Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) njoftoi se Ukraina ka ngritur padi kundër Rusisë me arsyetimin për shkeljen e Konventës së Gjenocidit dhe se nga gjykata ka kërkuar “vendim për masa emergjente”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën me shkrim nga Gjykata e Drejtësisë, organi gjyqësor i Kombeve të Bashkuara (OKB), vihet në dukje se Ukraina ka ngritur padi ndaj Rusisë për shkak të shkeljes së Konventës së OKB-së të vitit 1948 për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit.
Ukraina ka kërkuar nga gjykata që të japë “vendim për masa emergjente” për të penguar dëmet e parikuperueshme dhe parandalimin e shkeljeve të të drejtave, thuhet në deklaratën ku njoftohet se Ukraina kundërshton pretendimet e Rusisë se në “rajonet Donetsk dhe Luhansk është kryer gjenocid” dhe thekson se Rusia nuk ka të drejtë të ndërhyjë ndaj Ukrainës.
Në deklaratë përfshihen pretendimet se Rusia ka vrarë ukrainasit me qëllim gjenocidi dhe se Ukraina akuzon Rusinë për planifikim të gjenocidit.
Pritet që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të njoftojë në një kohë të shpejtë datën e seancës lidhur me masat emergjente.
Kriza në Donbas dhe pretendimet e Rusisë për gjenocid
Separatistët shpallën të ashtuquajturat administrata në rajonet Donetsk dhe Luhansk, ku jeton kryesisht popullatë me origjinë etnike ruse.
Rusia njohu administratat separatiste në Donbas dhe më 24 shkurt filloi një operacion ushtarak në territorin e Ukrainës.
Presidenti rus, Vladimir Putin i bëri thirrje ushtrisë së Ukrainës të dorëzojë armët duke mbrojtur idenë e tij se qëllimet e tyre janë “të mbrojnë njerëzit që përballen me gjenocid nga Kievi dhe të pastrojnë Ukrainën nga nazizmi dhe militarizmi”.