74B9E164-33C1-49A9-8C44-7D546945713B

Vendet e BE-së përpiqen të caktojnë çmimin tavan për gazin

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) janë mbledhur për të caktuar nivelin e çmimit tavan që do të zbatohet për gazin e importuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministrat e Energjisë të 27 vendeve anëtare të BE-së u mblodhën në Bruksel për masat që do të merren kundër krizës së energjisë në Evropë dhe për të diskutuar vendosjen e çmimit tavan ndaj gazit natyror të importuar.

Jozef Sikela, ministri i Industrisë së Çekisë, që ka presidencën e radhës së BE-së, në një deklaratë në hyrje të takimit tha se “Duhet të biem dakord për një mekanizëm i cili do të mbrojë familjet dhe bizneset në Evropë nga rritjet e larta që vërejtëm verën e kaluar në çmimet e gazit”.

“Sot nuk shoh ndonjë arsye për të mos arritur marrëveshje”, tha Sikela i cili shtoi se edhe liderët e vendeve të BE-së në samitin e mbajtur javën e kaluar i bënë thirrje ministrave të Energjisë që të bien dakord për çështjen e çmimit tavan të gazit.

Ai vuri në dukje se disa vende të BE-së kanë shqetësim se si pasojë e zbatimit të çmimit tavan të gazit, tregu evropian mund të humbasë fuqinë konkuruese dhe se mund të përjetohet mungesë e gazit. Sikela shtoi se për këtë arsye kanë rekomanduar një mekanizëm që do të jetë “frenim emergjent” për çmimin tavan të gazit dhe se kësaj mund t‘i japin fund nëse shohin se çmimi tavan nuk funksionon.

Komisioni Evropian (KE) muajin e kaluar propozoi zbatimin e një mekanizmi rregullues që njihet si “çmimi tavan” ndaj çmimeve të gazit në tregje.

Plani do të hynte në fuqi nëse kontrata afatgjate e gazit të tregtuar në TTF, qendra virtuale e tregtimit të gazit natyror me bazë në Holandë me thellësinë më të thellë në Evropë do të tejkalonte 275 euro për dy javë dhe nëse çmimi i gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Evropë do të rritej mbi 58 euro për megavat-orë në tregjet globale.

Propozimi i fundit i përgatitur nga Presidenca e radhës në BE, Çekia për të siguruar dakordim mes vendeve anëtare, përfshin vendosjen në zbatim të çmimit tavan në rast se çmimi i gazit natyror tejkalon 188 euro për megavat-orë përgjatë tre ditëve dhe nëse diferenca me çmimet globale të LNG-së do të jetë 35 euro.

Ky propozim përfshin një masë për të pezulluar kufirin e çmimit edhe në rast se në importet e LNG-së shënohet rënie serioze ose në rast se shënohet rritje prej 15 për qind në konsumimin e gazit.

Vende si Gjermania, Holanda, Austria, Danimarka dhe Hungaria kanë qasje të distancuar për zbatimin e çmimit tavan në fjalë. Këto vende druhen se zbatimi i çmimit tavan do të reduktojë furnizimin me gaz në Evropë.

Çmimi i kontratës afatgjate i gazit që tregtohet në TTF u rrit në 340 megavat-orë në muajin gusht ndërsa sot tregtohet për 108 euro.