VLERA E MUSLIMANIT

O muslimanë! Allahu e krijoi Ademin, alejhi selam, me duart e Veta, dhe i urdhëroi melekët t’i bien në sexhde Ademit. Të gjithë i ranë, përveç Iblisit, i cili refuzoi dhe u tregua kryeneç dhe mendjemadh. Me këtë vepër e meritoi të largohet nga mëshira e Allahut. Nga ligjet e Allahut në krijesat e Tij u bë që ai i cili i nënshtrohet urdhrave të Zotit të tij dhe i pason të dërguarit e Tij, do të fitojë lumturinë e dy botëve. Kurse ai i cili tregohet mendjelartë, dhe bën mëkat dhe nuk i pason të dërguarit e Tij, do të bëhet nga të fatkeqit dhe të shkatërruarit. Allahu thotë: “Nuk janë të barabartë banorët e Xhehenemit dhe banorët e Xhenetit; banorët e Xhenetit do të jenë të fituarit”. (El-Hashr: 20)
Allahu e ngriti pozitën e muslimanëve, njësuesve të Allahut, dhe i urdhëroi melekët të luten për ta dhe për pasardhësit e tyre, dhe për gratë e tyre. Allahu tha: “Ata (engjëj), që e mbajnë Fronin dhe ata që janë rreth tij, e madhërojnë Zotin e tyre me falënderim dhe i besojnë Atij. Ata lypin falje për besimtarët, duke thënë: “O Zoti ynë, Ti përfshin çdo gjë me mëshirën dhe dijeninë Tënde, prandaj fali ata që janë penduar e që ndjekin rrugën Tënde dhe ruaji ata prej dënimit të Zjarrit flakërues. O Zoti ynë, shpjeri ata në kopshtet e Adnit, të cilat ua ke premtuar, së bashku me të devotshmit prej prindërve të tyre, bashkëshorteve të tyre dhe pasardhësve të tyre! Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti”. (El-Gafir: 7-8)
Çdo i dërguar lutej për besimtarët dhe besimtaret! Nuhi, alejhi selam, tha: “Zoti im, falmë mua dhe prindërit e mi, si dhe çdo besimtar, që kërkon strehim në shtëpinë time! Fali të gjithë besimtarët e besimtaret!”. (Nuh: 28) Kurse Allahu i tha Muhamedit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Kërko falje për gjynahun tënd dhe për besimtarët e besimtaret!”. (Muhamed: 19)
Allahu e deshi besimtarin dhe e afroi kah ai: “Allahu i do ata që (i) frikësohen (Atij)”. (Et-Teube: 4) Dhe e përkrahu me ndihmën e Tij: “Është detyra Jonë që t’i ndihmojmë besimtarët”. (Er-Rum: 47) Dhe Allahu është me besimtarët, duke i përkrahur dhe duke i përforcuar: “Kujto (o Muhamed) kur Zoti yt i frymëzoi engjëjt: “Unë jam me ju, andaj forcojini ata që besojnë”. (El-Enfal: 12) Dhe zbriti ushtarë nga qielli për t’ju ndihmuar: “Ju kërkuat ndihmë nga Zoti juaj e Ai ju përgjigj: Unë do t’ju ndihmoj me një mijë engjëj të cilët do të vijnë njëri pas tjetrit”. (El-Enfal: 9) Begatitë në tokë i shndërroi në ndëshkim për armiqtë e muslimanëve, kështu që e bëri erën t’i sulmon ata: “O besimtarë! Kujtoni dhuntinë e Allahut kur ju erdhi një ushtri (idhujtarësh), e Ne dërguam mbi ata erë dhe një ushtri (engjëjsh) që ju nuk e shihnit”. (El-Ahzab: 9) Allahu është Ai që ua largon brengat dhe i udhëzon në vështirësi: “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona”. (El-Ankebut: 69) Allahu është Ai që i ndihmon kundër armiqve të tyre. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kush armiqëson një të dashur timin Unë e kam paralajmëruar për luftë”.
Allahu u bëri muslimanëve që në zemra të kenë dashuri dhe mëshirë: “Në të vërtetë, atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i Gjithëmëshirshmi do t’u dhurojë dashuri”. (Merjem 96) Dhe tua përforcon këmbët dhe tua bën të drejta fjalë e tyre dhe tua bashkon zemrat e tyre: “Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër”. (Ibrahim: 27)
Allahu është garantuesi më i mirë se muslimanit do t’ia ruajë pasardhësit, qoftë ajo edhe pas shumë brezave, si shkak i bereqetit të veprave të tij të mira: “E, sa i përket murit, ai u takonte dy djelmoshave jetimë në qytet dhe, nën të gjendej një thesar i tyre. Babai i tyre kishte qenë njeri i mirë, prandaj Zoti yt dëshiroi që ata të arrinin moshën e pjekurisë e ta nxirrnin thesarin e tyre, si mëshirë nga Zoti yt”. (El-Kehf: 82)
Allahu besimtarit i premtoi jetë të mirë: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë”. (En-Nahl: 97)
Allahu punët e besimtarit i bëri të jenë të bereqetshme, në dynja dhe pas vdekjes së tij: I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Secili musliman që mbjell një fidan (pemë) e prej saj hanë njerëzit, kafshët dhe shpezët, do t’i jetë kjo sadaka deri në Ditën e Gjykimit”.
Vizitën e një muslimani që ia bën vëllai i tij musliman, e bëri të jetë një ndër adhurimet më madhështore. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kush viziton një të sëmurë apo ndonjë vëlla të tij, për hir të Alla¬hut, thërret një thirrës: Të lumtë! Lum për ecjen tënde! Ke përgatitur në Xhe¬¬net një shtëpi!”.
Zbardhja e mjekrës dhe flokëve të tij janë dritë dhe shkëlqim. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e ndaloi shkuljen e qimeve të bardha dhe tha: “Mos i shkulni qimet e thinjura (bardha), sepse çdo muslimani që i zbardhet një qime në Islam, ajo do t’i bëhet dritë në Ditën e Kiametit”.
Të gjitha gjendjet dhe sprovat e dynjasë, nga pikëllimi e gëzimi, muslimanit ia bëri hajr. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha. “Është e çuditshme puna e besimtarit. Gjithë jeta e tij është hajr. Nëse atij i vjen një e mirë, ai falënderon Zotin dhe merr shpërblim për këtë gjë. Nëse atij i bie një fatkeqësi, ai duron për hir të Zotit dhe përsëri shpërblehet për këtë gjë e kjo gjë ndodh vetëm me besimtarin”.
Veprat e mira i shtohen shumëfish, kurse fatkeqësitë e pastrojnë nga gjynahet. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha. “Gjithçka që e godet muslimanin, qoftë lodhje, sëmundje, gajle, brengë, cenim apo trishtim, madje qoftë edhe në gjemb që e thumbon, me secilën prej këtyre Allahu ia fal mëkatet.
Sëmundja e besimtarit është thesar i deponuar për të tek Zoti i tij. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Sëmundja besimtarin e pastron nga gjynahet e tij, ashtu si e pastron zjarri arin dhe argjendin”.
Sytë e tij nëse humben, janë shpëtim i tij nga zjarri i Xhehenemit. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Thotë Allahu: Kujt ia marr dy më të dashurit (sytë) dhe bën durim, duke shpresuar në shpërblimin Tim, nuk jam i kënaqur që ta shpërblej me asgjë tjetër, vetëm se me Xhenet”.
Trupi i tij është i pastër, qoftë ai i gjallë apo i vdekur. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Muslimani nuk bëhet i papastër”.
Asnjë nga bijtë e Ademit nuk lahet pas vdekjes së tyre, përveç muslimanit. Kush e përcjell xhenazen e tij dhe ia fal namazin e tij, derisa të lirohet nga varrimi i tij, kthehet me shpërblime sa dy kirate. Thyerja e eshtrave të tij i vdekur, është si t’ia thyesh ato të gjallë.
Nga mirësitë e Allahut ndaj tij, është se shpërblimet e tij i shkojnë edhe duke qenë ai në varr: “Kur njeriu vdes, atij i ndërpritet puna, përveç tre gjërave: Lëmosha e vazhdueshme, dija nga e cila përfitohet pas tij, apo fëmija i mirë që lutet për të”.
Për besimtarin janë përgatitur xhenete: “Xheneti me begatitë e tij është përgatitur për të: “Atë ditë Xheneti do t’u afrohet besimtarëve të devotshëm”. (Esh-Shuara: 90)
Melekët i presin besimtarët tek dyert e Xhenetit, dhe i përshëndesin ata: “(e do t’u thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!”. (Er-Ra’d: 23)
I tërë sherri është i përmbledhur në poshtërimin dhe nënçmimin e vëllait musliman. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Për një njeri është e keqe e mjaftueshme që ta nënçmojë vëllain musliman”.
Për hir të shenjtërisë së tij tek Allahu, u urdhërua muslimani që të jetë me shpirt të qetë në jetën e tij, mos të ngatërrohet dhe mos të dëmtojë askënd. Madje çdo gjë që ka gjasa të arrihet dëmi nga ajo, Allahu e ndaloi t’i afrohet apo ta vepron atë. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kush kalon kah xhamitë apo tregjet tona, e me vete ka shigjetë (apo çfarëdo arme), le t’i mbaje në vendin e tyre ose le ta kape me shuplakën e tij për maje, që me të të mos pengojë ndonjë musliman”.
Melekët e mallkojnë çdo njeri që i drejtohet muslimanit me hekur. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kush ia drejton vëllait të tij armën, atë e mallkojnë melekët derisa të ulë armën edhe nëse e ka vëlla prej babe dhe nëne”.
I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ndaloi nga çdo gjë që e bën të mërzitshëm muslimanin, dhe tha: “Kur të jeni tre, derisa të përzihen njerëzit mos pëshpëritni ju dy e ta lini anash të tretin, se kjo e pikëllon atë”.
Nëse ai bie në ndonjë mëkat apo gjynah, fshehja e tij është fshehje për ty Ditën e Kiametit. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kush ia mbulon të metat një muslimani, Allahu ia mbulon të metat atij Ditën e Kiametit”.
Nëse i ngushtohen atij punët dhe i vinë vështirësitë, kush i ndihmon atij, Allahu do t’i ndihmojë në Ditën e Kiametit. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kush ia largon besimtarit një brengë të kësaj bote, Allahu do t’ia largojë një brengë të ahiretit”.
Dëmtimi i tij me gjuhë është e ndaluar. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Vrasja e muslimanit është kufër e sharja-ofendimi i tij mëkat”.
Mallkimi i tij është e njëjtë si vrasja e tij. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Mallkimi i muslimanit është si vrasja e tij”.
Kush shpifën ndaj tij pa argument rrahet me tetëdhjetë kamxhik. Kurse ata që i dëmtojnë muslimanët dhe i torturojnë, Allahu u premtoi se do ta marrin ndëshkimin e tyre të merituar: “Pa dyshim, ata që i përndjekin besimtarët dhe besimtaret e nuk pendohen, i pret dënimi i Xhehenemit dhe dënimi me djegie”. (El-Buruxh: 10)
Pasuria e muslimanit është e mbrojtur, as nuk vidhet, e as nuk merret pa leje, e as që uzurpohet: “Çdo musliman kundruall çdo muslimani e ka haram gjakun e tij, pasurinë e tij, dhe nderin e tij”.
Kush betohet në Allahun pa të drejtë që t’ia merr vëllait të vet pasurinë, Allahu do ta gjuan në zjarr. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kush e ndan një njeri musliman nga e drejta e tij me betimin e tij, vërtet Allahu ia ka siguruar zjarrin e Xhehenemit dhe ia ka ndaluar Xhenetin”. Një njeri tha: “A është kështu edhe nëse është një gjë e vogël o i Dërguari i Allahut?” Tha: “Qoftë kjo edhe sa një degë (fije) e misvakut”.
Pasuria e tij respektohet edhe pas vdekjes së tij. Nuk i lejohet që ta merr atë askush, përveç se atyre që e trashëgojnë sipas rregullave fetare, dhe që janë musliman. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Nuk trashëgon muslimani jomuslimanin, dhe jomuslimani muslimanin”.
Gjaku i muslimanit tek Allahu është shumë i shenjtë. Ai është gjëja e parë që do të llogaritet njeriu sa i përket zënkave dhe mospajtimeve. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Gjëja e parë që do të llogariten krijesat në Ditën e Kiametit është gjaku”.
Gjaku i muslimanit është më i shtrenjti tek Allahu. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Me të vërtetë zhdukja e dynjasë është më e lehtë për Allahun sesa vrasja padrejtësisht e besimtarit, nëse në vrasjen e tij do të kishin marrë pjesë banorët e qiejve dhe të tokës, Allahu do t’i dënonte me zjarrin e Xhehenemit.”
Një dijetar thotë: “Ai që tenton ta vret atë për të cilën është krijuar toka për hir të tij, vetëm se ka tentuar ta zhduk dynjanë”.
Vrasja e një shpirti të muslimanit llogaritet vrasje e tërë njerëzimit. Allahu thotë. “Kush vret ndokënd, që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve”. (El-Maide: 32)
Gjaku i muslimanit nuk lejohet vetëm se në tri raste. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Nuk lejohet derdhja e gjakut të muslimanit përveçse me një nga tre gjëra: i martuari që bën kurvëri, vrasësi dhe felëshuesi që përçan komunitetin”.
Derdhja e gjakut të muslimanit e detyron mallkimin dhe zemërimin e Allahut. Allahu thotë: “Kushdo që vret një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është Xhehenemi, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë. Allahu është zemëruar me atë, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur një dënim të madh”. (En-Nisa: 93)
Imam Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk ka mëkat më të madh pas kufrit, sesa vrasja e një shpirti pa të drejtë”.
O muslimanë, edhe përskaj pozitës së lartë që e kanë muslimanët, njësues të Allahut, tek Allahu, prapë se prapë gjaku i tyre derdhet nëpër shtete të ndryshme, ditën e natën, haptazi e fshehurazi. Njeriu gdhihet i frikuar, kurse e arrin mbrëmja të lënduar. Bie i pikëlluar dhe gdhihet i vrarë. I merren pasuritë, i uzurpohen pronat, i shkatërrohen mirësitë, i vriten pasardhësit e tij, gratë u mbeten pa burra, e fëmijët u bëhen jetimë, sëmuret i shëndoshi, varfërohet i pasuri, robërohet i liri, nënçmohet i ndershmi, ndryshohen ligjet dhe shkatërrohen simbolet fetare.
Vinë lajme të njëpasnjëshme nga derdhjet e gjakut në mesin e muslimanëve. Le ta ndërpresin gjakderdhjen dhe le t’i largohen padrejtësisë dhe le t’i kthehen burimit të pastër të drejtësisë dhe Islamit, dhe le të punojnë me porosinë e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i cili tha: “Mos u ktheni pas meje në femohues, e t’ia preni qafën njëri-tjetrit”.
Jetuan jomuslimanët nën flamurin e muslimanëve, edhe atë një periudhë të gjatë, edhe atë me siguri dhe paqe dhe me të drejta të garantuara, pa vrasje dhe pa padrejtësi. Pse të mos përhapet siguria dhe mirësia tek popujt e muslimanëve që ta adhurojnë Zotin e tyre në rehati dhe ashtu si i urdhëroi Ai?!
Allahu e din shumë mirë se kush bën padrejtësi, dhe atij ia jep atë që e meriton, dhe do t’i ndihmojë të dobëtit nëse ata i drejtohen me lutje dhe mbështetje Atij.
Allahu thotë: “Vërtet, ndëshkimi i Zotit tënd është i ashpër!”. (El-Buruxh: 12)
Shejh Dr. Abdulmuhsin El Kasim

Nga arabishtja: Irfan JAHIU