thumbs_b_c_a75a8a9da576e35dcbc8d0dcef5e74da

Veton Isufi, kosovari që ende bënë produkte nga lëkura me punë dore

Prishtinasi Veton Isufi është një nga artizanët e paktë të Ballkanit, i cili materialin e lëkurës e kthen në produkte të ndryshme, të punuar plotësisht me punë dore.

Në një lokal të vogël brenda Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në kryeqytetin kosovar fshihet një përvojë e madhe mbi 35-vjeçare e njeriut që e ka pasion që lëkurën e përpunuar të lopës ta kthejë në art në bazë të kërkesës së myshterinjve.

Çanta të mesme dhe të vogla të punës, kuleta xhepi, këllëf për syze, mantele nga lëkura, këllëf për pushkë e gravime në lëkurë janë disa nga produktet e ekspozuara në raftet e lokalit të tij, i cili mbanë aromë lëkure dhe ngjitës.

Isufi thotë se këtë zanat e mësoi kryesisht nga babai dhe vëllezërit e gruas, fillimisht duke bërë punime më të vogla, si rripa, këllëfe të pushkëve, por më pas kaluan në një punë më industriale, deri në periudhën e luftës 1999. Derisa në vitet pas luftës përsëri iu kthye punës së ngadalshme me dorë, sipas porosive të myshterinjve.

“Ne jemi prej të rrallëve. Edhe në botë punohet shumë pak kështu. Janë diku rreth 600 vetë që punojnë pa asnjë makinë dhe e gjithë puna është punë dore. Ka që punojnë punë dore, por qepin me makinë, shtypin me makinë dhe punojnë me lëkura të lyera. Ne prej lëkurës që e marrim të pa lyer, pa kimikate, e sjellim deri në produkt të gatshëm, pa asnjë makinë”, thotë Isufi.

Isufi thotë se qepja, vizatimi, rrahja e lëkurës, lyerja, bëhen nga ai dhe kolegu i tij vetëm me duar.

 

Lëkurëpunuesi prishtinas thotë se lëndën e parë, lëkurën, e marrin nga Türkiye për shkak të lehtësisë që u mundësohet atje për të blerë lëkurë me sasi më të vogël, me nga 20-30 metër lëkurë.

 

Ai tregon për përvojat më sfiduese të tij të punës me dorë gjatë gjithë karrierës, ku thotë se ajo me porosinë e 20 mijë çantave nga UNICEF-i me afat për t’i kryer për tre javë, ka qenë më e vështira, ku bashkë me disa punëtorë të tjerë kanë bërë një lloj maratone pune.

“20 mijë kanë qenë. Mund ta merrni me mend se edhe 300 më tepër në fund kanë mbetur të prera, të pa qepura. Sikur t’ia japim dikujt 20 mijë euro nga 1 euro, do t’i numërojë 10 herë dhe asnjëherë nuk do të vijë në 20 mijë, ka qenë problem t’i numërosh”, thotë Isufi.

Këtë zanat, Isufi thotë se nuk do ta trashëgojë ndonjëri nga pasardhësit e tij, por ka të rinj të tjerë të cilët e kanë marrë me zell mësimin e këtij zanati.

I pyetur nëse të rinjtë duhet ta ndjekin rrugën e prodhimit të produkteve nga lëkura me anë të makinave apo punës me dorë, prishtinasi thotë se kjo varet nga rrethanat individuale.

“Për një të ri i cili ka nevojë të krijojë familje… të blejë banesë, të blejë veturë, të martohet, të bëjë fëmijë, gjithë këto janë kosto. Dhe, ai njeri duhet të fitojë më shumë dhe është mirë që ai të punojë në industri. Ndërsa, në anën tjetër puna me dorë është vlerë, traditë dhe kështu është shumë më e vlefshme”, thotë Isufi.

Ai thotë se pavarësisht rrethanave dhe lëvizjes së çmimeve, në shumicën e rasteve u jep myshterinjve garancion deri në gjashtë muaj për produktet e shitura.

Një çantë e mesme pune e lëkurës e punuar e gjitha me dorë, në këtë lokal mund të kapë çmim prej mbi 1 mijë eurove.