Nën organizimin e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, u promovua monografia “Dijetarë Shqiptarë në Perandorinë Osmane (1880-1912) sipas dokumenteve të Meshihatit të Lartë Osman”, i autorëve Sadik Mehmeti, Hatixhe Ahmedi dhe Ramadan Shkodra.
Fjalë përshëndetëse mbajti kryetari i Kryesisë së BIK-ut, Naim ef. Tërnava, si dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku. Ndërsa me referate vlerësuese mbi librin u paraqiten drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, prof. dr. Hysen Matoshi, drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, prof. Sabri Bajgora, si dhe historiani i shquar prof. dr. Memli Krasniqi. Po ashtu në këtë promovim morën pjesë edhe atasheu në ambasadën e Turqisë në Kosovë, drejtori i arkivave të Kosovës, profesorë, studiues, dashamirë të librit e të kulturës, si dhe shumë të ftuar të tjerë.
Ky libër vlerësohet se paraqet një kontribut me vlera shkencore për historinë e institucioneve, arsimit, kulturës e trashëgiminë islame në veçanti dhe për historinë tonë në përgjithësi. Kjo është vepra e parë me karakter enciklopedik e botuar nga BIK, por është e para edhe në Kosovë dhe në trojet shqiptare, në të cilën përfshihen dhe ndriçohen biografitë e 195 personaliteteve shqiptare.
Mysafirëve iu dëshiroi mirëseardhje drejtori për Kulturë dhe Veprimtari Botuese, prof. Ramadan Shkodra, njëherësh kryeredaktori i shtëpisë botuese “Dituria Islame”, i cili foli për veprimtarinë e kësaj shtëpie botuese, duke potencuar mes të tjerash se deri më tani janë botuar mbi 200 tituj nga fusha të ndryshme fetare, si nga jurisprudenca, historia dhe qytetërimi islam, tefsiri, hadithi dhe fusha të tjera. Krahas këtyre librave kemi botuar edhe një sërë monografish dhe botimesh të veçanta me vlerë për histografinë, kulturën, gjuhësinë dhe letërsinë shqipe. Drejtori Shkodra falënderoi Myftiun Tërnava për mbështetjen e vazhdueshme që po jep për botimin e librave fetarë e shkencorë, duke u zotuar se edhe në të ardhmen do të botojnë vepra të këtilla në interes të fesë dhe shkencës. Ai vlerësoi se ky libër përfshinë dijetarët shqiptarë nga katër vilajetet shqiptare: Kosovë, Shkodër, Manastir, Janinë, që kanë vepruar në periudhën midis viteve 1880-1912.Vitin 1880, autorët e kanë si përkufizim të parë, sepse pikërisht në këtë vit kanë filluar të kompletohen dosjet personale të nëpunësve të institucionit më të lartë fetar-arsimor të perandorisë, përkatësisht të Meshihatit të Lartë Osman, proces ky i cili ka vazhduar deri në përfundimin e Perandorisë Osmane më 1924.Viti 1912, ndërkaq, është marrë si përcaktues përmbyllës i këtij harku kohor, sepse pikërisht në këtë vit Perandoria Osmane largohet nga trojet shqiptare.
Duke folur për rëndësinë e monografisë “Dijetarë Shqiptarë në Perandorinë Osmane (1880-1912)”, në emër të BIK-ut, institucioneve të saj dhe në emrin e tij kryetari i BIK-ut, Myftiu Naim ef. Tërnava, shprehu mirënjohjen e tij që jeni sot bashkë me ne për të promovuar monografinë ”Dijetarë shqiptarë në Perandorinë Osmane (1880-1912) – sipas dokumenteve të Meshihatit të Lartë Osman” të autorëve Sadik Mehmeti, Hatixhe Ahmedi dhe Ramadan Shkodra, e cila ka parë dritën e botimit dhe tani është në duart e lexuesve, është pjesë e bibliotekave dhe auditorëve tona.
Myftiu Tërnava tha se ky libër për lexuesin tonë ka një rëndësi të veçantë për historiografinë tonë, ngase kjo është vepra e parë me karakter enciklopedik e botuar nga BIK-u, por ajo është edhe e para edhe në Kosovë dhe në trojet shqiptare, në të cilën përfshihen dhe ndriçohen – mbi bazën e dokumenteve osmane të kohës të pa trajtuara më parë – biografitë e dyqind personaliteteve shqiptare të shquar të dijes që i kanë takuar elitës intelektuale të kohës dhe që kanë vepruar në dekadat e fundit të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, shumica sosh, fare pak ose aspak të njohur më parë. Myftiu Tërnava theksoi se është obligim e amanet yni që të njohim të kaluarën, t’i njohim institucionet dhe pararendësit tanë, t’i vlerësojmë drejt dhe t’u japim vendin e merituar në historinë e populli tonë. Sikundër që e kemi amanet që t’i korrigjojmë edhe gabimet që për arsye të ndryshme që janë bërë për gjatë kohëve në raport me të kaluarën tonë të begatë islame shqiptare. Me këtë rast, edhe një herë përgëzoj të gjithë ata që e bënë të mundur realizimin e këtij botimi dhe kontribuuan që ky libër të del në këtë format. Një mirënjohje të veçantë, përveç autorëve, meritojnë edhe redaktori, recensentët, redaktori gjuhësor, redaktori teknik dhe të gjithë ata që në një mënyrë a në një tjetër kontribuuan në këtë ndërmarrje.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku, nga ana e tij uroi për punën që është bërë për të publikuar një vepër kaq të rëndësishme për kulturën, trashëgiminë, arsimin dhe historinë tonë shqiptare. “Është tejet e rëndësishme të kemi prurje të tilla të reja për elitat intelektuale shqiptare nëpër histori, sepse kjo e zgjeron bazamentin e dijës dhe horizontet për ata që ngjizen në procesin e ndërtimit dhe të ruajtjes së identitetit shqiptar. Në këtë aspekt kemi shumë mangësi në zbardhjen e të vërtetave historike të intelektualëve, shoqatave shqiptare që kanë kontribuar në lëvizjen kombëtare shqiptare në mendimin shkencor të kohës dhe personaliteteve që dhanë gjithçka që kombi shqiptar të formohet nga një bazë e gjerë e me mjete kulturore”, shtoi ndër të tjera ministri Çeku.
Dr. Hysen Matoshi çmoi lart këtë vepër, duke vënë në pah vlerën shkencore dhe fetare që ka, si dhe për vendin e merituar që zë kjo vepër në kuadër të veprave historike dhe është një përpjekje serioze për ta ndriçuar gjithanshëm këtë çështje. “Autorët e kësaj vepre, duke i hyrë një projekti ambicioz dhe duke shkelur në një hapësirë të panjohur sa duhet kanë dhënë një ndihmesë të çmueshme të saktësimit të rolit të dijetarëve shqiptarë në korpusin e madh të dijës së gjithmbarshëm të një perandorie që vepruan në një kontekst jo të lehtë të konkurrencës me kombe dhe kultura të tjera. Nëpërmjet këtyre të dhënave dëshmohet se shqiptarët nuk kishin ndonjë rol inferior në sistemin arsimor e kulturor, fetar e shoqëror në perandorinë osmane në raport me popujt që e përbënin atë, përkundrazi sikurse qartësohet edhe në këtë vepër shfaqja e një elite shqiptare në këtë kohë nuk përbën rastësi veçse një realitet që ishte i njohur gjithandej. Më tej kjo vepër është një dëshmi edhe e kontekstit të zhvillimit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, i cili deri tani ka shërbyer në një reduktim të jashtëzakonshëm po thuajse i ka shpërfillur personalitet dhe strukturat e tjera. Është evidente dhe kjo del në pah edhe në këtë vepër se numri i dijetarëve shqiptarë është shumë më i madh se ky numër, ngase ky numër ka qenë bazë e nevojshme për lindjen e vetëdijes kombëtare dhe se elita shqiptare nuk kufizohej në disa emra po në disa sfera të jetës” – tha Matoshi.
Drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, prof. Sabri Bajgora vlerësoi se puna e bërë nga autorët Sadik Mehmeti, Hatixhe Ahmeti dhe Ramadan Shkodra është një nismë e mbarë në drejtim të dokumentimit të së kaluarës sonë, veçmas të asaj të periudhës osmane. Gjithashtu është edhe një model i suksesshëm i punës që mund të zbatohet në kërkimet shkencore gjithandej lidhur me këtë problematikë, pra edhe në kuadër të projekteve që do të realizohen në kuadër të Institutit të Studimeve Islame. “Kjo është shpërfaqje e vetëdijes shkencore të autorëve që të përfaqësohen kapacitete intelektuale shqiptare nga të gjitha viset e asokohshme etnike. Është fakt se këta dijetarë, me origjinën dhe me përcaktimin e tyre etnik-kombëtar, ishin shqiptarë dhe pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë kulturore e diturore shqiptare. Përfshirja e këtillë pa dyshim se e ka një bazë reale të ekzistimit dhe është dëshmi e funksionimit të jetës arsimore, kulturore e diturore në mbarë hapësirën perandorake, pavarësisht faktit se ka ndonjë qendër që sot nuk e gëzon namin që e kishte dikur” – tha Bajgora.
Ndërkaq historiani i shquar prof. dr. Memli Krasniqi, duke iu referuar librit në fjalë tha se ky libër i autorëve Sadik Mehmeti, Hatixhe Ahmedi dhe Ramadan Shkodra, dëshmon me të dhëna burimore e arkivore se kontributi i personaliteteve të trajtuara nuk ishte vetëm në shërbim të jetës shpirtërore të banorëve myslimanë të zonave shqiptare, por edhe në krijimin e një elite të re kulturore e politike shqiptare.
Në fund të promovimit, Hatixhe Ahmedi, në emër të autorëve të veprës, falënderoi BIK-un për mundësinë e promovimit së librit, si dhe të gjithë ata që kishin kontribuuar në forma të ndryshme, që kjo vepër të botohet sa më e kompletuar. “Ndërsa në fund fare, por jo nga pesha dhe rëndësia, një mirënjohje dhe falënderim të veçantë për gjithë ju që keni ndarë pjesë nga koha e juaj e çmuar që të jeni me ne sot në këtë promovim dhe të na nderoni neve si autorë, botuesin, Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, por mbi të gjitha t’i nderoni dhe t’i respektoni këto personalitete tona që janë përfshirë në këtë monografi” – tha ajo.