Falënderimi i takon vetëm Allahut, i cili i shumëfishon veprat, i falë mëkatet dhe e pranon pendimin e robit. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.
O muslimanë, së pari e porosis veten e pastaj juve me devotshmëri. Devotshmëria është furnizimi më i mirë i dynjasë dhe ahiretit dhe me të robi shpëton Ditën e Kiametit: “Në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu”. (Esh-Shuara: 89)
Allahu i Madhëruar thotë: “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit; kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet). Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese”. (Ali Imran: 185)
Vdekja dhe ajo që do të ndodhë pas saj janë realitet. Vdekjen do ta shijojë çdo njëri nga ne, pasanik apo fukara, i shëndoshë apo i sëmurë, i madh apo i vogël, kryetar apo punëtor, nuk do t’i shpëtojë askush edhe nëse ik larg apo fshehët pas kodrave, ajo do ta arrijë: “Kudo që të gjendeni, do t’ju arrijë vdekja, madje, qofshi edhe në kështjellat më të forta!”. (En-Nisa: 78)
Vdekja edhe pse është e qartë dhe gjurmët e saj dallohen prapë mbetet fshehtësi nga fshehtësitë që i huton mendjet sepse çështja ndërlidhet me shpirtin. Allahu i Madhëruar thotë. “Do të të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: “Shpirti është çështjen që i përket vetëm Zotit tim, ndërsa juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni”. (El-Isra: 85)
E sheh një të ri me shëndet të mirë dhe me trup të fortë se si për një çast të vogël bëhet trup pa jetë, i palëvizshëm. Iku rinia e tij u asgjësua fuqia e tij dhe nuk funksionojnë më veshi, syri, gjuha dhe shqisat e tij. Ndoshta ishte dijetar i njohur apo poet i shquar apo mjek i dalluar apo shpikës i veçuar mirëpo a ka kush mund ta ndal melekun e vdekjes që t’ua merr shpirtin kur t’ju përfundojë exheli. Allahu i Madhëruar thotë: “Çdo popull ka afatin e vet. Prandaj, kur t’u vijë ai, ata nuk mund ta shtyjnë për asnjë çast e as ta shpejtojnë”. (Junus: 49)
Njeriu duke i shfrytëzuar begatitë e Allahut në shëndet e pasuri dhe lozje e dëfrim, i vjen koha kur sëmundja e vdekjes e sulmon sikurse luani viktimën e tij dhe atëherë i dobësohet trupi, i ulet zëri, këmbët nuk e mbajnë, i humbet fuqia dhe pasi që ta lë këtë dynja i hapen fletushkat e veprave të tij. Sa e afërt është vdekja!! Çdo ditë na afrohet dhe ne i afrohemi asaj dhe mes neve dhe asaj nuk na ndan vetëm se ndërhyrja e exhelit dhe të radhitemi në mesin e të vdekurve. Vitet në realitet nuk janë tjetër vetëm se trëndafila që hapen e pastaj vyshken, apo fener që bën dritë e pastaj fiket apo yll që ndriçon e pastaj bëhet hi. Të gjithë ata që i pasojnë epshet dhe pasionet dhe shkojnë pas kënaqësive të ndaluara le ta dinë se një ditë do t’i bashkëngjiten banorëve të varrezave. Atë që e shohim nëpër varreza është argument i madh për të medituar. Bartësi i xhenazes sot, nesër do të bëhet për ta bartur atë dhe ai që kthehet në shtëpi nga varrezat, nesër do të kthehet përsëri në to ku do të mbetet përgjithmonë i vetmuar me atë që e ka punuar nga veprat e veta, e ato nëse kanë qenë të mirë do të shpërblehet e nëse kanë qenë të liga do të dënohet.
Sot jemi dëshmitarë të disa njerëzve që lozin dhe dëfrehen apo janë sprovuar me syfaqësi dhe dëshirë për autoritet nga shkujdesja e madhe e tyre e cila ua ngurtësoi zemrat derisa e harruan jetën e varrit dhe të ahiretit. Ajo që ja vlen të ceket se i lumtur është ai që e di se vdekja do ta arrijë dhe se dheu do të bëhet shtrati i tij, varri vendbanimi i tij, Kiameti takimi i tij, Xheneti dhe Xhehenemi arritja e tij dhe ai përgatitet me përpikëri dhe veten e llogarit nga banorët e varrezave.
Ai që e rikujton vdekjen i lehtësohet dynjaja dhe sprovat e saj, ambiciet i ka të mëdha, është larg syfaqësisë dhe kërkimit të famës dhe autoritetit dhe afër kërkimit të begative të Xhenetit të përhershëm. Të rikujtuarit e vdekjes nuk e ka për qëllim dëshpërimin e jetës së njeriut dhe izolimin i tij nga jeta dhe largimin nga puna dhe prodhimi, por për qëllim ka thirrjen për vepra sa më të shumta të mira dhe largimin nga gjynahet dhe zbutjen e zemrës së ngurtësuar. Ne e rikujtojmë vdekjen që t’i shtojmë veprat dhe adhurimet, agjërimin dhe namazin e natës, thirrjen në të mirë dhe ndalimin nga e keqja dhe ndihmesën e nevojtarëve.
Abdurrahman ibën Mehdi, Allahu e mëshiroftë, thotë: Nëse i thoshin Hamad ibën Seleme, Allahu e mëshiroftë, se ti do të vdesësh nesër, ai nuk do të kishte mundësi të shtojë nga veprat asgjë. Kjo për arsye se ai kohën e vet e kishte të preokupuar të tërën me adhurime dhe nënshtrime.
Përgatitja për vdekje të jetë me largimin nga të ligat dhe gjynahet dhe dhënien e të drejtave dhe largimin e padrejtësive. Përgatitja për vdekje të jetë me largimin e urrejtjeve dhe armiqësive nga zemrat. Përgatitja për vdekje të jetë me respektimin e prindërve dhe lidhjeve farefisnore.
Përmendet se një nga selefi kishte thënë: “Nëse një orë e largoj nga unë rikujtimin e vdekjes, do të më shkatërrohet zemra”.
Thuhet se: Kush e shpeshton përmendjen e vdekjes fisnikërohet me tri gjëra: Ngutet në pendim, zemrën e vet e bind dhe bëhet më aktiv në adhurim. Kurse kush e harron përmendjen e vdekjes pendimin e vonon, kënaqësinë e largon dhe bëhet dembel në adhurime.
Kur do të përgatitet ai të cilin e kanë pushtuar retë e epshit dhe ecën nëpër luginën e shkujdesjes? Kur do të përgatitet ai të cilit nuk i intereson hallalli dhe harami? Kur do të përgatitet për vdekje ai që e ka braktisur Kur’anin dhe e ka harruar ta fal namazin e sabahut me xhemat dhe e ha kamatën dhe i ha të hollat e njerëzve me të padrejtë dhe bën imoralitet? Si do të jetë i përgatitur ai që përgojon dhe bart fjalë dhe zemra e tij është e mbushur me urrejtje dhe zili dhe e ka humbur jetën e tij duke i përcjellë të metat e muslimanëve dhe shpif në nderin e tyre?
Pejgamberëve kur u afrohej vdekja kishin mundësi zgjedhjeje, mes mbetjes në dynja apo kalimit tek Zoti i tyre. Pa dyshim se të gjithë nga ta e zgjodhën kalimin tek Zoti i tyre dhe kjo ishte edhe zgjedhja e të Dërguarit tanë, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.
Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja qofshin mbi të, ka thënë. “Nuk i është marrë shpirti asnjë pejgamberi derisa ta sheh vendin e tij në Xhenet”.
Kur u sëmurë erdhi Xhibrili dhe i tha se Allahu më ka dërguar të jap leje të zgjedhësh me qëndrimit në këtë botë dhe shkuarje te Allahu. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja qofshin mbi të, tha: “Gjithsesi se unë e zgjedh Allahun, gjithsesi se unë e zgjedh Allahun”.
Në momentin e vdekjes dhe dhembjeve të saj, në varr dhe errësirën e tij, në Ditën e Kiametit dhe vështirësive të saj njerëzit ndahen në dy grupe: njëri grup nga ta përqendrohet gjatë sprovave dhe sigurohet gjatë frikës dhe përgëzohet me Xhenet, kurse grupi tjetër është grupi i nënçmuar dhe i poshtëruar: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar”. (Fusilet: 30)
Besimtarëve të përqendruar në fenë e Allahut u zbresin melekët gjatë vdekjes së tyre, në varr dhe gjatë ringjalljes së tyre duke i qetësuar dhe duke i siguruar nga frika dhe vështirësitë e ahiretit dhe duke u thënë: Mos u frikoni nga ajo që ju vjen dhe mos u pikëlloni për atë që e latë në dynja nga familja, fëmijët dhe pasuria. Ne jemi kujdestarët e tyre dhe jemi kujdestarët e juaj në ahiret. Do ju mbrojmë nga egërsira e varrit dhe kur do t’i fryhet Surit dhe kur do të ringjalleni.
Kurse jobesimtarëve kur do t’ju zbres vdekja dhe vështirësitë e saj do t’ju merret shpirti të poshtëruar dhe të nënçmuar: “Ah sikur t’i shihje keqbërësit gjatë agonisë së vdekjes, kur engjëjt zgjasin duart (duke thënë): “Dorëzoni shpirtrat tuaj! Sot ju do të ndëshkoheni me dënim poshtërues për shkak të të pavërtetave që keni thënë për Allahun dhe që keni shpërfillur shpalljet e Tij”. (El-En’am: 93) Në ato momente u shtohen mundimet e vështirësitë dhe vuajtjet e pikëllimet dhe dëshirojnë të kthehen në dynja: “Kur i vjen vdekja ndonjërit prej tyre (jobesimtarëve), ai thotë: O Zoti im, më kthe”. (El-Mu’minun: 99)
Katade, Allahu e mëshiroftë, në komentin e këtij ajeti thotë: “Pasha Allahun, ata nuk shpresojnë të kthehen tek familja apo tek pasuria dhe as të tubojnë nga dynjaja e të shkojnë pas epsheve, po ata shpresojnë që të kthehen ta bëjnë një vepër për Allah dhe t’i nënshtrohen urdhrave të Tij. Allahu e mëshiroftë atë që e vepron atë që e shpresojnë jobesimtarët kur ta shohin dënimin e zjarrit”.
O muslimanë, njeriu, të cilit i është afruar momenti i vdekjes, është shumë nevojtar për përqendrim nga ana Allahut që fjala e fundit e tij me të cilën do të del nga kjo dynja të jetë: La ilahe il-lallah.
Muadh ibën Xhebeli, Allahu qoftë i kënaqur me të, na përcjell se Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Ai i cili thotë si fjalën e fundit la ilahe il-lallah hyn në Xhenet.”
Pëlqehet që njeriu të shkon të prezanton tek ai që është afër vdekjes që t’ia rikujtojë dëshminë dhe po ashtu veprat e mira të tij me qëllim që të ketë mendim të mirë për Zotin e tij.
Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Mos të vdesë askush nga ju vetëm se duke pasur mendim të mirë për Allahun”.
Nga Suneti është që t’i përmenden të mirat që i ka bërë i vdekuri dhe t’i mbulohen të metat dhe veprat e liga të tij. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Mos i shani dhe mos i përgojoni të vdekurit, sepse ata e kanë arritur vendin e merituar për çfarë ata kanë kryer (nga veprat e tyre për t’u shpërblyer për ta).
Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon: “Kaloi një kortezh me një xhenaze dhe njerëzit e lavdëruan të ndjerin. Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “U vendos për të.” Pastaj kaloi një kortezh me një tjetër xhenaze dhe njerëzit folën keq për të vdekurin. Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “U vendos për të.” Omeri e pyeti të Dërguarin e Allahut dhe i tha: “Çfarë u vendos?” Ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u përgjigj: “Për këtë ju folët mirë dhe e lavdëruat, kështu që për të u vendos (u pohua Xheneti), ndërsa për atë tjetrin ju folët keq, kështu që edhe për të u vendos (u pohua) Zjarri. Ju njerëz jeni dëshmitarët e Allahut në tokë.”
Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon: “Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nëse katër veta dëshmojnë për drejtësinë dhe përkushtimin e një muslimani, Allahu do t’i dhurojë atij Xhenetin.” E pyetën: “Po tre?” Ai tha: “Edhe tre.” Thanë: “Po dy?” Ai tha: “Edhe dy.” Pastaj nuk e pyetën më për një dëshmues.
Nga të drejtat e muslimanit ndaj muslimanit është që t’i falet namazi, të bëhet dua për të dhe të varroset. Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: ”Kush përcjell një xhenaze derisa t’i falet namazi ai ka shpërblim një kirat, e kush qëndron derisa të varroset ai ka shpërblim dy kirate”. Ç’janë dy kirate? – e pyetën. Sa dy kodra të mëdha – u përgjigj i Dërguari, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.
Ndërsa sipas imam Muslimit: ”Prej atyre të dyjave, më e vogla është sa kodra e Uhudit.”
Shejh Dr. Abdulbarij eth Thubejti
Nga arabishtja: Irfan JAHIU