Këshillit të Bashkësisë Islame në Istog iu shtua edhe një xhami e cila u ndërtua në fshatin Saradran, ku më parë nuk kishte xhami dhe ndihej nevojë e madhe për një objekt të tillë. Kjo u arrit me kërkesën e qytetarëve dhe me iniciativën e KBI-së Istog me në krye Muhamet ef.Lipaj dhe në bashkëpunim me KK Istog. Trualli i rezervuar për këtë objekt shtrihet në një sipërfaqe prej 22 arësh në qendrën e fshatit Saradran dhe është konceptuar që të shoqërohet edhe me një objekt multifunksional, në harmoni me xhaminë dhe jetën komunitare të fshatit. Banorët e fshatit Saradran, por edhe të fshatrave të tjerë përreth si Kashic e Cerolluk, kishin kërkuar mbështetje prej kohësh, për të pasur edhe ata xhaminë e tyre dhe një qendër për edukimin me kulturë islame të brezave të ri në këtë zonë, për ruajtjen e traditës dhe vlerave kombëtare me të cilat karakterizohet rrafshi i Dukagjinit.
Teksa punimet vazhdonin në xhaminë e re të fshatit Saradran, shumë të moshuar që kalojnin pranë thonin: Kush e kishte menduar se sot, pas vetëm16 vitesh të pavarësimit të Kosovës do të vendosej gurthemeli i xhamisë sonë të re, që do na bëjë të ruajmë gjurmët e fesë së të parëve. Aty vinin edhe shumë rinjë kureshtarë për të parë ecurinë e punimeve që tashmë ka hedh shtat para syve të tyre. Ata kishin dëgjuar rrëfimet e të moshuarve për traditën dhe kulturën islame të fshatit të tyre, për namazet e teravive që faleshin odë me odë dhe sot po dëshmojnë se si historia e lashtësisë së Islamit në këto troje shqiptare po kthehet aty me një simbol modern, një xhami të bukur që lartohet përditë në gjurmët e pashlyera të kujtesës, në kodrën e Saradranit, vendin ku shumë afër nga aty ruhet edhe kujtesa e dëshmorëve që u flijuan për të shijuar ne sot bardhësitë e lirisë.
Teksa vështronim të rinjët e të rejat dhe gëzimin e reagimet e njerëzve, vërenim se të gjithë dëshironin të jenë të parët që do të marrin në dorë lopatën e të hedhin një tullë në xhaminë e tyre, të gjithë vëzhgonin, të gjithë luten për mbarësi të punimeve.
Feja islame i ka dhënë vend të veçantë shtëpive të Allahut, ngase aty ndërtohet shoqëria e shëndoshë, aty bëhet edukimi i brezave të rinj, për kuvend dhe qeverisje, lutje dhe adhurim, arsimim dhe shkencë. Përmes xhamive përcillen mesazhet paqësore të Islamit, duke ftuar njerëzimin në rrugën e drejtë, për të ndërtuar themele të fuqishme për bashkëjetesë ndërshoqërore dhe ndërkulturore me të gjithë.
Profeti Muhamed (a.s.)ka thënë: “Atij që ndërton një xhami, duke kërkuar shpërblimin e Allahut, Allahu do t’ia ndërtojë një shtëpi në Xhenet”. Dhe kjo është lutja e të gjithë banorëve te Saradranit dhe fshatrave përreth, që Zoti i Fuqiplotë t’i shpërblejë me mirësitë e Tij donatorët e kësajShtëpie të Allahut, Institutin AIITC dhe të gjithë ata që në një formë ose tjetër kontribuojnë për jetësimin e këti projekti.
Puna për ndërtimin e kësaj xhamie nisi më 02.11.2015 dhe, sipas grupit që ndjek punimet, objekti pritej të përfundojë brenda një viti, dhe po thuajse ashtu veç edhe ndodhi, u bërë xhamia e 14 në Komunën e Istogut. Kjo vepër do të jetë dëshmi besimi dhe do të japë frytet e saj në të mirë të komunitetit./kohaislame/