U hap muzeu i Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve në Bubavec

Me vendim të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, është hapur sot muzeu i Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve në Bubavec – 32 vjet pas organizimit të asaj që njihej si “Kuvendi i Bubavecit”, ku shërbeu për pajtimin më shumë se 40 gjaqeve.

Imam të shumtë dhe veprimtarë të tjerë kontribuuan në pajtimin e ngatërresave të asaj kohe, me ç’rast në ditën e Bajramit të vitit 1990 ishte shtrirë dora e pajtimit, ku në krye të kësaj ngjarje ishte imami i fshatit, Xhevat Kryeziu.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, tha se hapja e këtij muzeut është e rëndësisë së veçantë, si asaj kombëtare ashtu edhe asaj historike, teksa veçoi rolin e imamit të fshatit. “Kjo ngjarje e sotshme është e veçante edhe për arsyen se po ndodh në një përvjetor të veçantë. Ai përkon me 32-vjetorin e fillimit të aksionit të madh për pajtimin e familjeve shqiptare në hasmëri, i cili aksion shumë shpejtë u shndërrua në një Lëvizje gjithëkombëtare, në dinamikën e së cilës u përfshinë të gjithë shqiptarët, duke u besatuar dhe duke i falur hasmëritë e ngatërresat dhe duke u pajtuar e duke u bashkuar gjithandej ku jetonin, brenda trojeve etnike dhe në mërgatë. Lëvizja për Pajtimin Gjaqeve pati sukses edhe për faktin se asaj i prinë njerëz të ndershëm e veprimtarë të shquar e të dëshmuar, duke filluar nga studentët, bota akademike dhe prijësit tonë fetarë, përmendja e të cilëve do të shkonte shumë gjatë dhe mundësia për të harruar ndonjë është shumë e madhe. Por më lejoni të konstatoj se kontributi i gjithë këtyre veprimtarëve e aktivistëve është i pamohueshëm, është historik. Kësaj Lëvizjeje iu bashkuan dhe i prinë edhe shumë hoxhallarë e ulema. Në mesin e tyre ndër të parët dhe më aktivët në këtë Lëvizje ishte padyshim edhe bashkëfshatari dhe imami juaj e kolegu i ynë, Mulla Xhevat efendi Kryeziu” – tha ndër të tjera Myftiu Tërnava.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, tha se me anë të këtij muzeu do të vendosën vlerat tona kombëtare dhe të pajtimit të gjaqeve.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe dom Lush Gjergji, i cili tha se me Kuvendin e Bubavecit u kuptua që urrejtja është armiku më i madh i popullit shqiptarë.

Më 26 prill të vitit 1990 në ditën e Bajramit në prezencë të mbi 20 mijë personave, në xhaminë e fshatit Bubavec u falën mbi 40 gjaqe dhe shumë ngatërresa të tjera.