Vdes një adoleshent palestinez nga të shtënat izraelite

Vdes një adoleshent palestinez nga të shtënat izraelite

Një adoleshent palestinez u vra kur ushtarët izraelitë shpërndanë protestat kundër vendbanimeve të paligjshme hebraike, raporton Anadolu Agency (AA).

Dëshmitarët okularë gjithashtu thanë se palestinezë të shumtë u plagosën në demonstratat e zhvilluara në qytetet e Bregut Perëndimor Nablus, Qalqilya dhe Ramallah.

Ushtarët izraelitë shpërndanë protestat e mbajtura në të gjithë Bregun Perëndimor me plumba të vërtetë dhe plumba gome, si dhe gaz lotsjellës. Palestinezët qëlluan me gurë ushtarët dhe dogjën goma.

Vrasja e të riut u konfirmua nga Ministria Palestineze e Shëndetësisë në një deklaratë, megjithatë, nuk u dha detaje të tjera. Ministria shtoi se gjashtë palestinezë u plagosën nga plumbat e vërtetë dhe u dërguan në një spital në Nablus.

Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe tha se janë plagosur 9 persona, duke shtuar se gjashtë u dërguan në spital.

Ndërkohë, dëshmitarët okularë thanë se 15-vjeçari Mohammad Said Hamayil u vra nga të shtënat izraelite.

Dëshmitarët gjithashtu thanë se dhjetëra protestues gjithashtu pësuan vështirësi në frymëmarrje pasi thithën gaz lotsjellës.

Sipas shifrave izraelite dhe palestineze, rreth 650 mijë kolonë izraelitë jetojnë në Bregun Perëndimor të okupuar dhe Kudsin Lindor.

Ligji ndërkombëtar i konsideron Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor si territore të okupuara dhe e konsideron të paligjshme të gjithë veprimtarinë e ndërtimit të vendbanimeve hebraike atje.

Në vitin 1967 Izraeli pushtoi pjesë të mëdha të territoreve palestineze, duke përfshirë Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës, Gadishullin Sinai dhe pjesën perëndimore të Lartësive të Golanit.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi disa rezoluta, duke e detyruar Izraelin të lëshojë territoret e okupuara, por Izraeli neglizhoi të gjitha dhe vazhdon politikën e tij ekspansioniste.