Shërbimi Korrektues i Kosovës ka mbajtur Konferencën e Donatorëve, ku është prezantuar gjendja ekzistuese e institucioneve korrektuese si dhe projektet përmes të cilave synohet ngritja dhe zhvillimi i përgjithshëm i burgjeve në Kosovë, raporton Anadolu.
Në këtë konferencë morën pjesë zëvendës/ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, drejtori Përgjithshëm i i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ambasadori i OSBE-së, Michail Davenport, shefi i Misionit të EULEX-it, Giovanni Barbano, drejtoresha e Byrosë për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), Tamra Greig, koordinatorja për Kosovë e TIKA-s, Fulya Aslan, ambasadorë si dhe përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare.
Drejtori i Shërbimit Korrektues në Kosovë, Ismail Dibrani tha se viteve të fundit Shërbimi Korrektues ka shënuar rezultate të jashtëzakonshme në të gjitha aspektet. Ai tha se lufta kundër kontrabandës dhe korrupsionit në burgjet e Kosovës ka vazhduar si asnjëherë më parë, falë edhe mbështetjes së partnerëve.
“Gjatë këtyre tre viteve kemi arritur që së paku në 130 raste të parandalojmë futjen e kontrabandës brenda institucioneve në shërbimin korrektues. Siç e dini kryesisht rrugët e shpeshta apo kryesore për futjen e kontrabandës në institucionet korrektuese janë përmes familjarëve apo edhe kompanive tjera të cilat furnizojnë institucionet tona me artikuj të ndryshme”, theksoi ai.
Dibrani tha se Shërbimi Korrektues sivjet ka hyrë me buxhet rekord prej 8 milionë eurove dhe ka filluar projektimin e institucioneve të reja në bashkëpunim me partnerët.
Zëvendësministri i Drejtësisë së Kosovës, Blerim Sallahu tha se janë duke punuar për përmirësimin e kushteve brenda burgjeve. Ai theksoi se misioni i sistemit korrektues përfshin ndërmarrjen e veprimeve nga kryerja e një vepre penale, deri tek largimi nga institucioni korrektues pas rehabilitimit efektiv.
Sallahu përmendi edhe vrasjen e djeshme të një gruaje në qytetin e Pejës ku dorasi dyshohet të jetë bashkëshorti i saj. “Fatkeqësisht rastet e ngjarjeve të djeshme apo tjetra e para disa ditëve, vrasjet e grave dhe fenomenet e tjera të errëta po dështojnë të parandalohen me kohë”, ka thënë ai.
Ambasadori i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Michail Davenport tha se janë të lumtur që në shërbimet korrektues në Kosovë është shtuar numri i grave, derisa shtoi se mbështetja për institucionet e sigurisë publike në Kosovë që garantojnë siguri për të gjitha komunitetet është prioritet i dorës së parë për OSBE-në në Kosovë.