Prodhuesi gjerman i automobilave, Volkswagen e ka hapur zyrtarisht degën në Turqi, duke e bërë krahinën perëndimore Manisa si qendrën e ardhshme të prodhimit.
Sipas një njoftimi të sotëm në Gazetën e Regjistrit të Tregtisë, Volkswagen mori vendim përfundimtar për krijimin e një punëtorie në Turqi, duke e quajtur zyrtarisht Volkswagen Turkey Automobile Industry and Trade Inc.
Fillimisht, ishin pesë vendet kandidate për fabrikën e re VW. Numri përfundimisht ra në dy, duke marr në konsideratë vetëm Turqinë dhe Bullgarinë.
Fabrika e re e makinerive gjermane pritet të fillojë prodhimin në 2022 me vlerë prej 165 milion dollarë në dispozicion.
Kompania planifikon të kryejë një gamë të gjerë të proceseve të prodhimit në fabrikën e re, e veçanërisht projektimin, prodhimin dhe montimin e automjeteve, kamionëve dhe mjeteve të tjera, si dhe pjesëve përbërëse të tyre. Shitja, importi dhe eksporti i këtyre produkteve do të kryhen gjithashtu nga uzina me bazë në Turqi.
Planet e Volkswagen në Turqi filluan të dalin në pah pasi Drejtori Gjeneral Herbert Diess bëri një vizitë në qershor dhe u takua me Presidentin Rexhep Tajip Erdogan.
Turqia ka një histori automobilistike pothuajse 50 vjeçare. Si një nga vendet kryesore në botë në sektorin e automobilave, Turqia ka marrë investime nga shumë marka, duke përfshirë Fiat, Renault, Mercedes-Benz, MAN, Otokar, Isuzu, Honda, Hyundai, Toyota dhe Temsa. Përveç infrastrukturës së qëndrueshme në industrinë e furnizuesve të automobilave, Turqia gjithashtu ka një fuqi punëtore të kualifikuar me përvojë në këtë sektor.
Në fillim të këtij viti, gjiganti i automobilave njoftoi se do të ndërtojë një fabrikë të re në Evropën Lindore për të prodhuar versionet konvencionale të motorit (benzinë / naftë) të disa prej modeleve kryesore, pasi do të prodhonte automjete elektrike në fabrikat e saj gjermane për shkak të kufizimeve të emetimeve të gazrave në Evropë. Grupi gjerman gjithashtu ra dakord me Fordin e Amerikës për të prodhuar automjete të lehta tregtare në impiantet e Ford Otosan të Turqisë.