VDEKJEN E SHIJOVE EDHE TI

Me ty na lidhi një gjë që nuk mund ta shpjegoj dot. Jam i pafuqishëm po aq sa i tronditur për lajmin e vdekjes tënde. Neve mund të na duket herët por këto janë gjëra që janë paracaktuar para se të lindim. Po harrojmë se vdekja që i ndan të dashurit, vjen në befasi. Edhe pse e dimë se pashmangshëm vjen.

Pikëtakimi i dashurisë dhe respektit ishte besimi, bindja dhe përkushtimi ndaj Krijuesit. Ishte brenga dhe angazhimi për fenë e Tij. Ajo dashuri pastaj ujitej me vëllazëri dashamirëse, me takime, biseda e konsulta që çdo herë ishin të këndshme. Takoheshim edhe te dashuria dhe respekti i madh për njeriun që ti pate nderin të ishte babai yt, e që ne mburreshim se ishte i yni, shqiptar, dijetarin Abdulkadir Arnautin. Ndihesha shumë i llastuar sa herë ma kujtoje: Baba ty t’ka dasht’ fort!
Jetove jabanxhi, ashtu si ka ardhë në porositë e të dashurit tonë, jabanxhi në vendlindjen tënde (Sham), jabanxhi në vendlindjen e babait (Kosovë).
Na vjen vështirë ta pranojmë për ata që i duam, ama pa vdekë s’po bajka!
Lutjet tona për ty janë parezervë ndërsa shpresën e ushqejmë edhe me faktin se pas vetes ke lënë dy gjëra që do të të mbajnë gjallë: trashëgimia akademike në shërbim të fesë dhe familjen, djemt e edukuar që sigurisht do të ta ruajnë fytyrën e do të luten për ty.
Të qoftë e këndshme Mëshira dhe Falja e Allahut në këtë muaj të bekuar!