Mr. Muhidin Ahmeti
Unë jam musliman, nuk jam terrorist. Unë jam muslimanë me fe, terroristi është musliman pa fe. Terroristi nuk ka fe. Feja e tij është terrori, e ideologjia e tij terrorizmi. Unë jam musliman me islam, terroristi është musliman pa islam. Unë jam musliman me dije dhe me punë, terroristi është musliman pa dije, dhe me dhunë. Në botë ekziston vetëm një e keqe, e ajo është injoranca.
Rezultatet e saj janë fanatizmi, ekstremizmi, terrori dhe intoleranca. Unë jam musliman me shpirt, terroristi është musliman i pa shpirt, sepse vetëm ai që nuk ka shpirt, vret shpirt. Unë jam musliman që e mbroj vetën prej të tjerëve dhe i mbroj të tjerët prej vetës sime. Terroristi është musliman që njëkohësisht duke shkatërruar të tjerët shkatërron edhe veten e tij.
Ai vepron edhe ligjërisht edhe antropologjikisht kundër vetes së tij.Asnjëherë ne jetën time nuk e kam imagjinuar se do të vijë dita kur duhet të flas për islamin dhe terrorizmin dhe të tërheq vijën ndarëse në mes muslimanit dhe terroristit. Për arsye se kurrë as që e kam imagjinuar se mund të ekzistojë një njeri që i thotë vetes musliman dhe njëkohësisht të kultivojë urrejtjen dhe të ushtrojë dhunën, vrasjen, krimin dhe terrorin. Dhe për të qenë absurdi dhe fatkeqësia edhe më e madhe, të gjitha këto t‘i bëjë në emër të fesë dhe në emër të Zotit.
Në emër të fesë e cila në vetë emrin, thelbin dhe shpirtin e saj e ka dhe e kultivon paqen. Në emër të Zotit që ndër emrat e Tij më frekuentues në Kur’an janë i Gjithmëshirshmi dhe Mëshirbërësi. Në emër të Pejgamberit që është dërguar mëshirë për të gjithë njerëzimin. Në emër të Librit që është Udhëzues dhe ndriçues për ata që e duan dhe e pranojnëudhëzimin dhe ndriçimin. Në emër të shumicës absolute të muslimanëve në botë, të cilët distancohen dhe e dënojnë në formën më të ashpër dhunën dhe terrorin kudo që ndodh dhe kushdo që e shkakton.
Ne jemi bijtë e Ademit dhe pasardhës të bijve të Ademit-Habilit dhe Kabilit. Kur’ani nuk i përmend emrat e tyre duke e lënë të hapur ngjarjen dhe duke na bërë me dije se të gjithë jemi bijtë e Ademit. Kur’ani flet për dhunën si fenomen dhe jo si emër. Terroristi duke mos pasur emrin dhe identitetin e vet, ai merr forma dhe identitete të ndryshme duke u paraqitur herë si musliman, e herë -herë si i krishterë, hebre, budist etj. E nganjëherë shndërrohet në institucion dhe duke i racionalizuar dhe legjitimuar veprimet e veta, merr karakter të terrorizmit shtetëror.
Ne jemi një trup me shpirtin e Ademit, kur vritet një njeri është njësoj sikur të ishin vrarë të gjithë bijtë e Ademit. Ne jemi një trup me shpirtin e Ademit, nëse bëhemi shkaktarë për të shpëtuar një jetë është njësoj sikur t’i kishim shpëtuar gjithë shpirtrat e bijve të Ademit. (Kur’ani-parfrazim)
Dijetarët islamë janë të pajtimit që qëllimi themelor i sheriatit është mirëqenia e racës njerëzore, e cila realizohet me mbrojtjen e vlerave të domosdoshme universale: jetës, mendjes, besimit, lirisë, dinjitetit, pronës dhe pasardhësve (territorit). Në thelb, të gjitha qeniet njerëzore janë të përfshira në këtë mbrojtje. Mizoria e terrorizmit dhe dhunës kërcënon të gjitha këto vlera themelore dhe për këtë arsye është në kundërshtim të plotë me qëllimin bazë të Sheriatit.
Për besimtarët nuk ka mësime dhe porosi më të mira se mesazhi i fundit i Pejgamberit (s) që e dha në Haxhxhin lamtumirës:
“O njerëz, dëgjoni çka po ju them, sepse nuk e di a do të takohemi më në këtë vend.”
“O njerëz, pasuria juaj, nderi juaj dhe jeta juaj janë të shenjta për ju, sikurse është e shenjtë kjo ditë, ky muaj dhe ky vend. O njerëz, të gjithë ju keni një Krijues. Të gjithë jeni pasardhës të një paraardhësi të njëjtë! Kurrfarë dallimi mes jush nuk është i pranueshëm. I bardhi nuk është më i mirë se i ziu as i ziu më i mirë se i bardhi. E vetmja gjë e rëndësishme është devotshmëria personale.
Kini rahmet ndaj njëri tjetrit. Ju jeni vëllezër e motra mes vete. Mbështetnie njëri tjetrin sikur tullat dhe ashtu mbajeni të fortë ndërtesën e bashkësisë suaj.
Bëhuni të drejtë dhe ruajeni shpirtërat tuaj nga padrejtësi e dhuna.
Mos mbillni urrejtje veç dashuri…
Mos u ktheni pas vdekjes sime në ateizëm e ta vritni njëri tjetrin. Po ju lë amanet diçka, përderisa t’u
përmbaheni atyre, kurrë nuk do të devijoni, e ato janë: Libri i Zotit dhe tradita ime.”
“Largojuni prej dyshimit, sepse dyshimi është fjalimi më i rrejshëm; mos e spiunoni njëri tjetrin, mos e çoni zili njëri tjetrin, mos i a ktheni shpinën njëri tjetrit, mos e urreni njëri tjetrin, bëhunu vëllëzër o robër të All-llahut!”
Megjithatë, ne shpresojmë se bota do ta ktheje faqen tjetër të historisë së saj, faqen e njohjes mes vete, afrimit të njerëzve dhe popujve, tolerancës së feve dhe religjioneve, bashkimit të kulturave dhe civilizimeve. E ardhmja e njerëzimit nuk është në përplasje, por në dialog, mirëkuptim, bashkëpunim dhe bashkëjetesë deri në ditën e fundit.
Këtë planet do ta trashëgojnë të mirët. Nuk kanë perspektivë as të fuqishmit as kryeneçet, por të drejtët. Për këtë ka garantuar Zoti (xh. sh.). Nuk është e keqja bazë e ekzistencës, por e mira dhe e drejta, drejtësia, bashkëpunimi dhe bashkëjetesa.
Ky është besimi ynë dhe bindja jonë, kështu do të ndodh sepse ka Zot. E Zoti e do të mirën dhe do ta sfidojë të keqën duke i vu në sprova të mëdha njerëzit e mirë. Sprovat do të jenë aq të mëdha sa që do t’i zgjojnë të mirët nga letargjia dhe zona e komforit dhe do t’i detyrojnë të angazhohen për të mirën, të paktën, në atë masë siç të këqinjtë angazhohen për të keqën.