VERA DHE IMANI JOT

Imani është në rrezik, imani që buron thellë në zemër, gojën e shprehësit e hijeshon dhe sinqeritetin e tërë kësaj me gjymtyrë dhe veprime e vërteton është bërë objektiv sulmi nga shumë anë. Stina e verës që është një nga mirësitë e panumërta të Allahut po shfrytëzohet në mënyra nga më të ndryshmet dhe të çuditshmet për ta luftuar, cunguar, shkërmoqur madje edhe për ta zhdukur imanin tek Allahu.

Njerëz që flasin gjuhën tonë dhe që kanë pirë të njëjtin ujë si ne, gjejnë aso hilesh dhe dredhish për t’i larguar njerëzit nga rruga e xhenetit, saqë edhe shejtani me siguri ua ka zili, sesi ka mundur t’u shkojë mendja ashtu. Gjërat e neveritshme ia bëjnë të dashura, gjërat e ulëta emancipim, të keqen të mirë, Sunetin ekstremizëm dhe mosbesimin përparim e evropianizim!

Në stinën e verës lakuriqësia e pashembullt që po shtohet çdo ditë e më shumë është sfida më e përqendruar, e ndihmuar nga qarqe të llojllojshme për të prishur atë që gjendet e shëndoshë vetëm te muslimanët, familjen. Fatkeqësisht ndikimi i thirrjeve të tyre ka pasur një ndikim marramendës te shumë njerëz, madje edhe te shumë sish që i ruajnë vlerat me këmbëngulje. Nëse dikujt i duket se po hiperbolizohet konstatimi, se lakuriqësia e femrave rrezikon imanin e njerëzve, unë e përkujtoj atë me fjalët e Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ue selem: “Pas meje, nuk kam lënë fitne më të dëmshme për burrat, sesa gratë”.

Nëse meshkujt bien në këtë sprovë, atëherë do të mbesin të pafuqishëm për të qenë thirrës drejt mirësisë nëpër familjet e tyre përballë të këqijave që ndodhin, d.m.th. devijimi i tij mund të shkaktojë anomali edhe te familja e tij dhe te gjithë ata që e rrethojnë. Ne duhet të jemi syçelët për rrezikun që na kanoset, dhe më pas të mos lejojmë të bëhemi viktima të “ushtrive” kaq të dobëta. I përshkruaj të dobëta megjithëse përgatitjet dhe fondet e tyre janë shumë të mëdha, sepse kam parasysh përkrahjen dhe udhëzimet e të Plotfuqishmit, i Cili na krijoi dhe e përsosi krijimin tonë. Ai na zbriti Librin, na dërgoi të dërguar për të shpjeguar se e gjithë ajo që është në Libër mund të jetësohet dhe praktikohet. Na mësoi që mbrojtja e shikimit është më e pastër për ne, se “kush braktis diçka për hir të Allahut, Ai ia zëvendëson me diçka më të mirë”, se “nëse ju e ndihmoni fenë e Allahut, Ai do t’ju ndihmojë juve”. Madje Pejgamberi lavdërimi dhe paqja qoftë mbi të, na ka mësuar se kur flemë me gratë tona fitojmë shpërblim, në atë rast besimtarët e pyetën: O i Dërguar, si ka mundësi që ne të kënaqim epshin dhe për këtë të fitojmë shpërblim? “Po sikur ta kryente në haram, a nuk do të dënohej për këtë?! – iu përgjigj Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem.

Këto mësime duket se kanë filluar të lulëzojnë në shoqërinë shqiptare, prandaj ditëve të fundit ka një përqendrim aq të shprehur kundër Islamit në përgjithësi dhe kundër shamisë në veçanti. Por kur imani prek në brendi sigurisht do të japë fryte nga jashtë dhe këtë askush s’e ndalon dot. O Allah, na bëj të kënaqemi me hallall për të mos pasur nevojë për haram dhe na bëj të kënaqemi me Ty për të mos u treguar nevojtarë para të tjerëve.

përgatiti: Omer BERISHA