Shortest-and-longest-fasting-hours-during-Ramadan

VEÇORITË E MUAJIT RAMAZAN

O muslimanë, frikojuni Allahut dhe falënderoni Atë. Dijeni se prej urtësisë së madhe të Tij është ta veçon kë të dojë prej krijesave të Tij dhe ta dallon njërën krijesë nga tjetra. Disa nga njerëzit i bëri të dallohen nga të tjerët dhe disa vende i bëri të dallohen nga vendet tjera dhe po ashtu disa periudha i bëri të dallohen nga periudhat tjera dhe Allahu prej tyre e veçoi dhe dalloi muajin e Ramazanit prej muajve tjerë dhe në Kur’an tha: Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja)”. (El-Bekare: 185)

I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i qartësoi edhe më gjerësisht veçoritë e muajit Ramazan me një hadith të cilin na e përcjell Selman el Farisij, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe i cili thotë: “I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, na ligjëroi në ditët e fundit të muajit Shaban dhe tha: “O ju njerëz, po afrohet një muaj i madh dhe i bekuar. Në këtë muaj është një natë që është më e mirë se njëmijë muaj. Gjatë këtij muaji Allahu e ka bërë agjërimin të detyrueshëm dhe faljet gjatë natës të lavdërueshme. Ai që e kryen një punë të mirë vullnetare gjatë këtij muaji, është si të ketë kryer një punë të detyrueshme në çdo kohë tjetër. Ai që kryen një vepër të detyrueshme është si të ketë kryer 70 punë të detyrueshme në çdo kohë tjetër. Ky është muaji i durimit dhe shpërblimi i durimit është Xheneti. Ky është muaji i barazisë dhe bujarisë dhe bamirësisë. Në këtë muaj furnizimi i besimtarit rritet. Kushdo që i jep ushqim një agjëruesi këtë muaj, kjo do të bëhet shkak që atij t’i falen mëkatet, do të shpëtojë nga zjarri dhe ai do ketë shpërblimin e tij pa i hequr personit që ushqehet asnjë pjesë të shpërblimit të tij”.

Njerëzit i thanë: “O i Dërguar i Allahut, nuk mundet çdokush prej nesh të ushqejë ndonjë agjërues”. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, u përgjigj: “Allahu e shpërblen atë që ushqen një agjërues me hurmë, ujë ose qumësht. Fillimi i këtij muaji është mëshirë, mesi falje kurse fundi shpëtim nga zjarri. Atë që jep nga pasuria e vet, Allahu e mëshiron dhe e shpëton nga zjarri. Shtoni në këtë muaj katër gjëra: me dy fitoni pëlqimin e Allahut kurse me dy tjera jeni të detyruar. Dy të parat janë: dëshmia se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç se Allahut dhe kërkimi për faljen e mëkateve, kurse dy të fundit janë: kërkoni prej Allahut Xhenetin dhe mbështetuni në mbrojtjen e Tij nga zjarri. Kush i jep ujë agjëruesit, Allahu i jep atij prej lumit tim dhe nuk ndien etje derisa të hyjë në Xhenetin e Allahut”.

O robër të Allahut, në këtë hadith janë të qartësuara gjerësisht veçoritë e muajit Ramazan dhe i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, e ka përshkruar këtë muaj si të madh dhe të bekuar. Këto dy cilësi i japin një veçori të posaçme muajit Ramazan kundruall muajve tjerë. Çdo çast i këtij muaji përshkruhet se është i madh dhe i bekuar. I bekuar në kohë, i bekuar në vepër dhe i bekuar në shpërblim. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, lajmëroi se në të është një natë që është më e mirë se njëmijë muaj. Ajo natë është nata e Kadrit dhe muaji Ramazan veçohet me të për arsye se ajo natë nuk gjendet në muajt e tjerë. Ajo natë është më e mirë se çdo natë tjetër dhe në Kur’an përshkruhet me cilësi të mëdha.

Ajo është nata kur zbriti Kur’ani: Ne e kemi zbritur (Kur’anin) në Natën e Kadrit”. (El-Kadr: 1) Ibën Abasi, Allahu e mëshiroftë, përmend se Kur’ani ka zbritur i kompletuar në qiellin e parë të dynjasë, i cili njihet me emrin Bejtul Iz’zeh, dhe kjo ka ndodhur natën e Kadrit. Ajo natë është nata e bekuar ashtu siç e përshkruan Allahu në Kur’an: Ne e zbritëm Kur’anin në një natë të bekuar”. (Ed-Duhan: 3) Ajo është nata kur zbresin melekët me mirësi: “Melekët dhe Shpirti (Xhibrili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë”. (El-Kadr: 4) Ajo është nata kur vendoset përcaktimi vjetor: “Në atë (natë të zbritjes së Kur’anit) vendoset çdo punë e urtë”. (Ed-Duhan: 4) Ajo natë e tëra është paqe: “Paqe është ajo deri në lindjen e agimit”. (El-Kadr: 5) Ajo natë e madhe me begatitë dhe mirësitë e saj është një nga veçoritë e muajit Ramazan.

Prej veçorive tjera që i qartësoi Muhamedi, alejhi salatu ue selam, në këtë hadith është se gjatë këtij muaji Allahu e ka bërë agjërimin të detyrueshëm dhe faljet gjatë natës të lavdërueshme. Agjërimi gjatë ditës në këtë muaj është një prej shtyllave të Islamit dhe me përfshirjen e një prej shtyllave të Islamit gjatë këtij muaji ky muaj veçohet prej muajve tjetër. Po ashtu veçohet edhe me faljen e teravive, i cili është një prej namazeve të lavdërueshme, dhe kjo falje nuk ligjësohet jashtë këtij muajit.

Prej veçorive tjera që i qartësoi Muhamedi, alejhi salatu ue selam, në këtë hadith është se shtohen sevapet në këtë muaj. Puna vullnetare në sevap është si sevapi i një pune të detyrueshme në çdo kohë tjetër dhe puna e detyrueshme në sevap është si të ketë kryer 70 punë të detyrueshme në çdo kohë tjetër. Nuk dihet se sevapet shtohen në një muaj tjetër si në muajin e Ramazanit dhe kjo veçori e bën këtë muaj të veçohet prej muajve tjerë.

Prej veçorive tjera të këtij muaji është se ky muaj është muaj i durimit. Muslimani bën durim nga largimi i epsheve dhe bën durim në vështirësitë e adhurimeve. Durimi është një nga nënshtrimet më të rënda për shpirtrat dhe për këtë arsye shpërblimi i tij është Xheneti: Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë”. (Ez-Zumer: 10)

Prej veçorive tjera të këtij muaji është se ky muaj është muaj i bujarisë. Bujaria e Allahut në këtë muaj shfaqet me faljen e robërve të Tij dhe lirimin e tyre prej zjarri të Xhehenemit. Kurse bujaria mes robërve shfaqet me barazinë mes tyre, ushqimin e të varfërve, ushqimin e agjëruesve dhe me butësinë mes tyre.

Prej veçorive tjera të këtij muaji është se ky muaj është muaj i mëshirës mes njerëzve dhe muaj i zbritjes së mëshirës prej Mëshiruesit. Pasaniku e mëshiron të varfrin, i forti e mëshiron të dobëtin, sunduesi e mëshiron atë që është nën pushtetin e tij, kurse ata që mëshirojnë Allahu i mëshiron.

Po ashtu prej veçorive të këtij muaji është shumëllojshmëria e mirësive në të. Fillimi i tij është mëshirë, mesi i tij është falje kurse fundi i tij lirim prej zjarri.

O robër të Allahut, është e pamundur që një muaj t’i posedojë këto cilësi dhe veçori dhe njeriu mos të gëzohet me ardhjen e tij. Prandaj i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, e luste Allahun që t’ia mundësojë ta arrijë muajin Ramazan dhe kur hynte muaji Rexheb thonte: “O Zot, bekona në muajin Rexheb dhe Shaban dhe mundësona ta arrijmë muajin Ramazan”. Kurse të parët tanë e lusnin Allahun gjashtë muaj që t’ua mundësojë që ta arrijnë muajin Ramazan, e pasi që e arrinin e lusnin edhe gjashtë të tjera që t’ua pranojë muajin Ramazan. Shkaku i kësaj lutjeje ishin adhurimet e shumta dhe mirësitë e shumëllojshme që i jepte ky muaj.

Allahu, azze ue xhel, thotë: O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat. Agjërimi zgjat disa ditë, por, nëse ndonjëri prej jush është I sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. E, nëse ndonjëri jep më shumë se kaq, kjo është edhe më mirë për të. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini. Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është I sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë. Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë”. (El-Bekare: 183-185)

Shejh Dr. Salih El Feuzan

Nga arabishtja: Irfan JAHIU