend ballkanik. Megjithatë, në thelb nuk ekziston një koncept si Ballkani Perëndimor, Ballkani Lindor, Ballkani Jugor ose Verior. Më e saktë të flasësh për Evropën Juglindore. Prandaj, dëshira e sinqertë e Turqisë është që të gjitha vendet e Evropës Juglindore të integrohen me institucionet euro-atlantike. Turqia është një vend që stabilizon dhe zhvillon rajonin”.

Ai nënvizoi se Turqia është gjithashtu një vend që dëshiron të çojë përpara procesin e anëtarësimit në BE, duke shtuar se nuk duhet bërë dallim midis këtyre vendeve dhe pengesa në fillimin e procesit të negociatave për shkak të interesave individuale.

“Pengesat e tilla reduktojnë procesin e reformave të vendeve kandidate. Zvogëlojnë entuziazmin për reforma. Edhe BE-ja nuk i përqafon në nivel të nevojshëm vendet kandidate. Për këtë arsye, në hyjmë brenda një rrethi vicioz”, tha zëvendësshefi i diplomacisë turke.

Sipas tij, ato që duhet marrë parasysh janë interesat e përgjithshëm të Evropës dhe Bashkimit të madh Evropian.

“Në mënyrë që të krijojmë një Bashkim Evropian gjeopolitik, i cili përfshin shumë etni dhe shumë fe, në fusha nga siguria te mbrojtja, nga energjia te tregtia, nga turizmi te politika e jashtme, proceset e anëtarësimit të të gjitha vendeve kandidate duhet të përshpejtohen. Në fund të procesit, nëse ekziston një situatë në kundërshtim me interesat e përgjithshëm të Bashkimit Evropian, natyrisht që çdo vend mund të përdorë të drejtën e vetos. Megjithatë, vënia e vetos në fillim të procesit pengon dialogun dhe kjo shkakton mosbesim. Mosbesimi shkakton konflikte dhe e bën edhe më të vështirë zgjidhjen e shumë problemeve”, shtoi Kaymakcı.

Ai po ashtu theksoi nevojën që BE-ja të jetë konsistente në lidhje me çështjen e Qipros dhe të mbajë premtimet e dhëna qipriotëve turq.

Kaymakcı foli edhe në lidhje me mosnisjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke thënë se ky fakt ka bërë që entuziazmi në këto dy vende të zvogëlohet.

Ai tha se Turqia është shtyllë themelore për Evropën, duke porositur që kjo shtyllë duhet përdorur mirë.

“Turqia është një nga shtyllat më solide të trekëndëshit evropian. Ky fakt duhet vlerësuar mirë, sepse kjo do të jetë në interes të shtëpisë së përbashkët evropiane”, tha diplomati turk.