timthumb-e1518474283485-890x501-1-1300x731

VLERA E MEXHLISEVE KU PËRMENDET ALLAHU

Mexhliset ku përmendet Allahu, azze ue xhel, janë mexhliset më të pastra, më me vlerë, më të dobishmet, më madhështore dhe më të respektuara te Allahu.
Përcillen shume citate rreth vlerës së këtyre mexhliseve, se ato janë jetë për zemrat, rritje për besimin, përmirësues dhe pastrim për njeriun, në krahasim me mexhliset e neglizhencës ku nuk përmendet Allahu. Nuk ngrihet njeriu prej atyre mexhliseve vetëm se me besim më të mangët, me zemër më të dobët, ku për të do të bëhet pikëllim, brenga dhe pendim.

Të parët tanë këtyre mexhliseve i kushtonin rëndësi të veçantë dhe i respektonin shumë.
Abdullah ibën Revaha, radijallahu anhu, i kapte për dore disa prej shokëve të tij dhe u thoshte: “Ejani të besojmë disa çaste, ejani ta përmendim Allahun, ta rrisim besimin duke iu nënshtruar, e ndoshta Ai na përmend me falje.”

Umejr el Hatamij, radijallahu anhu, thoshte: “Besimi rritet dhe pakësohet.” – U pyet se çka e rrit dhe pakëson? – Tha: “Kur e përmendim Allahun, azze ue xhel, dhe e falënderojmë dhe e lartësojmë, kjo e rrit besimin. Kur e neglizhojmë, e humbim dhe e harrojmë, kjo e pakëson besimin.”

Mexhliset ku përmendet Allahu janë kopshtet e Xhenetit në tokë. Imam Ahmedi dhe Tirmidhiu transmetojnë prej Enes ibën Malikut, radijallahu anhu, se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kur të kaloni nëpër kopshtet e Xhenetit, qëndroni në to.” I thanë: “Cilat janë kopshtet e Xhenetit?” U përgjigj: “Ato janë mexhliset ku përmendet Allahu.”

Ibni Ebi Dunja dhe Hakimi na përcjellin prej Xhabir ibën Abdullahut, radijallahu anhu, i cili thotë: Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, një ditë doli dhe na tha: “O ju njerëz, qëndroni në kopshtet e Xhenetit.” – O i Dërguar i Allahut, cilat janë kopshtet e Xhenetit? – U përgjigj: “Ato janë mexhliset ku përmendet Allahu.” – Pastaj tha: “Ngrihuni, shkoni dhe përmendeni Allahun. Ai i cili dëshiron ta dijë pozitën e tij te Allahu, le ta shikojë pozitën e Allahut në veten e vet, se Allahu ia zbrit pozitën robit të Tij aq sa e zbret robi pozitën e Allahut në vete.”

Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kush dëshiron të jeton në kopshtet e Xhenetit të dynjasë, le të bëhet banor i mexhliseve ku përmendet Allahu, se ato janë kopshtet e Xhenetit.”

Mexhliset ku përmendet Allahu janë mexhlise të melekëve. Ato nuk kanë mexhlise tjera në dynja, përveç se mexhliseve ku përmendet Allahu.

Ebu Hurejra, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Allahu ka caktuar melaqe që shëtisin nëpër rrugë duke kërkuar ata që përmendin Allahun. Dhe nëse gjejnë ndonjë grup që përmendin Allahun, i thonë: Na i tregoni nevojat tuaja dhe i rrethojnë me krahët e tyre deri në qiellin e dynjasë. Allahu i pyet melekët, ndërkohë që Ai e di më mirë: “Çfarë po thonë robërit e Mi?” Melekët i përgjigjen: “Ty të lavdërojnë, o Allah, Ty të falënderojnë, Ty të madhërojnë dhe Ty të lartësojnë.” Allahu iu thotë: “Vallë, a më kanë parë Mua?” I thonë: “Jo, për Ty (betohen), nuk të kanë parë.” Allahu iu thotë: “Po sikur të më kishin parë Mua?” Melekët përgjigjen: “Sikur të kishin parë Ty, ata do të lavdëronin edhe më shumë, do të falënderonin edhe më shumë.” Allahu i pyet: “Çfarë kërkojnë prej meje?” I përgjigjen: “Xhenetin.” Allahu iu thotë: “Vallë a e kanë parë Xhenetin?” I përgjigjen: “Jo, për Ty, nuk e kanë parë.” Allahu iu thotë: “Po sikur ta kishin parë?” I përgjigjen: “Do ta kërkonin pa pushim, dhe do të përpiqeshin me çdo kusht ta fitonin.” Allahu iu thotë: “Nga se kërkojnë mbrojtje prej Meje?” I përgjigjen: “Nga zjarri i Xhehenemit.” Allahu i pyet: “A e kanë parë atë?” I përgjigjen: “Jo, pasha Ty, nuk e kanë parë.” Allahu iu thotë: “Po sikur ta kishin parë?” I përgjigjen: “Nëse do ta kishin parë atë, do t’i largoheshin e frikësoheshin akoma më shumë.” Allahu thotë: “O melaqet e Mia, Unë ju bëj dëshmitarë juve se Unë i kam falur ata.” Një prej melekëve thotë: “O Allah, aty ndodhet një person i cili nuk është aty për tjetër pos për nevojat e veta.” Allahu thotë: “Tek ai mexhlis edhe ai që është rastësisht nuk do të dalë i humbur.”

Pra, mexhliset ku përmendet Allahu janë mexhlise të melekëve, ndërsa mexhliset e dëfrimit dhe neglizhencës janë mexhlise të shejtanëve. Çdo njëri shkon te ajo çka i përshtatet dhe i takon. Pra, le ta zgjedh njeriu më të mirën dhe atë që më së shumti e mahnit. Ai që rri me atë që e përmend Allahun është i lumtur, në krahasim me atë që është neglizhent dhe dëfryes. Ai e dëmton shokun dhe e bën të palumtur.

Mexhliset ku përmendet Allahu e mbrojnë njeriun prej pikëllimit dhe pendimit në Ditën e Kiametit, kurse mexhliset e dëfrimit do të jenë pikëllim dhe pendim në Ditën e Kiametit. Ebu Hurejra, radijallahu anhu, na përcjell se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush ulet në një vend dhe nuk përmend Allahun, ajo tek Allahu është humbje kohe dhe do të pendohet, dhe kush shtrihet në një shtrat dhe nuk e përmend Allahun, tek Allahu është humbje e kotë dhe do të pendohet.”

Prej nderit të mexhliseve ku përmendet Allahu, është pozita e lartë e këtij mexhlisi te Allahu dhe se Allahu krenohet para melekëve me ata të cilët e përmendin Atë. Një ditë doli Muaviu, radijallahu anhu, dhe e gjeti një grup njerëzish në xhami, e i pyeti: “Pse jeni tubuar në këtë vend? Thanë: Jemi tubuar ta përmendim Allahun. U tha: Pasha Allahun, vetëm për këtë qëllim jeni tubuar? Thanë: Pasha Allahun, vetëm për këtë qëllim jemi tubuar. U tha: Unë nuk kërkova betimin prej jush nga shkaku se nuk ju besova, mirëpo askush s’ka qenë i afërt me të Dërguarin, salallahu alejhi ue selem, sa kam qenë unë me të, e që ka transmetuar hadithe më shumë se unë. I Dërguari, salallahu alejhi ue selem, doli një ditë dhe gjeti një grup të shokëve të vet dhe i pyeti: “Pse jeni tubuar?” I thanë: Jemi tubuar ta përmendim Allahun dhe ta falënderojmë që na ka udhëzuar në Islam e na ka dhënë këtë dhuratë. U tha: “Pasha Allahun, vetëm për këtë shkak jeni tubuar?” Thanë: Po, vetëm për këtë qëllim jemi tubuar. U tha: “Unë nuk kërkova prej jush betimin pse nuk ju besova, mirëpo më erdhi Xhibrili, alejhi selam, dhe më lajmëroi se Allahu me ju krenohet para melekëve”.

Mexhliset ku përmendet Allahu janë shkak për zbritjen e qetësisë shpirtërore, kaplimin e mëshirës dhe rrethimin e melekëve. Muslimi transmeton prej Ebi Muslim el Egër, radijallahu anhu, i cili thotë: Dëshmoj për Ebu Hurejren dhe Ebi Seidin se ata kanë dëshmuar për Pejgamberin, salallahu alejhi ue selem, se ai ka thënë: “Nuk ulet një popull në një mexhlis ku përmendet Allahu, përveç se i mbulon mëshira e Allahut, i rrethojnë melekët dhe Allahu i përmend në mesin e atyre që janë tek Ai.”

Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Mexhliset ku përmendet Allahu janë shkak i madh për mbrojtjen e gjuhës dhe mbrojtjen e saj prej fyerjeve dhe bartjes së fjalëve, prej sjelljeve të pamoralshme dhe prej së kotës. Njeriu patjetër detyrohet që të flas. Në rast se nuk flet duke e përmendur Allahun dhe urdhëresat e Tij dhe nuk flet diçka të mirë dhe të dobishme, atëherë ai patjetër do t’i bëj këto mëkate. Kush e ushtron gjuhën e tij në përmendjen e Allahut e mbron gjuhën e tij prej të kotës dhe dërdëllitjeve. Ndërsa kujt i thahet gjuha prej përmendjes së Allahut, do të flas çdo të kotë, çdo të gjepur dhe çdo gjë të pamoralshme.”

E lus Allahun, azze ue xhel, që ta plotësojë kohën tonë me adhurim dhe mexhliset e tona t’i bëj mexhlise ku përmendet, falënderohet dhe madhërohet emri i Tij, dhe të na mbrojë prej mexhliseve të dëfrimit dhe të kotës, se vetëm prej Tij kërkohet ndihmë dhe se vetëm Ai është që mundet t’i plotëson dëshirat e robërve të Tij.

Dr. Abdurrezak ibën Abdulmuhsin el Bedr

Nga arabishtja: Irfan JAHIU