Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, mori pjesë sot në vënien e gurthemelit të ndërtimit të xhamisë së re në Prizren, më saktësisht në lagjen “Bajer”. Ndërtimi i kësaj xhamie pritet të bëhet simbol i qytetit të Prizrenit për shkak të pamjes së bukur që do t’i jep këtij qyteti.
Myftiu Naim ef. Tërnava gjatë kësaj ceremonie, fillimisht falënderoi besimtarët e devotshëm që dhuruan tokën për ndërtimin e kësaj xhamie, e më pas edhe donatorët që do ta financojnë ndërtimin e kësaj xhamie. Myftiu Naim Tërnava tha se ndërtimi i xhamive të reja po ia shton edhe më shumë bukurinë vendit tonë.
“Shtimi i ndërtimit të xhamive edhe më ia shton bukurinë që ia ka falë Zoti Kosovës, këtij vendi tonë ku ne frymojmë e jetojmë. I madhi Zot na thotë edhe në Kuranin famë lartë se e drejtë ekskluzive këtë punë, këtë detyrë, i madhi Zot ua ka besuar besimtarëve të devotshëm, besimtarëve që fuqia e imanit që e posedon në brendësi të shpirtit, zemrës e mendjes, ajo e fuqizon dhe në emër të prindit të tyre e falë këtë vend për ndërtimi e shtëpisë së Zotit. Po çfarë kanë bërë këta djem, kanë bërë sa është dynjaja me njerëz deri në kiamet këtu do t’i bëhet ibadet Zotit, andaj deri në kiamet babai i tyre do të furnizohet në çdo moment, çdo njeri që hyn në këtë xhami, ai donatorë, ai besimtar i devotshëm do të ketë përqindje të sevapit”, ka deklaruar Myftiu Naim ef. Tërnava gjatë kësaj ceremonie.
Në anën tjetër, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, Besim ef. Berisha, potencoi se është bërë një punë e madhe për ndërtimin e kësaj xhamie që pritet t’i shtojë edhe më shumë bukuri qytetit të Prizrenit.
“Vërtetë ka qenë një punë e madhe që është bë nga fillimi kur është lënë kjo tokë prej 6 ari për shpirtin e bacit Abdyl Kadër, tani më rahmetliut që është lënë për shpirt të tij, ky vend për tu bërë xhami. Gjithashtu na ka gëzuar hoxha Reshat në KBI në Prizren se ka dal një besimtar i mirë, një qytetar i Prizrenit se po dëshiron me e ndërtu një xhami në qytet të Prizrenit. Xhamia do të ketë dy minare dhe do të jetë rreth 300 metra katror në dispozicion të besimtarëve. Xhamia do të jetë simbol sepse nga ky vend shihet rreth 90% e Prizrenit”, është shprehur Besim ef. Berisha.
Në fund të kësaj ceremonie bashkërisht u bë lutje për sukseset kësaj xhamie që pritet t’i gëzojnë shumë qytetarë të Prizrenit, por edhe gjeneratat e reja që do të vinë.