3680451-24438400

UMREJA NË RAMAZAN

E BARABARTË ME HAXHIN

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Umreja në Ramazan është e barabartë me haxhin (në shpërblim).”[1]

Kush e kryen umrenë pas perëndimit të diellit të ditës e 30-të të muajit Shaban apo pasi të vërtetohet pamja e hënës, umreja e tij llogaritet të jetë kryer në Ramazan.

DISA VËREJTJE PËR ATA QË E KRYEJNË UMRENË

Gjatë umresë mund të ketë kallaballëk njerëz dhe kjo vështirësi e atypëratyshme vetëm se e shton shpërblimin me lejen e Allahut.

Megjithatë duhet marrë parasysh disa gjëra:

Të përkujdesemi që umrenë ta kryejmë gjatë kohës kur nuk ka shumë njerëz.

Pasi ta bëjmë nijetin e umresë, nuk lejohet më pas ta lirojmë atë shkaku i kallaballëkut, përveç, nëse paraprakisht e bëjmë kusht.

Duhet të kemi kujdes të mos përzihemi me gra apo t’i prekim gjatë kryerjes së tavafit.

Bërja e tavafit, qoftë edhe më larg Qabesë apo në katet e sipërme, por me përulje, është më e vlefshme sesa të bëhet afër Qabesë, por pa përulje.

Duhet të kemi kujdes që gjatë tavafit Qabeja të jetë në anën tonë të majtë e, nëse ikim pak në të majtë apo në të djathtë, nuk është problem.

Ai që gjatë tavafit ndien vështirësi shkaku i kallaballëkut, mund të ndalet të pushojë pak e pastaj të vazhdojë.

Nëse ka kallaballëk, urtësi është që dy rekatet pas kryerjes së tavafit, t’i falim kudo që gjejmë vend të përshtatshëm në Qabe dhe jo të këmbëngulim t’i falim te “mekami Ibrahim”.

Ai që nuk është umrexhi, për të më e mirë është që tavafin ta lërë për në ditët kur nuk ka kallaballëk, kështu ua lehtëson vëllezërve që kanë ardhur për umre.

Ata që duan të kryejnë edhe një umre tjetër, prej xhamisë et-Ten’im apo prej vendeve të tjera[2], (për ta bërë nijetin dhe veshur ihramin) i rëndojnë umrexhitë (që kanë ardhur nga larg). Përsëritja e umresë duke qenë në Mekë, nuk është prej gjërave që pëlqehet.

Prej sunetit në kohën e kallaballëkut është të bëhet me dorë kah “Guri i Zi” dhe jo të preket.

Është mirë që gjatë kallaballëkut mos të barten gjëra të shtrenjta, sepse mund të humbin apo të na i vjedhin në kallaballëk.

NUK KA PENGESË

Gruaja gjatë menstruacioneve nuk ka pengesë të hyjë në Meke, por për ta bërë umrenë ajo duhet të jetë e pastër. Ajo e cila nuk është e sigurt se a do të pastrohet para se të kthehet në vendlindje, nuk ka pengesë të hyjë në Meke pa e bërë nijetin për umre e, nëse pastrohet gjatë qëndrimit të saj, atëherë duhet të dalë të shkojë deri te vendi et-Ten’im ta bëjë nijetin dhe të kthehet në Meke për ta kryer umrenë. Përndryshe, nëse nuk pastrohet gjatë qëndrimit të saj në Meke, duhet të kthehet pa e kryer umrenë.

 

Dr. Muhamed el Munexhidi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Pjesë e librit: Zahireja e agjëruesit (është i përkthyer në gjuhë shqipe)

 

[1] Buhariu (1863), Muslimi (1256).

[2] Në vende të tjera prej ku bëhet nijeti për umre. Xhamia et-Ten’im apo që njihet si xhamia e Aishes i, është vendi prej ku umrexhiu e bën nijetin e umresë. Xhamia është diku 7 kilometra larg Qabesë. Umrexhiu apo banorët e Mekes shkojnë deri aty dhe e bëjnë nijetin për umre. (sh.p.)