Turqia, Rusia dhe Irani nesër fillojnë bisedimet mbi Sirinë

Në një takim dy-ditor, Turqia, Rusia dhe Irani pritet të diskutojnë situatën në terren në Siri, procesin politik, si dhe përpjekjet për të hartuar një kushtetutë të re për vendin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vendet garantuese të procesit Astana nesër dhe pasnesër në Soçi të Rusisë do të takohen në raundin e 15-të të bisedimeve të paqes në Siri, pas dështimeve të fundit të Komitetit Sirian në muajin janar në Gjenevë.

Në fund të muajit janar, i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) për Sirinë, Geir Pedersen, e quajti takimin e janarit në Gjenevë “një zhgënjim”.

Duke folur për regjimin sirian që refuzon një kompromis të pranuar nga opozita siriane, Pedersen tha se “nuk mund të vazhdojë kështu”.

Rruga e komitetit pritet të jetë në qendër të bisedimeve të kësaj jave në Soçi.

Takimet e Komitetit Kushtetues Sirian, që filluan në tetor të vitit 2019 me 150 pjesëmarrës, janë hapi i parë konkret për të hartuar një kushtetutë të re për të përcaktuar të ardhmen e Sirisë.

Megjithëse caktimi i një date për bisedimet e ardhshme kushtetuese duket e vështirë, takimet në Soçi pritet të shohin përsëri diskutime të fuqishme drejt mbledhjes së komitetit.

Pedersen tha se ai do të marrë pjesë në bisedimet në Soçi nëse lejon pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19).

Procesi i paqes në Astana për t’i dhënë fund konfliktit sirian filloi në janar të vitit 2017 me iniciativën e Turqisë, Rusisë dhe Iranit.

Takimet e vendeve garantuese të procesit Astana po ashtu kontribuojnë në përparimin e procesit diplomatik të udhëhequr nga OKB-ja në Gjenevë.

Konflikti në Siri filloi në vitin 2011 kur regjimi i Bashar al-Assadit goditi protestat pro-demokratike.