Zyra e kryeimamit të Bashkësisë Islame të Kosovës, në bashkëpunim me HUMAN Kosova, të përkrahur edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë mbajtur tryezën me temën “Pluralizmi kulturor dhe fetar dhe bashkëjetesa paqësore në Kosovë”, i cili u realizua në kuadër të projektit “Angazhimi ndërfetar i të rinjve në Kosovë”.
Kryeimami i Kosovës, Vedat ef. Sahiti, rreth kësaj tryeze tha se: “Bashkësia Islame e Kosovës e konsideron të domosdoshëm dhe të nevojshëm vazhdimin e dialogut ndërmjet komuniteteve, me qëllim të njohjes dhe rritjes së mirëkuptimit të ndërsjellë, sepse të gjitha mosmarrëveshjet vijnë si rezultat i injorancës e mosnjohjes së njëri-tjetrit dhe mosrespektimit të vlerave të njëri-tjetrit. Mësimet tona hyjnore na mësojnë se njerëzit janë krijuar të ndryshëm, për t’u njohur ndërmjet vete, dhe jo për të treguar epërsi dhe për të shprehur urrejtje ndaj njëri-tjetrit. Bashkësia Islame e Kosovës çmon lart mbajtjet e konferencave dhe takimeve të tilla dhe i konsideron shumë të rëndësishme për krijimin e klimës së mirëbesimit e mirëkuptimit në vendin tonë.”
Kjo tryezë u mbajt në qytetet Pejë, Prizren, Ferizaj dhe Mitrovicë dhe për qëllim kishte që të kontribuojë në zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis bashkësive ekzistues fetare në Kosovë.