unnamed-1

UNESCO kundërshton praktikat izraelite që synojnë të ndryshojnë strukturën dhe statusin ligjor të Kudsit

Në vendimin e UNESCO-s u theksua edhe njëherë se janë të pavlefshme të gjitha praktikat e Izraelit që synojnë të ndryshojnë strukturën dhe statusin ligjor të Kudsit

Organizata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara (UNESCO), tha se të gjitha praktikat izraelite që synojnë të ndryshojnë strukturën dhe statusin ligjor të Kudsit janë të pavlefshme, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme jordaneze, Daifallah Al-Fayez, në një deklaratë me shkrim tha se në takimin e zhvilluar nga Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s u mor një vendim lidhur me zonën e qytetit të vjetër të Kudsit dhe muret e Kudsit. Al-Fayez shtoi se në marrjen e këtij vendimi kanë qenë efektive përpjekjet diplomatike të Jordanisë dhe grupeve arabe dhe islame nën strukturën e UNESCO-s.

Në vendimin e marrë nga UNESCO u theksua edhe njëherë se janë të pavlefshme të gjitha praktikat e Izraelit që synojnë të ndryshojnë strukturën dhe statusin ligjor të Kudsit. Në vendim nga Izraeli kërkohet që të ndalojë shkeljet dhe praktikat e njëanshme dhe të paligjshme kundrejt zonës së qytetit të vjetër të Kudsit dhe mureve dhe ndaj xhamisë Aksa. Po ashtu në vendim u përsërit mbështetja e vendimeve të marra më parë lidhur me Kudsin nga Komiteti i UNESCO-s për Trashëgiminë dhe nga organizatat e tjera nën strukturën e tij.

Në vendim theksohet se “Në Kuds duhet të dërgohet një mision nga UNESCO për të vëzhguar të gjitha shkeljet e Izraelit i cili sipas ligjit ndërkombëtar ndodhet në pozicionin e fuqisë pushtuese”.

UNESCO, e cila edhe më parë ka marrë vendime që konfirmojnë se Kudsi është një qytet arab dhe islam, në tetor 2016 me 26 vota “pro” dhe 6 vota “kundër” miratoi se “nuk ka ndonjë lidhje mes hebrenjve me Kudsin dhe xhaminë Aksa dhe se këto vende kanë lidhje vetëm mes muslimanëve”