VLERA E TEUHIDIT

Teuhidi (njësimi i Allahut) është detyra dhe obligimi i parë që duhet të ngjyroset muslimani me të dhe ta praktikojë. Teuhidi është adhurimi kryesor dhe më me vlerë dhe Allahu për realizuesin e tij ka përgatitur shpërblime të mëdha në dynja dhe ahiret.

Ibën Tejmijje, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kush e mediton gjendjen në tokë do të vërejë se shkak i çdo përmirësimi në tokë është njësimi i Allahut, azze ue xhel, adhurimi i Tij dhe nënshtrimi i të Dërguarit të Tij, ndërsa çdo sherr, sprovë dhe bela, thatësi dhe uri, shtypje prej armikut dhe sundim, vjen si pasojë e kundërshtimit të Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, dhe thirrjes në idhujtari dhe në ligje të cilat bien ndesh me ligjet e Allahut, azze ue xhel .”

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.” (El-En’am: 82), që nënkupton se ata të cilët e adhurojnë Allahun me sinqeritet dhe nuk e njollosin teuhidin e tyre me idhujtari për to Allahu ka përgatitur shpërblime: “pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar”. Pra shpërblimi i tyre është se ata janë të sigurt dhe të udhëzuar në rrugën e drejtë në dynja dhe ahiret.

Kur zbriti ky ajet shokët e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, i kaploi frika, menduan se fjala padrejtësi në ajet e ka për qëllim padrejtësinë ndaj vetvetes dhe se nuk ka siguri e as udhëzim vetëm se për atë i cili nuk i bën padrejtësi vetvetes. Prandaj iu drejtuan Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, dhe i thanë: “O i Dërguar i Allahut, cili prej nesh nuk i bën padrejtësi vetvetes?” Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, u përgjigj: “Nuk është ashtu siç mendoni. Ajeti “nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari)e ka për qëllim nuk e njollosin besimin e tyre me shirk. A nuk i keni dëgjuar fjalët e Lukmanit: “Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe”. (Lukman: 13)

Pra ua bëri me dije se ai i cili nuk e njollos besimin e tij me këtë padrejtësi do të jetë prej atyre që i garantohet siguria dhe udhëzimi, dhe se ai do të jetë prej të zgjedhurve: “Pastaj, Ne ua dhamë Librin robërve Tanë të zgjedhur (nga ndjekësit e Muhamedit, alejhi selam). Disa prej tyre i bëjnë dëm vetes (duke bërë vepra të ndaluara), disa janë në rrugë të mesme (duke kryer detyrimet dhe duke shmangur të ndaluarat), ndërsa disa, me lejen e Allahut, shkojnë përpara me të mira (përtej detyrimeve); kjo është dhuntia e madhe.” (Fatir: 32)

Padrejtësi quhet vendosja e një gjëje në vend jo të drejtë dhe jo të përshtatshëm. Prandaj shirku (idhujtaria) është emërtuar si padrejtësi, për shkak se njeriu e vendos adhurimin e tij në vend jo të duhur dhe nuk ia përkushton Allahut, por ia përkushton dikujt tjetër që nuk e meriton.

Padrejtësinë dijetarët e ndajnë në tre lloje:

Lloji i parë: Padrejtësi që ia bën njeriu vetvetes me idhujtari. Ky është lloji më i madh i padrejtësisë:Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe”. (Lukman: 13)

Lloji i dytë: Padrejtësi që ia bën njeriu vetvetes me mëkate. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Kush punon vepër të keqe ose e ngarkon veten me gjynahe, pastaj kërkon falje prej Allahut, do të gjejë se Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (En-Nisa: 110)

Lloji i tretë: Padrejtësi ndaj robërve të Allahut në shpirt, pasuri ose nder.

Kush largohet prej këtyre tre llojeve të padrejtësive fiton siguri dhe udhëzim të plotë në dynja e ahiret. Kush largohet prej padrejtësisë së madhe dhe nuk largohet prej dy llojeve të tjera, do të ketë mangësi në sigurinë dhe udhëzimin e tij sipas sasisë së padrejtësisë që ia bën vetvetes dhe ia bën të tjerëve. Ndërsa ai i cili nuk largohet prej padrejtësisë së madhe nuk do të ketë as siguri e as udhëzim në dynja dhe ahiret.

Buhariu dhe Muslimi, Allahu i mëshiroftë, e shënojnë një hadith në librat e tyre prej Ibadeh ibën Samit, radijallahu anhu, i cili na përcjell se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush dëshmon se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut të Vetëm të pa shok dhe se unë jam rob dhe i Dërguari i Tij dhe se Isa është rob dhe i Dërguari i Tij dhe fjala e Tij që e hodhi te Merjemja dhe shpirt prej Tij (sikurse edhe shpirtrat tjerë) dhe se Xheneti është i vërtetë dhe se Xhehenemi është i vërtetë, e futë Allahu atë në Xhenet sipas punës që e ka bërë.”

Ky hadith madhështor në vete i përmban katër çështje kryesore.

Çështja e parë: Dëshmia se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç se Allahut, azze ue xhel.

Muslimani duhet ta dijë se ky është kuptimi i vërtetë i shehadetit (dëshmisë), dhe se nuk i bën dobi aspak shqiptimi i saj pa mos e kuptuar thelbin e saj dhe pa vepruar me të, me bindje të plotë, duke iu larguar çdo gjëje që e mohon dhe e shkatërron atë.

Ai i cili vetëm e shqipton e nuk punon me të dhe nuk e di kuptimin e saj, nuk e pranon e beson sinqerisht, nuk e pohon e mohon çdo gjë që e aludon kjo fjali, nuk i bën dobi aspak shqiptimi i saj edhe po ta përsëriste ditë e natë, dhe gjithashtu do të jetë argument kundër tij në dynja e ahiret.

Idhujtarët e Mekes në kohën e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, e mohonin këtë fjalë dhe kuptimin e saj dhe kur u thoshte Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, atyre: “Thoni: la ilahe il-lAllah (nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë vetëm se Allahut) do të shpëtoni”. Thonin: “A mos kërkon ai, që të gjithë zotat t’i bëjë një Zot të Vetëm? Vërtet që kjo është një gjë e çuditshme!” (Sad: 5)”. Idhujtarët e sotëm në krahasim me ato të mëhershmit e shqiptojnë këtë fjalë, mirëpo e mohojnë kuptimin e saj. Bile as në raste vështirësie nuk i luten Allahut në krahasim me idhujtarët e Mekës të cilët në vështirësi i drejtoheshin vetëm se Allahut, azze ue xhel. Prandaj ai i cili pretendon se njësues (muvahid) është ai i cili pohon se Allahu është Një, Krijues i çdo gjëje dhe kështu e komenton edhe shehadetin gabon shumë, për shkak se ky koment i shehadetit është i mangët dhe gjuha arabe nuk aludon në këtë kuptim. Kur’ani dhe Suneti na qartësojnë se njësues është ai i cili ia përkushton adhurimet vetëm se Allahut dhe nuk i bën ortak në asnjë adhurim dhe se kjo është qëllimi i dërgimit të gjithë pejgamberëve prej te Nuhi, alejhi selam, e deri te Muhamedi, salallahu alejhi ue selem.

Çështja e dytë: Dëshmia se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij.

Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, në këtë hadith përshkruhet me dy cilësi.

Cilësia e parë: Rob i Allahut i cili nuk posedon veçori hyjnore adhuruese. Kjo është argument kundër atyre të cilët i drejtohen Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, me dua e lutje, me kërkim të bereqetit dhe me lloje të ndryshme të adhurimeve

Cilësia e dytë: I Dërguar i Allahut të cilin e dërgoi për të gjitha krijesat, njerëzit dhe xhinët, të cilët i urdhëroi që t’i nënshtrohen dhe mos ta kundërshtojnë. Kjo është argument kundër atyre të cilët nuk i nënshtrohen e nuk e pasojnë rrugën e tij, por i pasojnë epshet dhe pasionet e tyre.

Ndërsa kuptimi i thënies dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij është: “Nënshtrimi i tij në atë çka urdhëroi, besimi dhe konfirmimi i tij në atë çka lajmëroi, largimi prej asaj çka e ndaloi dhe adhurimi i Allahut vetëm se me atë ai çka erdhi dhe e ligjësoi.”

Çështja e tretë: Isa është rob dhe i Dërguari i Tij dhe fjala e Tij që e hodhi te Merjemja dhe shpirt prej Tij.

Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, Isain, alejhi selam, e përshkroi në këtë hadith me katër cilësi:

E para: Se ai është rob i Allahut. Kjo është argument kundër krishterëve të cilët pretendojnë se Isa është Zot ose biri i Zotit, Allahu na ruajttë prej këtyre shpifjeve.

E dyta: Se ai është i Dërguar i Allahut. Kjo është argument kundër jehudive të cilët e refuzuan mesazhin e Isait dhe e akuzuan se është i biri i lavires, Allahu na ruajttë prej këtyre shpifjeve.

E treta: Se ai është fjala e Tij që e hodhi te Merjemja, që do të thotë se Allahu e krijoi me fjalën “Bëhu”, fjalë e cila u bart nëpërmjet Xhibrilit, alejhi selam, deri tek Merjemja.

E katërta: Se ai është shpirt prej Tij, që do të thotë se Isa, alejhi selam, është shpirt sikur se shpirtrat e tjerë që i krijoi Allahu, azze ue xhel, dhe fjala shpirt që i shtohet emrit të Allahut është shtojcë nderi dhe fisnikërie.

Çështja e katërt: Xheneti është i vërtetë dhe Xhehenemi është i vërtetë.

Besimi në Xhenet dhe në Xhehenem është pjesë e besimit në Ditën e Fundit, mirëpo Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, i veçoi me përmendje në këtë hadith për shkak se ato janë stacioni i fundit i përhershëm i çdo njeriu. Xheneti do të jetë vendbanim për besimtarët dhe devotshmit, Xhehenemi do të jetë vendbanim për jobesimtarët dhe mëkatarët.

Fryti i dëshmisë së katër çështjeve të lartpërmendura të cilat i përfshiu hadithi është futja e robit në Xhenet sipas punës që e ka bërë. Ai i cili e takon Allahun i pastër prej të gjitha mëkateve hyn në Xhenet me mëshirën e Allahut, ndërsa ai i cili e takon Allahun me mëkate pa i bërë ortak në adhurime, është nën vullnetin e Allahut, nëse do ia fal me mëshirën e Tij, nëse do e dënon me drejtësinë e Tij e pastaj e futë në Xhenet.

O robër të Allahut! 

Buhariu dhe Muslimi, Allahu i mëshiroftë, e shënojnë një hadith në librat e tyre prej Utbanit, radijallahu anhu, i cili na përcjell se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Allahu ia ka ndalu hyrjen në Xhehenem atij i cili thotë la ilahe il-lAllah dhe me atë e kërkon Fytyrën e Allahut.”

Kush e shqipton shehadetin dhe nuk punon me të nuk i bën dobi aspak ky hadith. Allahu ia ka ndaluar Xhehenemin atij i cili vjen me shehadet duke qenë i sinqertë në atë çka e thotë, duke e vërtetuar me vepra dhe vdes me bindje të plotë në të ashtu siç aludon hadithi i Utbanit, radijallahu anhu.

Janë përcjellë shumë hadithe se kush thotë la ilahe il-lAllah dhe në zemrën e tij ka një grimcë atomi prej mirësie i ndalohet atij Xhehenemi, po ashtu janë përcjellë hadithe të shumta se një numër i madh i atyre që e thonë këtë thënie do të hyn në Xhehenem e pastaj Allahu i fut në Xhenet, dhe po ashtu na janë përcjellë shumë hadithe se kush thotë la ilahe il-lAllah dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut i ndalohet atij hyrja në Xhehenem, mirëpo të gjitha kanë ardhur të kufizuara dhe me kushte të caktuara.

O rob i Allahut!

“Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Er-Rum: 30)

O muslimanë!

Dëshmia la ilahe il-lAllah i ka shtatë kushte të cilat duhet të plotësohen që t’i bën dobi atij që e shqipton.

1- Dituria, detyrohet ta dimë kuptimin e saj dhe çka kërkohet prej saj, prej pohimit e mohimit.

2- Bindja, që të jetë thënësi i saj i bindshëm në të. Në rast se është i dyshimtë atëherë nuk i bën dobi thënia e saj.

3- Pranimi, i asaj çka përmban kjo fjali në vete prej adhurimit të Allahut.

4- Dorëzimi dhe nënshtrimi, në atë çka aludon kjo fjali: “Kush i dorëzohet Allahut, me tërë qenien e tij, duke qenë punëmirë, ai është kapur për vegën më të fortë. Tek Allahu do të kthehet çdo gjë.” (Lukman: 22)

“Vega e fortë” në ajet e ka për qëllim fjalinë la ilahe il-lAllah, ndërsa “kush i dorëzohet Allahut” e ka për qëllim: kush i nënshtrohet Allahut me sinqeritet.

5- Çiltërsia dhe sinqeriteti, çka do të thotë pastrimi i veprave prej të gjitha llojeve të idhujtarisë dhe të mos synohet me shqiptimin e saj kënaqësitë e kësaj bote.

6- Vërtetësia, që ai ta vërteton këtë fjalë me gjuhë, me zemër dhe me vepra.

7- Dashuria, e kësaj fjalie dhe asaj në çka aludon ajo.

Shehadeti po ashtu i ka edhe dy shtylla:

1- Mohimi, që nënkupton mohimin e adhurimit të hyjnive tjera përveç Allahut, azze ue xhel.

2- Pohimi, të pohosh se adhurimi i takon vetëm Allahut.

O robër të Allahut!

Ka prej njerëzve të cilët mendojnë se këmbëngulja e dijetarëve për ta paraqit rrezikun e idhujtarisë dhe për të thirr në teuhid është i tepërt. Këtë e kundërshtojnë dijetarët e Ehli Sunetit të cilët thonë se dijetarët, e në veçanti Ibën Tejmijja, nuk kanë këmbëngulur në çështjen e teuhidit më tepër se sa e meriton kjo çështje. Allahu është Ai i cili këmbënguli në paraqitjen e rrezikut të saj, ku edhe thotë në dy vende në Kur’an: “Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij”. (En-Nisa: 48)

Allahu, azze ue xhel, poashtu na paralajmëroi edhe nëpërmjet Isait, alejhi selam: “Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij do të jetë Zjarri” (El-Maide: 72)

Allahu, azze ue xhel, i tha Muhamedit, salallahu alejhi ue selem: “Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed), si dhe atyre që kanë qenë para teje: “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit.” (Ez-Zumer: 65); “Por, nëse ata adhurojnë zota të tjerë, do t’u humbë çdo gjë nga ajo që kanë bërë.” (El-En’am: 88); “Atëherë i vritni idhujtarët kudo që t’i ndeshni, i zini robër, i rrethoni dhe u bëni pusi kudo!” (Et-Teube: 5)

Po ashtu na janë përcjellë shumë hadithe që paralajmërojnë prej shirkut dhe në çdo hadith ku ceken mëkatet e mëdha vërehet se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, çdo herë e fillon me përmendjen e shirkut e pastaj me përmendjen e mëkateve të tjera. Kur u pyet, salallahu alejhi ue selem, se cili është mëkati më i madh tek Allahu? – U përgjigj: “T’i bësh shok Allahut dhe Ai të ka krijuar.”

E lus Allahun, azze ue xhel, me emrat e Tij të bukura dhe cilësitë e Tij të larta të na bën prej atyre që e adhurojnë vetëm se Allahun dhe të na mbron prej idhujtarisë dhe prej asaj që na drejton kah ajo.

Shejh Abdulmelik el Kasim

Nga arabishtja: Irfan JAHIU