VEPRIMI I SË MIRËS PAS SË KEQES

Kur të biesh në ndonjë gjynah, shpejto veproje një të mirë, se e mira e shlyen të keqen.

Ibn Mesudi tregon për një burrë që kishte rënë në gjynah, e kishte puthur një grua (të huaj) dhe pas këtij rasti kishte shkuar te Pejgamberi (alejhi selam) dhe i kishte treguar, e Allahu e zbriti ajetin: “Fale namazin në mëngjes e mbrëmje dhe në një kohë të natës, sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija…” (Hud: 114); Njeriu tha: “O i Dërguari i Allahut, a veç për mua ka zbritur ky ajet?” Pejgamberi (alejhi selam) tha: “Kjo vlen për gjithë umetin tim.”[1]

Në një transmetim tjetër që e shënon imam Muslimi përcillet se shkoi një njeri te Pejgamberi  (alejhi selam) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Kisha kontakt (jashtë kontaktit intim) me një grua (të huaj) në periferi të Medinës, e përqafova dhe e putha atë, tani jam para teje (i penduar) dhe vepro me mua çfarë të duash?” Omeri  i tha: “Allahu ta mbuloi gjynahun, më e mira do të ishte mos ta shpalosësh atë.” Pejgamberi (alejhi selam) nuk foli gjë. Njeriu u ngrit dhe shkoi, ndërsa Pejgamberi (alejhi selam) e dërgoi pas tij njërin prej sahabëve ta thirrte që të kthehej dhe pasi u kthye, ia lexoi ajetin: “Fale namazin në mëngjes e mbrëmje dhe në një kohë të natës, sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija…” (Hud: 114); Një i pranishëm aty tha: “O i Dërguari i Allahut, a është kjo e veçantë veç për këtë njeri?” Pejgamberi m tha: “Kjo vlen për gjithë njerëzit.”[2]

Pejgamberi (alejhi selam) tha: “Allahu nuk e shlyen të keqen me të keqe, por e shlyen të keqen me të mirë.”[3]

Pejgamberi (alejhi selam) tha: “Ki frikë Allahun kudo që të jesh. Pasoje të keqen me një të mirë, sepse e mira e shlyen atë dhe sillu me njerëzit me moral të mirë.”[4]

Pejgamberi (alejhi selam) e ilustron me një shembull këtë realitet dhe thotë: “Shembulli i atij që punon të këqija e pastaj punon të mira është si shembulli i njeriut që e kishte një parzmore në trupin e tij e ajo e ngushtonte derisa madje e ngulfaste, e më pas e bëri një të mirë, kështu që një hallkë e parzmores u lirua, pastaj e bëri të dytën dhe u lirua hallka tjetër (dhe kështu veproi) derisa ra parzmorja në tokë dhe njeriu u lirua.”[5]

Muadh ibn Xhebeli , kur dëshiroi të nisej për udhëtim, i tha Pejgamberit (alejhi selam): “O i Dërguari i Allahut, më këshillo.” I tha: “Adhuroje Allahun dhe mos adhuro dikë tjetër.” Muadhi tha: “O i Dërguari i Allahut, më këshillo më shumë.” I tha: “Nëse e vepron një të keqe, pas saj bëje një të mirë.” Muadhi tha: “O i Dërguari i Allahut, më këshillo më shumë.” I tha: “Përqendrohu në fe dhe përmirësoje moralin tënd!”[6]

Rregulla se veprat e mira i shlyejnë gjynahet është e përgjithshme. Kanë ardhur argumente ku myslimani nxitet të marrë abdes dhe të falë namaz pas bërjes së gjynahut. Aliu tregon: “Kur dëgjoja ndonjë hadith prej Pejgamberit (alejhi selam), ma mundësonte Allahu të përfitoja nga hadithi aq sa dëshironte, ndërsa kur ma tregonte hadithin tjetërkush, kërkoja njëherë prej tij të betohej e nëse betohej, i besoja. Një herë Ebu Bekri  më tregoi që e kishte dëgjuar Pejgamberin  (alejhi selam) se kishte thënë: “Nuk ka njeri që bën gjynah e më pas merr abdes dhe e përkryen abdesin e tij, e pastaj i fal dy rekate dhe kërkon falje prej Allahut, vetëm se Allahu ia fal atij.”[7]

Ka ardhur në sunetin profetik një pjesë e veprave që i shlyejnë gjynahet, ato janë shumë dhe përkufizimi i tyre është i vështirë në këtë rast, por ndër to përmendim:

  1. Abdesi:

Allahu në përfundimin e ajetit ku përshkruhet abdesi thotë: “…Allahu nuk dëshiron t’ju krijojë ndonjë vështirësi, por dëshiron t’ju pastrojë dhe t’i plotësojë dhuntitë e Tij ndaj jush, që të jeni falënderues.” (El-Maide: 6)

Ebu Hurejra tregon se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Kur myslimani merr abdes dhe e lan fytyrën e tij, bashkë me ujin apo me pikën e fundit të ujit, nga fytyra i bie çdo gjynah që ai e ka shikuar me sytë e tij. Kur i lan duart e tij, bashkë me ujin apo me pikën e fundit të ujit i bie çdo gjynah që e ka prekur me duart e tij. Kur i lan këmbët e tij, bashkë me ujin apo me pikën e fundit të ujit i bie çdo gjynah që e kanë bërë këmbët e tij, derisa të pastrohet nga të gjitha gjynahet.”[8]

Abdesi është ibadet që përsëritet dhe njeriu e vepron disa herë brenda ditës. Po qe se njeriu do të meditonte kuptimin e këtij hadithi gjatë marrjes së abdesit, do ta gjente veten duke e rikthyer shiritin e kujtimeve me gjynahet e tij, por tani larg epshit që e pati mposhtur dhe kënaqësisë që ia pati verbëruar sytë derisa kishte rënë në gjynah. Ato tani do t’i kujtojë, por me keqardhje dhe me pendim. Këto pamje tanimë tek ai do të ngjallin dëshirë për të ikur nga gjynahet. Por, ne fatkeqësisht jemi të pakujdesshëm ta kujtojmë këtë botëkuptim gjatë marrjes së abdesit.

  1. Pesë kohët e namazit:

Një prej shkaqeve që më shumë i shlyen gjynahet është falja e pesë kohëve të namazit. Ebu Hurejra tregon se e kishte dëgjuar Pejgamberin (alejhi selam) të thoshte: “Çfarë mendoni për një njeri që para derës së tij kalon një lum, e ai për çdo ditë pesë herë pastrohet aty, a ka për të mbetur papastërti në trupin e tij.” I thanë të pranishmit: “Jo, nuk ka për t’i mbetur asgjë nga papastërtia.” Pejgamberi (alejhi selam) tha: “Kështu është shembulli me pesë kohët e namazit, ato janë shkak që Allahu t’i shlyejë gjynahet.”[9]

 

DR. MUHAMED ED DUVEJSH

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

PJESË NGA LIBRI “RRUGA E SHPËTIMIT NGA E KEQJA E GJYNAHUT”

(Libri është i përkthyer në shqip)

 

[1] Buhariu (526), Muslimi (2723).

[2] Muslimi.

[3] Ahmedi (1/387).

[4] Ahmedi (5/153), Tirmidhiu (1987), dhe tha që hadithi është hasen sahih.

[5] Taberaniu prej hadithit të Ukbe ibn Amirit.

[6] Hakimi (4/272), dhe tha që zinxhiri i hadithit është i saktë, por Buhariu dhe Muslimi nuk e kanë shënuar hadithin.

[7] Ahmedi (1/2).

[8] Muslimi (244).

[9] Buhariu (528), Muslimi (667).