government-approves-rs-1423-crore-road-project-in-andhra-pradesh

UNË JAM FEJA!

Një ditë nga ditët, burri u nis për në një udhëtim me makinë së bashku me gruan dhe fëmijët dhe rrugës e vërejti një njeri që po qëndronte në rrugë dhe u interesua për të se kush është.

Ky njeri iu përgjigj dhe i tha:

– Unë jam pasuria.

Burri e pyeti gruan dhe fëmijët a ta marrin me vete në makinë? Të gjithë njëzëri i thanë se natyrisht që duhet ta merrnin, se me pasuri munden të bëjnë çfarë të duan dhe të posedojnë çfarë të duan dhe kështu pasuria hipi me ta në makinë.

Makina e vazhdoi rrugën dhe rrugës e takuan edhe një tjetër njeri. Burri e pyeti se kush ishte?

– Unë jam pushteti dhe pozita, – iu përgjigj ai.

Burri e pyeti gruan dhe fëmijët se a ta marrin me vete? Iu përgjigjën njëzëri të gjithë se me pozitë dhe me pushtet munden të bëjnë çfarëdo dhe të posedojnë çfarëdo. E morën me vete dhe u nisën me makinë.

Makina e vazhdoi rrugëtimin e saj dhe rrugës takonin njerëz të ndryshëm, si epshet, dëfrimin dhe kënaqësitë e dynjasë, derisa në fund e takuan edhe një tjetër njeri dhe burri si zakonisht u interesua për të se kush është?

Njeriu tha:

– Unë jam feja.

Burri, gruaja dhe fëmijët njëzëri thanë se tani nuk është koha e tij dhe se ata e duan dynjanë dhe kënaqësitë e saj, kurse feja do t’i privojë dhe do t’ua ngushtojë rrethin dhe do të lodhen duke e mësuar hallallin, haramin dhe namazin e agjërimin. Dhe kjo e tëra do t’i rëndojë, mirëpo munden të kthehen dhe ta marrin me vete pasi që të kënaqen me dynjanë dhe atë çfarë ka në të.

Kështu s’e morën me vete fenë dhe makina vazhdoi rrugëtimin, kur papritmas u doli një patrullë policie dhe i ndalën. Burrit i thanë të del nga makina dhe se për të rrugëtimi kishte përfunduar dhe është i detyruar të shkojë me njërin nga policët. Burri nuk e kishte idenë se çfarë po ndodhë dhe çfarë kërkonte ky njeri nga ai.

Polici iu drejtua dhe i tha:

– Unë po e kërkoj fenë. Ku është? A është me ty feja?

Burri ia kthehu:

– Jo nuk është me mua, e lash në rrugë dhe nuk është larg nga këtu, mundem të shkoj e ta marr.

-Jo nuk mundesh më, për ty udhëtimi ka përfunduar, – ia kthehu polici.

– Mirëpo me mua në makinë është pasuria, pozita, pushteti dhe gruaja e fëmijët, – shtoi njeriu.

Polici i tha:

– Ata nuk të bëjnë më dobi tek Allahu dhe të gjitha do t’i braktisësh dhe ajo që do të bënte dobi ishte feja, po ti nuk e more me vete.

– Po kush je ti? – e pyeti burri.

– Unë jam vdekja nga e cila ishe i shkujdesur dhe nuk e llogarite fare.

Burri filloi ta shikojë makinën dhe vërejti se në vend të tij, gruaja e drejtonte makinën dhe me të ishin fëmijët, pasuria, pushteti dhe asnjëri nuk kishte zbritur me të.

Allahu thotë: “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit; kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet). Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese.”[1]

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

[1]              (Ali Imran: 185)