Ushtarët ukrainas në Donbas flasin për AA lidhur me krizën Rusi-Ukrainë

Ushtarët e Forcave të Armatosura të Ukrainës në frontin e Zolote-s që ndodhet në rajonin Donbas në lindje të Ukrainës kanë folur për Anadolu Agency (AA) lidhur me krizën Rusi-Ukrainë.

Fronti i Zolote-s është skenë e përleshjeve mes ushtrisë ukrainase dhe separatistëve pro-rusë që nga viti 2014 ndërsa ndodhet në rajonin Lugansk të Donbas.

Një ushtar ukrainas mendon se qëllimi i Rusisë është t’i trembë ata. “Nuk do të ketë ndonjë sulm të madh. Tashmë 8 vite lufta po vazhdon dhe nuk është gjë e re”, tha ai.

Sipas tij, në rast të një sulmi të madh të Rusisë, kjo do të rezultonte me luftë botërore, por se është i mendimit se kjo nuk do të ndodhë.

Një ushtar tjetër tha se gjendja nuk do të shkonte më tutje. “Kuptojnë se e gjithë bota mund të bashkohen kundër tyre. Edhe për ata është e tepërt të luftojnë kundër të gjithëve”, tha ai.

Ndërsa një ushtar tjetër tha se është i mendimit se do të ketë luftë sepse lufta dhe paqja mes Ukrainës dhe Rusisë është një përsëritje e pafund, por se shpreson që do të fitojnë dhe se kështu Evropa do të fle e qetë.

 “Jemi këtu për të mbrojtur tokat tona”

Një ushtar tha se nëse ndodh luftë do të ketë luftë bërthamore, Luftë e Tretë Botërore dhe se do t’i vijë fundi botës, prandaj mendon se Rusia nuk do të sulmojë.

Ndërsa një tjetër ushtar tha se nga Rusia mund të pritet gjithçka, duke rikujtuar se edhe në vitin 1994 askush nuk ka pritur të sulmojnë në Çeçeni.

“Do të ketë humbje të mëdha sepse jemi këtu për të mbrojtur tokat tona”, tha një ushtar tjetër duke treguar se mund të pritet sulm nga Rusia.

– Kriza në Donbas

Në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, më 21 nëntor të vitit 2013 filluan protestat pasi presidenti i atëhershëm ukrainas, Viktor Yanukoviç, nuk nënshkroi marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian (BE).

Pasi Yanukoviç u largua nga vendi në shkurt të vitit 2014 pas rritjes së protestave, separatistët pro-rusë në qytetet Donetsk dhe Lugansk të rajonit Donbas në lindje të vendit shpallën të ashtuquajturën pavarësinë e tyre.

Në konfliktin që vazhdon nga viti 2014 mes qeverisë së Kievit dhe separatistëve pro-rusë kanë humbur jetën mbi 13 mijë persona.