Më datën 10 dhe 11 dhjetor 2020, Zyra Rajonale e UNICEF-it për Evropën dhe Azinë Qendrore (ECARO), së bashku me Këshillin Botëror të Kishave (WCC), Iniciativën e Përbashkët të Mësimit mbi Besimin & Komunitetet Lokale (JLI), Këshillin Evropian të Feve për Paqen, Islamic Relief Worldwide, World Vision, organizuan konferencën virtuale ndërfetare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve të prekur nga migrimi.
Konferenca dy ditore synoi që të forconte partneritetin me organizatat të bazuara në besim dhe komunitetet fetare në Evropë, për të avokuar për integrimin e fëmijëve refugjatë dhe emigrantë në jetën kombëtare, si dhe për mbrojtjen e tyre kundër të gjitha formave të diskriminimit dhe ksenofobisë në nivelet e vendit dhe të rajonit.
Me autorizim të kryeimamit të Kryesisë së BIK-ut, Sabri ef. Bajgora, përfaqësuese e kësaj konference virtuale ishte koordinatorja për marrëdhënie me jashtë në FSI, mr. Muzaqete Kosumi.
Konferenca “Nga besimi në veprim” kishte për qëllim pesë objektiva: 1. Të diskutojë situatën e fëmijëve në lëvizje në Evropë; 2. Të vlerësojë veprimin e besimit për fëmijët në lëvizje dhe iniciativa të tjera ndërfetare në Evropë; 3. Të ndajë dhe të mësojë nga praktikat premtuese për angazhimin ndërfetar nga komunitetet dhe qeveritë lokale dhe kombëtare për të mbrojtur përfshirjen sociale afatgjate të fëmijëve të prekur nga migrimi; 4. Të identifikojë jo vetëm sfidat, por edhe zgjidhjet për avancimin e përfshirjes për fëmijët në lëvizje; 5. Të diskutohet drafti i veprimit dhe planit të angazhimit me komunitetet ndërfetare dhe pjesëmarrës të tjerë të interesuar për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve të prekur nga migrimi.
Kjo konferencë përbëhej nga 6 sesione, 3 në ditën e parë dhe 3 në ditën e dytë. Nga këto 6 sesione, dy prej tyre i ndoqi edhe përfaqësuesja e BIK-ut, Muzaqete Kosumi.
Znj. Kosumi në këtë konferencë kishte mundësinë të ndiqte paraqitjen e figurave të njohura botërisht, e po ashtu të ishte pjesë e punëtorive të ndryshme lidhur me rolin e udhëheqësve fetarë në ndihmën ndaj fëmijëve refugjatë. Ajo dha mendime konkrete e rekomandime rreth temave në fjalë, duke veçuar ndihmën në aspektin material të Bashkësisë Islame të Kosovës dhënë për refugjatët e Sirisë në Kosovë. Znj. Kosumi dha propozim që duhet të bëjmë më shumë për këtë kategori, duke ndihmuar kështu në edukimin dhe integrimin e tyre në shoqëri. Kjo sipas saj, duhet të bëhet më së miri duke bashkëpunuar me organizatën UNICEF në Kosovë dhe me Ministrinë e Integrimit, ku për ta mund të organizojmë kurse dhe shkolla verore, duke i kombinuar edhe me fëmijët dhe të rinjtë kosovarë, në mënyrë që ata të kenë mundësi të bashkëveprojnë dhe të ndajnë përvoja e mendime ndërmjet tyre.
Konferenca të tilla me këso tema janë mjaftë të nevojshme dhe të rëndësishme, marrë parasysh se Islami është shembull në migrimin dhe të drejtat e refugjatëve, ngase edhe vetë pejgamberët ishin të sprovuar me migrim. Po ashtu, rëndësia e migrimit në traditën islamike mbase dëshmohet më së miri nga sistemi i kalendarit islamik, sepse ai nuk fillon me lindjen e Pejgamberit, apo me fillimin e shpalljes, e as me pushtimin e Mekës, por, përkundrazi, ai fillon me hixhretin (migrimin) e Pejgamberit Muhamed a.s., dhe shokëve të tij në Medine.
Muhamedi a.s. ftoi në të drejta të barabarta të grave dhe të fëmijëve refugjatë me anë të shtetit mikpritës. Për më shumë, disa dijetarë të ligjit islam kanë bërë thirrje për “diskriminim pozitiv” ndaj grave dhe fëmijëve refugjatë. Gjithashtu, edhe dijetarët fetarë dhe organet kryesore ndërkombëtare e njohin rolin kryesor që mund të luajnë mësimet islamike në kornizat ndërkombëtare të mbrojtjes së emigrantëve të detyruar.