besnikmustafaj

U mbajt ligjëratë kushtuar dijetarit, prijësit dhe udhërrëfyesit Vehbi ef. Dibra nga Besnik Mustafaj

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka organizuar sot ligjëratë kushtuar dijetarit, prijësit dhe udhërrëfyesit, Vehbi ef. Dibra. Në ambientet e Fakultetit të Studimeve Islame këtë ligjëratë e mbajti shkrimtari dhe diplomati, Besnik Mustafaj.
Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava vlerësoi lart diplomatin Mustafaj për angazhimin e tij, si në fushën e letërsisë, ashtu edhe atë kombëtare.

“Profesori në formën më të mirë ka përfaqësuar vendet tona dhe aspiratat e popullit tonë, si me penën e tij të mprehtë, ashtu edhe në angazhimin e tij prej diplomati e veprimtari, ku është shquar për urtësi, vizion e thellësi prej diplomati e mendimtari, duke u shndërruar kështu në një ndër përfaqësuesit e ambasadorët më të nderuar të vendit tonë, prej Parisit e deri në kancelaritë më të rëndësime të botës. Dhe si i tillë, profesori ka dhënë kontribut të madh në sensibilizimin e çështjes së Kosovës dhe lirisë së saj në arenën ndërkombëtare, për se i jemi mirënjohës”, tha Myftiu gjatë fjalës së tij.

Në këtë ligjëratë u potencua kontributi i pashoq i Vehbi ef. Dibrës në çështjet fetare dhe atë kombëtare. Ai u veçua si komentuesi më i mirë i Kuranit në shqip, teksa ishte edhe kryetar i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

“Janë tri atribute, të cilat përmbledhin më së miri dimensionet e këtij personaliteti të madh. Bisedën me ju sot e shoh si pjesë domethënëse të nismës së institucioneve drejtuese të Bashkësisë Islame të Kosovës për t’u identifikuar me trashëgiminë më të lavdishme të myslimanëve shqiptarë, të cilët e shkrinë jetën e tyre duke vepruar në shërbim të kauzës për “fe dhe për atdhe”. Është në nderin e të gjithë myslimanëve shqiptarë që një shprehje e tillë ka dalë pikërisht nga mendja e Haxhi Vehbi Dibrës, duke përcaktuar kështu horizontin, drejt të cilit ka ecur gjatë më shumë se një shekulli dhe do të vazhdojë të ecë shqiptari i besimit islam. Ky përcaktim e bën menjëherë urën lidhëse midis Haxhi Vehbi Dibrës dhe 37 imamëve shqiptarë të vrarë si martirë gjatë luftës së fundit çlirimtare në Kosovë”, tha ai gjatë kësaj ligjërate.