Pas përfundimit të muajit të begatshëm të Ramazanit muslimanit i përket të vazhdoje rrugën e tij në adhurim ndaj Allahut të Lartësuar. Ai e meriton padyshim adhurimin në çdo kohë dhe n’a ka obliguar me këtë. “” Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të vije bindja e sigurtë (vdekja).”(Kur’an 15:99)
Vazhdueshmëria në vepra të mira është nga veprat më të dashura tek Allahu. Kur Aisha e pyeti të Dërguarin e Allahut se cilat janë veprat më të dashura tek Allahu. Ai iu përgjigjë “Ato që bëhen rregullisht edhe nëse janë pak” Padyshim se një mësim për çdo musliman dhe muslimane që të mos ndalet nga veprat e mira, është përcjellja e muajit të Ramazanit me agjërim të gjashtë ditëve të shev’valit. Kjo aludon se muslimani duhet të vazhdojë me veprat e mira, të pëlqyeshme dhe mos të ndalet. Në këtë shkrim do t’a trajtojmë “gjashtëshin e shev-valit” më hollësisht duke iu mbështëtur Allahut dhe me shpresë të përfitojmë..
Fillimisht duhet të kuptojmë “Cila është dispozita dhe vlera” e agjërimit të këtyre gjashtë ditëve të muajit shev-val (I cili vjen menjëherë pas Ramazanit)?
Padyshim se lidhur me këtë, bazë e kemi hadithin e të Dërguarit të Allahut (sal-Allahu alejhi ue sel-lem) i cili është transmetuar
nga Ebu Ejjub el Ensarij. I Dërguari i Allahut thotë:
“Kush agjëron Ramazanin e pastaj e pason me gjashtë ditë të Shevalit ky e ka shpërblimin e agjërimit të tërë vitit.”
[Shënon Muslimi, Ahmedi,, Ebu Davudi, Tirmidhij, Nesaiu, Ibn Maxheh, dhe Ibn Hibban]Me një transmetim tjetër është spjeguar më hollësisht vlera e këtij agjërimi. Ai (sal-Allahu alejhi ue sel-lem) tha:”Ai që agjëron gjashtë ditë pas Bajramit është sikur shpërblimi i plotë i një viti. :”Ai që bënë mirë e ka dhjetëfishin e tij” ( Kur’an 6:160)
Ndërsa me një tjetër transmetim qëndron :” Allahu e bëri që e mira të dhjetëfishohet, prandaj një muaj (i Ramazanit) vlenë sikur dhjetë muaj dhe agjërimi i gjashtë ditëve (të shev-valit pra) e kompleton vitin.”
{Nesaiu, Ibn Maxheh, gjindet në Sahih et Terghiib dhe Terhiib}
Dijetari i shquar Ibn Rexheb el Hanbelij transmeton fjalën e Ibn Mubarekit (rahimehullah):” Është thënë : Agjërimi i shevalit pason në vlerë Ramazanin, kë shtuqë shpërblimi i tij është sikur shpë rblimi i agjërimit obligativ (farz). Poashtu fukaha të medh’hebit Hanbelij dhe Shafiij e posedojnë mendimin se me të vërtetë shpërblimi i gjashtë ditëve të shev-valit konsiderohet në shpërblim sikur shpërblimi i agjërimit obligativ, edhepse për këtë vetëm Allahu e din më së miri. Ne themi Allahu A’lem!
Mirëpo duhet të potencohet se edhepse përmban kaq shpërblime dhe vlerë të mëdha nuk konsiderohet obligativ agjërimi i këtyre ditëve porse është e pëlqyeshme.
A duhet patjetër të agjërohen këto gjashtë ditë rend, pra njëpasnjë apo bënë që të ndahen?
Natyrisht se lejohet ndarja mes tyre dhe nuk duhet të agjërohen rend, njëpasnjë.Lejohet agjërimi i tyre në fillim, në mes dhe poashtu në fund ngase hadithi nuk e kushtëzon këtë gjë.
Nëse je inteligjent atëherë shikoj ditët në të cilat është e pëlqyeshme agjërimi sikur dita e hënë dhe enjte apo ditët e bardha (ditët 13,14,15 sipas muajit hënor) dhe me lejen e Allahut ti do të arritësh shpërblimin e të dyjave. Veprat shpërblehen sipas qëllimit, prandaj bëhu i zgjuar në tregtinë me Allahun, Allahu të bekoftë!
Këtu lind pyetja e rëndësishme për ata apo ato të cilët kan ditë të mbetura nga Ramazani, a të agjërohen 6 ditët e she-valit para kompenzimit të ditëve të Ramazanit apo patjetër pas kompenzimit të ditëve të Ramazanit?
Lidhur me këtë mes’ele (çështje) duhet të pranohet se më i sigurt është mendimi i cili thotë se patjetër duhet të agjêrohen ditët e Ramazanit fillimisht nëse e don shpërblimin e agjërimit të tërë vitit. Këtë mendim e ndjekin prej dijetarëve p.sh. Shejh Ibn Uthejmini, Shejh Bin Bazi, Shejh Salih el Feuzani, Shejh Sa’d Khathlani etj.
I Dërguari i Allahut në hadithin të cilin e transmeton Ebu Ejjub el Ensarij ka thënë:
“Kush agjëron Ramazanin e pastaj e pason me gjashtë ditë të Shevalit ky e ka shpërblimin e agjërimit të tërë vitit.”
[Shënon Muslimi]
Pra njëherë duhet të agjêrohet “Ramazani” e pastaj gjashtë ditët e shev-valit.
Shejh Khalid Muslih e potencon se kjo është padyshim më e mirë dhe më e sigurtë por nëse ndodhë që dikush me arsye nuk mundet t’i agjëron të dyjat (pra edhe kompenzimin edhe këto ditë) atëherë ska problem nëse i agjëron gjashtë ditë e shev-valit fillimisht.
Kjo i jep lehtësim sidomos grave të cilave i zgjatë faza e menstruacioneve. Ky dijetarë spjegon se me qëllim në hadith është “shumica e Ramazanit”. P.sh. dikush që me arsye e prish agjërimin në Ramazan dy ditë (p.sh. shkak udhëtimi apo sëmundje) këtij i thuhet se e ka agjëru Ramazanin dhe e plotëson kështu kushtin e hadithit.Nuk mund t’i thuhet këtij se nuk e ka agjëru Ramazanin.
Pra ekziston edhe ky qëndrim se lejohet të agjërohet gjashtëshi i shev-valit para ditëve të mbetura të Ramazanit, mos u habitni!
Mirëpo siç e cekëm në fillim, me të vërtetë mendimi ku shpirti gjen më shum siguri, është mendimi i parë, në fjalë se fillimisht duhet të agjërohen ditët e mbetura të Ramazanit e pastaj gjashtëshi i shev-valit.
Allahu e din më mirë.
Një pyetje tjetër lidhur me agjërimin e këtyre ditëve. A bënë të bëhet nijeti i agjërimit të ditëve të shev-valit gjatë ditës?
Për agjërimin e gjashtëshit të shev-valit duhet të bëhet nijeti prej natës (deri para agimit) nëse dhëshirohet shpërblimi i plotë dhe nuk mjafton gjatë ditës. (Ky mundet të agjërojë në këtë formë por shpërblimin e plotë nuk e arritë ngase veprat shpërblehen sipas qëllimit)
Është e vërtetë se agjërimi vullnetarë nuk e kushtëzon nijetin paraprak ngase është transmetuar nga i Dërguari Allahut (sal-Allahu alejhi ue sel-lem) por kjo vlenë për agjërimin vullnetar të përgjithshëm, jo të definuar. Agjërimi i gjashtëshit të shev-valit është specifik dhe nëse e synon shpërblimin e plotë atëherë duhet t’a bësh nijetin para fillimit të ditës së agjërimit, prej në mbrëmje!
Allahu e din më së miri!
Hoxhë Ardian Elezi