Rtv Pendimi

VLERA E DHJETË DITËVE TË PARA TË DHUL HIXHES

Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe mëshira e Tij qoftë mbi pejgamberin tonë Muhammedin, familjen e tij dhe gjithë shokët e tij.

Buhariu rahimehullah shënon se Resulullahu sal-lallahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka ditë ku punët e mira janë më të dashura tek Allahu sesa këto ditë, dhjetë ditët e Dhul Hixhxhes, i thanë: E xhihadi ja Resulullah!? Tha: As xhihadi, pos atij  i cili ka dalur vetë dhe me pasurinë e tij në rrugë të Allahut dhe nuk është kthyer me gjë”.  Po ashtu Imam Ahmedi shënon se Resulullahu sal-lallahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka ditë ku punët llogariten më të mëdha dhe janë më të dashura tek Allahu sesa në këto ditë, prandaj në këto ditë shtoni përmendjen e këtyre fjalëve: La ilahe il-lallah, Allahu Ekber dhe El-hamdu lil-lah”. Ibën Hibbani transmeton se Resulullahu sal-lallahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Dita më e vlefshme është dita e Arafatit”.

Punët që mund të bëhen këto ditë:

  1. Bërja e haxhit dhe Umres, kjo është më e vlefshmja. Thotë Resulullahu sal-lallahu alejhi ue sel-lem: “Prej Umres deri në Umren tjetër shlyhen mëkatet, ndërsa Haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër pos Xhennetit” (Buhariu dhe Muslimi)
  2. Agjërimi i këtyre ditëve apo disa prej tyre e veçanërisht dita e Arafatit. Thotë Resulullahu sal-lallahu alejhi ue sel-lem: “Secili musliman që agjëron një ditë për hir të Allahut, Allahu ia largon fytyrën e tij prej Xhehennemit aq sa mund të udhëtohet për 70 vjet” (Buhariu dhe Muslimi), po ashtu transmeton Muslimi se  Resulullahu sal-lallahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Për agjërimin e ditës së Arafatit shpresoj se Allahu i falë mëkatet e vitit të kaluar dhe vitit të ardhshëm”
  3. Tekbiri dhe dhikri i shumtë. Transmeton Imam Ahmedi rahimehullah  se Resulullahu sal-lallahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “ … në këto ditë shtoni përmendjen e këtyre fjalëve: La ilahe il-lallah, Allahu Ekber dhe El-hamdu lil-lah”. Buhariu rahimehullah ka transmetuar se Ibën Omeri dhe Ebu Hurejre radijallahu anhuma kur dilnin në treg gjatë këtyre ditëve i thonin tekbiret me zë e pastaj fillonin edhe njerëzit tjerë t’i thonë tekbiret. Poashtu tregon se dijetarët e gjeneratës së tabiinve- Allahu i mëshiroftë- tekbiret i thonin kështu: “Allahu Ekber Allahu Ekber La Ilahe il-lallah Vallahu Ekber Allahu Ekber velil-lahil hamd”.  Është e pëlqyeshme ngritja e zërit gjatë thënies së tekbireve kur je nëpër tregje, rrugë, xhamia etj.
  4. Teubeja dhe largimi prej mëkateve, ashtuqë të arrish faljen dhe mëshirën e Allahut subhanehu ue teala. Mëkatet janë shkak për largimin nga mëshira, ndërsa kryerja e urdhërave të Allahut subhanehu ue teala dhe respekti i Tij janë shkak që të afrohesh tek Allahu subhanehu ue teala. Thotë Resulullahu sal-lallahu alejhi ue sel-lem: “Me të vërtetë Allahu është xheloz, është xheloz atëherë kur njeriu i bën ato punë që Allahu ia ka ndaluar” (Buhariu dhe Muslimi)
  5. Shtimi i veprave të mira vullnetare qoftë namaz, sadaka, xhihad, lexim të Kur’anit, urdhrim në të mira, largim prej të këqijave etj. Sepse e pamë se vepra në këto ditë është më e vlefshme dhe më e dashur tek Allahu subhanehu ue teala.
  6. Tekbiret që i përmendëm mund të thuhen në çdo kohë, natën e ditën, deri në namazin e Bajramit. Por, ka edhe tekbire që janë të posaçme dhe thuhen pas namazeve farz që falen me xhemat. Për ata që nuk janë në Haxhxh, këto tekbire fillojnë prej namazit të Sabahut të ditës së Arafatit, ndërsa për ata që janë në Haxhxh, prej namazit të drekës të ditës së Bajramit, dhe këto tekbire thuhen deri në namazin e iqindisë të ditës së fundit të Bajramit.
  7. Prerja e Kurbanit ditëve të Bajramit. Kjo është sunnet që na ka mbetur prej babait tonë Ibrahimit alejhis selam kur Allahu subhanehu ue teala e urdhëroi që t’a bën kurban djalin e tij. Transmetohet se Resulullahu sal-lallahu alejhi ue sel-lem ka prerë dy kurbana ditën e Bajramit me dorë të tij, duke thënë Bismil-lah dhe Allahu Ekber.
  8. 8.      Transmeton Muslimi se Resulullahu sal-lallahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur t’a shihni Hënën e muajit Dhul Hixhxhe, mos i pritni flokët e as thonjët”  në transmetim tjetër thuhet “…mos i pritni flokët e as thonjët përderisa nuk vjen dita për t’i prerë kurbanat që i keni”.  Kjo ndalesë, ashtu siç shihet është për ata që duan të presin kurbana, e jo për gjithë familjen e atij që pret kurban. Sa i përket larjes gjatë atyre ditëve nuk ka kurrfarë dyshimi se lejohet. Dijetari i madh i Medinës Abdulmuhsin el-Abbad tha se urtësia e kësaj ndalese është se ai që pret kurban në shtëpi të përngjasohet me haxhiun i cili është në Mekke dhe i ka të ndaluara të njëjtat gjëra në kohën e Haxhxhit. 
  9. 9.      Duhet të prezentohet në faljen e namazit të Bajramit kudo që të falet, të dëgjohet hutbeja (ligjerata) e Bajramit dhe të përfitohet prej saj. Të mësohet shkaku i ligjësimit të tij dhe të dihet se ajo është ditë e falënderimit, e punëve të mira dhe bëmirësisë. Mos të transferohet kjo ditë në ditë e të këqijave dhe vizitave të varreve. As mos të mendohet se kjo festë e muslimanëve duhet  të festohet  me këngë, valle, koncerte dhe dehje, vepra këto që mund të bëhen shkak për zhdukjen e punëve të mira që i ke bërë. Namazin e Bajramit mund t’a falin edhe gratë, por jo të zbuluara, të zbukuruara apo të parfymosura. E ato që i kanë ciklet mujore rrijnë nëpër shtëpitë e tyre. 

10.  Çdo musliman dhe muslimane duhet t’i shfrytëzojë këto ditë në respekt ndaj Allahut subhanehu ue teala dhe në praktikimin e të gjitha urdhërave të Tij dhe të largohen nga çdo e keqe.   

Disa dispozita rreth kurbanave

Kjo vepër është sunnet muekkede (i fortë) dhe është mekruh (e urrejtur) të mos pritet kurban në gjendeje të mundësisë. Për kurban mund të priten deve, lopë dhe dhen. Prej kushteve të kurbanit është që mos të jenë me të meta. Koha e prerjes së kurbanave është pas faljes së namazit të Bajramit. Thotë Resulullahu sal-lallahu alejhi ue sel-lem: “Kush e therë kafshën para namazit të Bajramit, ai e therrë për vete, e kush e therrë pas namazit të Bajramit ai e ka qëlluar sunnetin tim në therjen e kurbanave” (Buhariu dhe Muslimi)

Shpërndarja e kurbanave

Është sunnet që ai i cili therë kurban, të han pak nga mishi i kurbanit të tij dhe t’u dhurojë farefisit nga ai mish, fqinjëve dhe të varfërve. Disa prej Selefit (gjeneratave të para të muslimanëve) kanë pasur zakon që kurbanin e tyre ta ndajnë në tre pjesë: një për familjen e tij, një për farefisin dhe një për të varfrit, ndërsa kasapëve nuk u jepnin nga mishi, por i paguanin.

Është sunnet që ditën e Bajramit mos të hahet gjë derisa të kthehesh prej xhamisë, sepse kështu edhe Resulullahu sal-lallahu alejhi ue sel-lem bënte.

Së fundi: Mos harro vëlla i dashur musliman të kujdesesh për punët e mira, të vizitosh farefisin, t’i ikish urrejtjes dhe xhelozisë, ta pastrosh zemrën tënde dhe të kujdesesh për të ngratit, të varfrit dhe jetimat, të mundohesh me mish e me shpirt që në zemrat e tyre të fusësh gëzimin.

E lusim Allahun subhanehu ue teala të na inspirojë në veprimin e gjërave të cilat Ai i do dhe është i kënaqur me to, të na forcojë në fenë tonë, të na bëjë prej atyre që bëjnë gara në punë të mira dhe e lusim që punët tona të jenë të qëlluara sipas sunnetit të Resulullahut sal-lallahu alejhi ue sel-lem dhe të sinqerta, vetëm për  arritjen e kënaqësisë së Allahut subhanehu ue teala.

Amin

Omer Berisha

22 Dhul Ka’de 1421

16 Shkurt 2001

 

 

 

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH