Rtv Pendimi

Urime Sulltan, President Erdoğan

Dr. Shefqet Krasniqi

Për gjatë një shekulli, që kur u rrëzua Shteti Osman, është menduar se muslimanët nuk janë të aftë të themelojnë e as të udhëheqin shtet. Ata duhet të udhëhiqen nga të tjerët, pra të paktën sipas sistemeve apo porosive të të tjerëve. Kjo bindje sa erdhi duke u përforcuar, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, kur grupet e ndryshme të interesave botërore vendosën që në vendet arabe, e pse jo edhe në shumicën e vendeve muslimane, në pushtet t’i vendosin disa diktatorë. Kjo përvojë e hidhur, në shumë vende muslimane, po vazhdon edhe sot e kësaj dite. Natyrisht, manipulimi nga mediet, të cilat në shumicë kontrollohen nga qarqe të caktuara, dhe interesat gjeopolitike, ekonomike e gjeostrategjike të vendeve të zhvilluara ekonomikisht kanë luajtur rol të jashtëzakonshëm që vende të caktuara, në veçanti në Lindjen e Mesme, të jenë nën kontroll të vazhdueshëm.

Kjo tentativë ka pasur edhe një prapavijë, pra të bëhet gjithë çfarë është e mundur për të dëshmuar se Islami është fe dhe sistem që nuk mund të përshtatet e të bashkëveprojë me rrethanat e kohës bashkëkohore e moderne. Se atij tashmë i ka kaluar koha, sikurse edhe feve tjera, dhe se pasuesit e denjë të këtij besimi duhet lënë atë anash; pra ta kufizojnë vetëm brenda mureve të xhamisë, nëse dëshirojnë të zhvillohen e të avancojnë krahas qytetërimeve dhe kulturave tjera moderne.

Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se vetë muslimanët si shoqëri e në veçanti prijësit e tyre u kanë dhënë mjaft material jo-muslimanëve, sepse që nga rrëzimi i Shtetit Osman vetë prijësit e muslimanëve me krejt çfarë kanë poseduar kanë punuar kundër Islamin, madje e kanë luftuar këtë fe dhe praktikuesit e saj më shumë se çdokush tjetër dhe gjithçka tjetër. Mu për këtë, sa herë që është raportuar në nivelet më të larta botërore për shkelje flagrante të drejtave të njeriut, në shumicën dërmuese ato qeveri kanë qenë nga qeveritë e instaluar arabe apo të ndonjë vendi tjetër musliman jo-arab.

Ky realitet i hidhur, pas të cilit fshihen manipulimet, është keqinterpretuar në adresë të islamit sa që ka mbretëruar bindja se islami është pjellë e secilës së keqe ndër arabë e muslimanë. Kështu më pas u shfaq edhe islamofobia e cila ka përfshirë shumë vende të botës përfshirë edhe vendin tonë. Çuditërisht shqiptarët, duke qenë muslimanë të lindur, me rrënjë, me gjenerata filluan të kenë frikë nga islami dhe filluan të sulmojnë muslimanët praktikues me krejt çfarë kishin, madje më egër dhe më joprofesional sesa në ish-Jugosllavi që nga ‘Kralevina’ e deri të Millosheviqi. Kam bindjen se kjo armiqësi kundër Islamit është si rrjedhojë e sistemit komunist titist, në Kosovë, e enverist, në Shqipëri e Kosovë, nën të cilët populli ynë ka jetuar mjaftë sa për tu ndikuar edhe pse hoqi të zitë e ullirit. Mbetjet dhe pasojat e këtyre dy sistemeve vazhdojnë të vërehen edhe sot.

Sido që të jetë Zoti fuqiplotë në çdo kohë dërgon burra, prijës, dijetarë e reformatorë të cilët i ripërtërinë parimet e drejta të fesë sonë dheu tregojnë dushmanëve të dinit se kjo fe nuk ka mbaruar, se mësimet dhe vlerat e saj janë vlera universale në të mirë të njerëzimit. Se të praktikuarit e fesë, të vepruarit sipas etikës fetare në jetën e përditshme dhe qeverisja sipas porosive të saj nuk e pengojnë zhvillimin dhe përparimin e vendit, por vetëm sa e avancojnë dhe e çojnë vendin para. Në këtë kjo më së miri dëshmohet përmes sukseseve të njëpasnjëshme të Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) dhe liderit të saj Rexhep Tajip Erdogan (Recep Tayyip Erdoğan) në Turqi. Kjo parti arriti në pushtet në fillim të këtij shekulli në krye me Erdogan. Kjo parti filloi të udhëheq me Turqinë e shkretë, të varfër, Turqinë e “botës së tretë” të cilën e kishin vjelë e bërë shkretë bijtë e saj sipas porosive të mësuesve të tyre. Turqia atë botë i ngjante më së shumti vendeve tona në Ballkan, në këtë kohë, e zhytur në korrupsion, varfëri e papunësi, krizë politike e ekonomike, e vjedhur e stërvjedhur nga bijtë dhe udhëheqësit e vet.

Me besim të fortë në të madhin Zot, me vetëbesim dhe bindje se gjithçka që bëhet për hir të Zotit e në shërbim të njerëzve, krijesave më të mira të tij, liderët dhe anëtarët e AK Partisë arritën ta sjellin Turqinë aty ku është sot. Dy ditë më parë, ata fituan serish zgjedhjet parlamentare, madje kësaj radhe bindshëm dominuan parlamentin. Fituan mbi gjysmën e votave për ta çuar Turqinë edhe më tej drejtë zhvillimeve dhe avancimeve bashkëkohore. Tashmë edhe laikët, por edhe kundërshtarët e Islamit, janë bindur se Turqinë mund ta avancojnë e çojnë përpara vetëm ata që i ka kalitur Islami të jenë në shërbim të atdheut, pra AKP dhe liderët e saj.

Në anën tjetër kjo udhjeqje e mirë dhe kjo afërsi e madhe mes politikës dhe popullit, mes udhëheqësve dhe qytetarëve, me Bismilah siç shprehej gjithherë kryeministri Davutoglu, është një pasqyrë reflektuese për arabët dhe shumë shtete tjera muslimane se si mund dhe duhet të udhëhiqet shteti. Kjo rimëkëmbje është gjithashtu rikujtim edhe për jo-muslimanët se Islami nuk e lë mbrapa shoqërinë, përkundrazi islami nxitë dhe motivon njerëzimin drejt përparimit e zhvillimit në të gjitha sferat e jetës. Pra Turqinë, për njëqind vjet, nuk e kishte lënë prapa islami por pikërisht sistemet e imponuara mbi popullatën e vyeshme të atij vendi. Islami madje nuk është kundër feve e as civilizimeve tjera, por ai synon në marrëveshje reciproke të ndërsjella duke mos i bërë padrejtësi asnjërës palë të marrëveshjes.

Shumë kush ka pritur, e edhe më shumë kanë punuar, që zgjedhjete nëntorit 2015 t’i japin një shuplakë partisë AKP në krye me Erdogan. Mezi s’kanë pritur disa të llomotisin se ‘turkoshaku’ nuk di dhe nuk mund të udhëheqë vendin dhe se AK Partia ka filluar tatëpjetën, por realiteti doli kundër. Populli mik turk si duket tashmë po fle vetëm kur ka nevojë, përndryshe ai është syçelë 24 orë. Ndaj rezultatet e dy ditëve më parë befasuan edhe analistët botërorë të cilët mundoheshin të shikonin qimen në sytë e tjetrit përderisa nuk shihnitraun në sytë e vet.

Në Turqi nuk fitoi vetëm AKP dhe lideri i saj Erdogan, por fitoi i gjithë populli turk. Fitoi drejtësia, mirësia e mëshira; fitoi ai që është dashur të fitojë. Zoti serish lëshoi mëshirë jo vetëm mbi popullin mik turk, por edhe mbi të gjithë muslimanët dhe mbarë njerëzimin. Sepse njeriut të drejtë, udhëheqësish së drejtë ia shohin hairin njerëzit, kafshët, ambienti e i asheh hairin edhe toka që ecë mbi të dhe qielli që e ka sipër.

Zoti e forcoftë Sulltanin (Sulltan d.m.th Pushtetar,Autoritet Qeverisës apo President) Erdogan dhe bashkëpunëtorët e tij, se vërtet ai meriton të jetë sulltan bashkëkohor.

Andaj urime të përzemërta presidentit Erdogan, urime kryeministër Davudoglu, urime popull i mik turk e urime edhe shqiptarëve dashamirës të këtë fitore, prej së cilës do të përfitojë me siguri edhe vendi ynë.

 

TË NGJAJSHME