Rtv Pendimi

Xhamia e Ibrit, karantina dhe kontrolli permanent

Shkruan: Milazim Krasniqi

Debatet tona të brendshme lidhur me fatet e truallit të xhamisë së Ibrit, dëshmojnë se sa është katandisur pozita jonë në raport me Serbinë dhe me Brukselin. Meqë nuk po kemi fuqi të shtyjmë përpara agjendën tonë të konsolidimit të shtetit, brenda së cilës do të duhej të punohej edhe për sanimin e pasojave që ka lënë kulturocidi e gjenocidi serb i viteve 1998-1999, po u kthehemi e rikthehemi grindjeve mes vete, me një pasion mazohist. Madje edhe debati për një xhami, po përshkohet nga tensioni dhe hatermbetja. Ndërsa disa çështje të tjera, kanë përthithur gjithë energjinë e shoqërisë sonë. Këtu po rikujtojmë disa nga këto çështje rrënuese: grindje e fyerje ndër vete për kishën në kampusin e UP-së, grindje e kërcënime për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, etiketime të vetvetes për të zhdukurit, gëzim pasionant për Gjykatën Speciale… Fatkeqësia më e madhe nuk është lodhja e shoqërisë, por dëmtimi i rëndë i imazhit të shtetit tonë, stabiliteti dhe ekzistimi i të cilit realisht janë të kërcënuar!

Pafuqia jonë si shtet në raport me Serbinë, e cila që nga pavarësimi Kosovës (2008) ashiqare është e përkëdhelura e BE-së, ka prodhuar këtë pasion të tmerrshëm mazohist, pra pasionin për t’u kënaqur duke e fyer, duke e munduar e duke e poshtëruar vetveten. Meqë kjo tendencë mazohiste është strukturuar, ajo tashmë po jep efekte direkte në dobësimmin e mëtejshëm të pozicionit të shqiptarëve dhe të shtetit tonë. Kjo punë vërtetohet lehtësisht pikërisht në raportet e Kosovës me Serbinë: Serbia ka avancuar në rrugën e integrimit në BE, Kosova ka ngecë, kisha serbe e ngritur arbitrarisht në kampusin e UP-së nuk bën të preket, sepse dëmtohet imazhi i shtetit, ndërsa xhamia e Ibrit, të cilën serbët e kanë shkrumbuar dhe rrënuar me gjenocid, nuk lejohet të ndërtohet në truallin e vet disashekullor.

Përderi sa për objektin e papërfunduar të kishës serbe në kampusin e UP-së pati shume debate e madje edhe aksione primitive parapolitike, për xhaminë e Ibrit ka një heshtje varri. Bile, po të mos ishte ngulmi dhe kokëfortësia e Nexhmedin Spahiut, mbase edhe nuk do të hapet fare debat për të. Pse kështu? Sepse pafuqia jonë si shqiptarë, përveç në raport me Serbinë, është përthelluar edhe në raport me sponsorët e pavarësisë së Kosovës e evçma sme Brukselin. Varësia e elitës së sotme politike nga humori i Vuqiqit dhe i ndërkombëtarëve, është më e madhe se sa në kohën para pavarësisë! Faktorët ndërkombëtar, në emër të kujdestarisë për shtetin tonë, e kanë instaluar një presion permanent ndaj institucioneve dhe ndaj shoqërisë sonë, duke favorizuar Beogradin.

Në këtë kontekst, ata e kanë instaluar edhe një presion të fortë ndaj fesë islame në Kosovë, mbase si pasoje e nje paranoje islamofobike që kutërbon në Evropë. Ky presion i orkestruar diplomatik, politik, mediatik e policior, i ka detyruar besimtarët islamë po edhe Bashkësinë Islame që të heshtë, pra, të mos guxojë të flasë as për pronat e veta. Për këto shkak kemi ardhur në këtë pozitë absurde: të mbrojmë objektin e papërfunduar të kishës serbe në kampusin e UP-së, për të mos e dëmtuar imazhin e shtetit dhe në të njëjtën kohë të mos guxojmë ta kërkojmë rikthimin e xhamisë së Ibrit në truallin e saj shumëshekullor! Dobësia e institucioneve tona shtetërore dhe hipokrizia e faktorëve ndërkombëtar, BE-së në rend të parë, është evidente.

Ata në vitin 2004 ia imponuan Kosovës, ndonëse ende ishte nën administrim ndërkombëtar, pra, nuk ishte shtet, që të financonte renovimin e kishave serbe të dëmtuara në trazirat e marsit 2004. Bile, mbaj mend se si një ministër i parëndësishëm britanik, e pati marrë ish presidentin e Kosovës pothuasje me zor dhe e pati detyruar që në një kishë serbe në Prishtinë, të jepte zotimin solemn se të gjitha dëmet e shkaktuara do të mbulosheshin nga paratë e buxhetit. Pikërisht këta protektorë tash tetëmbëdhjetë vjet nuk denjojnë të lejojnë rindërtimin e një xhamie të vogël në truallin e saj në Mitrovicë! Në një debat televiziv, Agim Bahtiri deklaroi se në Bruksel kanë luftuar si luanë, për ta mbrojtur truallin e xhamisë. E besoj, por ai pa dashje kështu e zbuloi se në Bruksel paskësh pasur plane për zhdukjen e idesë së rindërtimit të xhamisë së Ibrit në vendin e saj.

Meqë ky është sfondi dplomatik, politik e mediatik për xhaminë e Ibrit, e mira është që ta kuptojmë hilenë e Brukselit dhe të partnerëve të tjerë të Kosovës: ata nuk duan rindërtimin e asnjë xhamie, as me paratë e veta as me paratë tona. Të njëjtin faktorë, Kishës Ortodokse Serbe, me procesin e Vjenës e me Planin eAhtisarit i kanë dhënë atributet e shtetit në shtet, ndërsa Bashkësinë Islame të Kosovës e kanë lënë si organizatë joqeveritare. Në kësi ambienti presioni e injorimi, është e vështirë që të rehabilitohet qoftë dhe vetëm ajo xhami e vogël e Ibrit, e cila është dëshmi e kulturocidit serb. Prandaj, meqë nuk po mund të shtyjmë përpara tash për tash agjendat e duhura, ajo që duhet të bëjmë ne është të paktën të mos grindemi mes vete.

Fillimisht duhet ta kuptojmë se jemi të pafuqisëhm, se jemi të injoruar. Siç nuk varet prej institucioneve tona as demarkacioni, as asociacioni, as gjetja e të zhdukurve, as liberalizimi i vizave, as Gjykata Speciale, nuk varet as rindërtimi i xhamisë së Ibrit. Ne duhet ta kishim kuptuar tashmë se jemi një popull në karantinë dhe jetojmë në një hapësirë nën kontroll permanent. Përgjegjësia e vetme e drejtuesve tanë është që nuk e tregojnë këtë të vërtetë të hidhur, pra, që nuk kanë bash kurrgjë në dorë. As për rindërtimin e asaj xhamie të shekullit XVIII, e cila është shkrumbuar nga shteti gjenocidal serb. Por, të gjtihë ne në të njëjtën kohë duhet të ndërgjegjësohemi se idealet tona nui janë seozonale dhe identiteti ynë nuk varet nga humori i Serbisë dhe i Brukselit. Ne mund ta rikthejmë në një të ardhme edhe xhaminë e Ibrit në vendin e saj. Por jo me këtë pozicion që ka shteti ynë në raport me Serbinë e me Brukselin.

27 shtator 2016

TË NGJAJSHME