IMG_7887

Ukrainë, një vajzë 2-vjeçare vritet në një sulm rus me raketa

Të paktën një person u vra dhe 22 të tjerë u plagosën në një sulm të Rusisë me raketa në rajonin Dnipropetrovsk të Ukrainës juglindore, tha guvernatori i rajonit, transmeton Anadolu.

“Natën, trupi i një vajze u gjet nën rrënojat e një shtëpie në komunitetin Pidhorodne. Ajo sapo kishte mbushur dy vjeç. Ngushëllime të sinqerta familjes… 22 persona u plagosën, 5 prej tyre ishin fëmijë”, tha Serhiy Lysak në një deklaratë në Telegram.

Ai tha se dy ndërtesa dykatëshe u shkatërruan pjesërisht pasi një raketë goditi një zonë midis dy ndërtesave. Gjithashtu janë dëmtuar dhjetë shtëpi private, një veturë, një dyqan dhe linja gazi, shtoi ai.

Lysak tha më tej se një sistem ukrainas i mbrojtjes raketore rrëzoi dy raketa dhe një mjet ajror pa pilot mbi rajon.

“Okupatorët e goditën me artileri Nikopolin. Dy makina kanë marrë flakë, zjarret tashmë janë shuar. Janë dëmtuar tri ndërtesa të larta, një restorant dhe linja elektrike. Fatmirësisht nuk ka pasur viktima”, shtoi ai.