Ukrainë, sërish punojnë tregjet në Bucha, qytetin e sulmuar nga rusët

Vendet e tregut në qytetin Bucha të Ukrainës, të sulmuar nga rusët janë rikthyer sërish në funksion, raporton Anadolu Agency (AA).

Bucha e cila ndodhet në rajonin e kryeqytetit Kiev, mbart shenjat më të thella të luftës e cila filloi më 24 shkurt mes Rusisë dhe Ukrainës.

Në qytetin Bucha ku infrastruktura, shkollat dhe shumë ndërtesa të tjera janë bërë të papërdorshme vazhdojnë punimet për nxjerrjen e trupave të civilëve nga rrënojat.

Në anën tjetër edhe ata persona që janë larguar nga qyteti në zona të tjera të sigurta për shkak të sulmeve po kthehen në qytet dhe përpiqen të rindërtojnë rregullin e tyre. Në Bucha krahas marketeve, kafeneve dhe disa bizneseve janë rikthyer sërish në funksion edhe vendet e tregut.

– “Kemi shumë humbje”

Elena Skonatovska, e cila punon në vendin e tregut në Bucha, në një deklaratë për AA tha se për shkak të luftës tregu ka qëndruar i mbyllur për rreth 2 muaj.

“Për këtë arsye kemi pësuar humbje”, tha Skonatovska duke shtuar se “Rusët hëngrën peshk, mish dhe çdo që gjetën dhe rrënuan e shkatërruan çdo vend. Kemi shumë humbje. Me duhet të ushqej në një mënyrë 4 fëmijët. Për dy muaj kemi mundur të jetojmë me paratë që kam kursyer. Tani vazhdojmë sërish punën tonë”.

Ajo tha se e do vendin e saj dhe nuk dëshiron të largohet. “Më propozuan që të transferohesha me familjen time në Holandë, por nuk doja të shkoja. Këtu është vendi im dhe toka ime. Jam e gatshme të jap çdo gjë për vendin tim”, u shpreh Skonatovska.

– “Do të qeras të afërmit e mi me fruta dhe perime”

Irina Kabits, e cila është kthyer në Bucha, tha se deri në vitin 2014 ka jetuar në rajonin Donetsk të Ukrainës. “Këtu erdha për shkak të luftës në Donetsk. Lufta më zuri këtu për herë të dytë”, theksoi ajo.

Pasi shpjegoi se shumë banorë të qytetit janë kthyer në shtëpitë e tyre këtë muaj, Kabits tha: “Nuk dua të transferohem në vend tjetër. E dua këtë qytet. Me frutat dhe perimet që kam blerë nga tregu do të qeras të afërmit dhe fqinjët e mi”.

Kabits, duke uruar që çdo gjë të jetë më mirë, tha: “Besoj se Ukraina do të fitojë këtë luftë me mbështetjen e fuqishme dhe të gjithë botës. Edhe Bucha do të bëhet e bukur si dikur”.