VJOSA OSMANI ËSHTË PRESIDENTE E KOSOVËS

Vjosa Osmani është zgjedhur Presidente e Kosovës.

Ajo ka fituar 71 vota, 11 sish kanë qenë të pavlefshme, ndërkaq kundërkandidati i saj nuk ka marrë asnjë votë.

Dy partitë opozitare, PDK-ja dhe AAK-ja, e kanë bojkotuar zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente. Rruga për zgjedhjen e shefes së shtetit u hap nga LDK-ja e cila vendosi që të rrijë në sallë dhe t’ia bëjë kuorumin.

Ajo është gruaja e dytë që mori drejtimin e shtetit, pas Atifete Jahjagës.

Osmani, që garoi në listën e Lëvizjes Vetëvendosje me iniciatiën e saj “Guxo”, ishte personi më i votuar në historinë e zgjedhjeve në Kosovë që prej kur ato organizohen me lista të hapura.

Ajo në zgjedhjet e 14 shkurtit mori 300 mijë e 788 vota.

Më 3 shkurt 2020, Vjosa Osmani u zgjodh Kryetarja e parë grua e Kuvendit të Kosovës derisa me 5 nëntor 2020 ajo u bë ushtruese e detyrës së Presidentes së Kosovës pas dorëheqjes së Hashim Thaçit.

Ajo është zgjedhur deputete në Kuvendin e Kosovës në katër mandate, derisa ka udhëhequr me Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, Komisionin për Integrime Europiane dhe ka qenë Nënkryetare e Komisionit për Reformë Kushtetuese.