Rrëfehet një djalë se i kishte pas thënë prindit të vet:
– Dua ta martoj një vajzë e cila më mahniti me bukurinë e saj dhe më mahniti shkëlqimi i syve të saj.
Prindi iu përgjigj me gëzim të madh duke i thënë:
– Ku gjendet ajo vajzë që ta fejoj për ty, o biri im?
Kur u nisën të dy së bashku dhe e pa prindi vajzën, u mahnit me të. Të birit i tha:
– O biri im, dëgjo! Kjo vajzë nuk është e rangut tënd dhe ti nuk je i përshtatshëm për të. Këtë vajzë e meriton një burrë që ka përvojë në jetë që ajo t’i mbështetet atij. Kjo ka nevojë për një njeri si unë.
Djali u habit nga fjalët e prindit të vet dhe i tha:
– Jo, nuk është ashtu! Unë do ta martoj këtë vajzë, e jo ti, o prindi im!
U zunë mes veti babë e birë, derisa shkuan në polici që ta rregullojnë problemin e tyre.
Kur ia treguan policit rastin e tyre, polici u tha që ta sjellin vajzën në polici dhe ta pyesin se për cilin do të martohet, për babain apo për të birin.
Kur e pa polici vajzën, u mahnit nga bukuria e saj dhe ra në sprovë. Atëherë u tha:
– Kjo nuk është për juve, kjo është për një njeri me prestigj si unë.
U zunë të tre dhe shkuan deri te ministri dhe kur e pa ministri vajzën, tha:
– Këtë vajzë nuk e marton askush tjetër, përveç se një ministër si unë.
Po ashtu ata u zunë mes tyre, derisa arriti çështja te emiri i vendit. Kur u paraqitën para tij, u tha se ai do ta zgjidhë problemin e tyre. Kur e sollën vajzën dhe e pa emiri, u fascinua nga bukuria e saj dhe tha:
– Jo këtë vajzë nuk e marton askush tjetër, përveç se emiri i vendit.
Ranë në polemikë mes veti se kush do ta martojë. Atëherë vajza foli dhe u tha:
– Unë mundem ta zgjidhi këtë problem mes jush! Unë do të filloj të vrapoj dhe ju do të vraponi pas meje, dhe ai i cili më kapë i pari, ai do të më martojë.
Dhe me të vërtetë, vajza filloi të vrapojë dhe të vrapojnë ata pas saj, djaloshi, prindi, polici, ministri dhe emiri, dhe papritmas duke vrapuar pas saj të gjithë ranë në një gropë të thellë! Vajza filloi t’i shikojë nga lart dhe t’u thotë:
– A e kuptuat se kush jam unë?! Unë jam dynjaja.
Nga arabishtja: Irfan JAHIU