IMG_3372

Urimi i Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, me rastin e festës së Fitër Bajramit

Të nderuar vëllezër e motra,

Të dashur qytetarë!

Nesër është dita e Bajramit, ditë feste për besimtarët myslimanë në gjithë botën. Të gjithë besimtarët i gëzohen kësaj feste, ngase vjen pas një sakrifice të madhe, andaj edhe është një manifestim falënderimi për Zotin pas agjërimit të muajit të bekuar Ramazan. Edhe ne në Kosovën tonë i gëzohemi kësaj feste kaq madhështore, e cila shfaqet në familjet tona e në shoqërinë tonë me gëzime e hare, duke u përhapur me një gjuhë falënderuese në mesin e të gjithë besimtarëve.

Sot, në këtë ditë të bekuar të fundit të Ramazanit, më lejoni që në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve të saj dhe në emrin tim si Myfti i Republikës, t’ju uroj për këtë festë kaq madhështore, festën e Fitër Bajramit, duke lutur Zotin xh.sh., që të na falë shëndet e mirëqenie.

Falënderimi i takon Zotit, i Cili na ka bekuar me agjërim dhe lutje edhe gjatë këtij muaji Ramazan, duke na bërë të kalojmë këtë muaj në atmosferën e tij sublime shpirtërore dhe në komoditetin e kohezionit, qetësisë dhe kënaqësisë.

Të nderuar vëllezër e motra!

Urtësia e festës së Fitër Bajramit është gëzimi dhe hareja, të cilat trokasin thellë në shpirtrat e besimtarëve, të cilët falënderojnë Zotin e Madhëruar që ua mundësoi agjërimin, adhurimin, faljen e namazit, dhënien e sadakatul fitrit, leximin e Kuranit dhe obligimet e tjera përgjatë gjithë këtij muaji.

Fitër Bajrami bart brenda vetes një tufë virtytesh dhe avantazhesh, që e dallojnë nga festat e tjera, bart vlerat shoqërore dhe njerëzore të Islamit, ku zemrat bashkohen në miqësi, prandaj, gëzimi i Bajramit përfshinë çdo shtëpi të besimtarëve, e bekimet e Zotit shtrihen në çdo familje islame.

Zoti xh.sh. në një ajet kuranor thotë: “Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Zotin (në fund të agjërimit) për shkak se ju ka drejtuar në rrugën e drejtë e që ta falënderoni Atë.” (El Bekare, 185).

Bajrami është ditë falënderimi për Zotin e Madhëruar, ditë gëzimi e hareje për besimtarin, e cila manifestohet me kënaqësi shpirtërore, gëzim e buzëqeshje, që në shpirtrat e besimtarëve përhap humanizëm e dashuri ndërmjet tyre. Është ditë kur forca e të pasurve dhe dobësia e të varfërve takohen në dashuri, mirësi dhe drejtësi, të frymëzuar nga qielli përmes bamirësive të shumta. Në këtë ditë, i lënë mënjanë shqetësimet, ngrihen mbi horizontin e parashikuar nga domethënia e kësaj feste, harrojnë fatkeqësitë dhe hallet, ngase fryma vëllazërore e Bajramit sikur i fshin gjurmët e urrejtjes e të dëshpërimit, sepse kjo festë është një vijë ndarëse e rikuperimit të shpresës për jetë më të mirë.

Bajrami është një ditë që edhe fëmijët i mbush me gëzim, buzëqeshje e argëtim, një ditë për të afërmit që i bashkon ata në drejtësi dhe lidhje, ditë e vizitave dhe përqafimeve të shumta, ditë e lutjeve dhe shpresës, ditë ku bamirësi liron dorën për bamirësi, ditë kur duhen pastruar shpirtrat dhe duhen shtrënguar duart, duke shtuar dhe promovuar vëllazërinë, besnikërinë dhe dashurinë edhe më të fortë ndërmjet vete.

Pra festa e Fitër Bajramit, në kuptimin islam është vetë bukuria, madhështia, plotësimi dhe përsosja, bashkëpunimi e respekti, ndjenja e cila i lidh zemrat ndërmjet vete, shoqërimi i cili e forcon vëllazërinë ndërmjet nesh, ditë që forcon unitetin, ditë që në shikimin tonë figurativ sikur çdo gjë të vyshkur e kthen në gjelbërim nga kënaqësia që kemi për Zotin e Madhërishëm.

Të nderuar vëllezër e motra!

Gjatë festës së Bajramit, fryma e fqinjësisë zgjerohet dhe shtrihet e bëhet sikur tërë shoqëria të jetonte brenda një shtëpie në të cilën arrihet vëllazëria në kuptimin e saj praktik, tiparet dalin në formën e tyre natyrore dhe emocionet dhe prirjet dalin ashtu siç janë. Është një arenë për garë në kërkimin e veprave të mira. Fitër Bajrami është një mundësi për të mbajtur dhe forcuar edhe më shumë lidhjet familjare, duke treguar dashurinë, respektin dhe dhembshurinë mes tyre, gjëra këto që forcojnë unitetin ndërmjet familjeve dhe shoqërisë.

Andaj duhet bërë edhe më shumë që këto festa t’i festojmë si është më së miri, të mos zbehim festat tona nga bukuria e tyre fetare e kombëtare, t’ju falim atyre kuptimin shpirtëror edhe më të madh, shkëlqim e dritë vëllazërore. Festa e Fitër Bajramit ka për qëllim formimin e një shoqërie të lumtur e të ndërgjegjshme, e cila edhe gjatë ditëve të festave ngrihet në majat më të larta, ku ajo shfaqet kohezive, bashkëpunuese dhe e dhembshur në mes besimtarëve, deri në pikën ku çdo zemër të rrah me dashuri, drejtësi e mëshirë.

Të nderuar vëllezër e motra!

Gëzimi dhe lumturia janë të dukshme në fytyrat dhe zemrat e të gjithë besimtarëve gjatë ditëve të Fitër Bajramit, është nder i madh prej Zotit që ua mundësojë të gjithë atyre që agjëruan Ramazanin, adhuruan Zotin xh.sh., u solidarizuan me të varfrit, ndihmuan njerëzit nevojtarë, krijuan harmoni familjare brenda familjes, ruajtën krenarinë për fenë dhe atdheun, kaluan çdo sfidë vetëm për ta kënaqur Krijuesin, ngase në këtë mënyrë zemrat tona janë më afër Zotit dhe do të shpërblehen me begati të shumta prej Zotit të Madhërishëm.

Në fund më lejoni edhe njëherë që të gjithë besimtarëve si në Kosovë, ashtu edhe në mërgatën e largët, kudo që gjenden t’ju uroj këtë festë kaq madhështore dhe ta lus Zotin që të na falë shëndet, siguri dhe mundësi për të bërë edhe më shumë për vatanin tonë.

Myftiu i Kosovës,
Naim ef. Tërnava

Prishtinë,
9 prill 2024